Incidenti me ndihmat, Bare: Basha
të largohet nga politika e Berishës

Incidenti me ndihmat, Bare: Basha<br />të largohet nga politika e Berishës
TIRANE - Përmes të rinjve të Forumit Demokratë, Lulzim Basha shfrytëzoi politikisht banorët e fshatit Ferras në Fier duke i nxitur të bllokojnë makinat me ndihma për banorët e prekur nga përmbytjet. Akuza është formuluar sot nga partia Socialiste, përmes deputetit Besnik Bare.
 
Në një deklaratë nga selia rozë, Bare i bëri thirrje kreut të Partisë Demokratike që të mos ndjekë politikën përçarëse që paraardhësi i tij, ish-lideri demokrat Berisha ndiqte ndaj kundërshtarëve të tij.
 
“Mjaft me politikën përçarëse të urrejtjes së Saliut për të tjerët; mjaft me taktikat e diskredituara të Saliut ku populli përdoret si mish për top; mjaft me gjuhën e vjetër të atij që hedh gurin e fsheh dorën. Është rasti që Partia Demokratike të dalë nga balta e përmbytjes ku e la Saliu dhe të bëhet krah i njerëzve të përmbytur me aq sa mundet dhe si mundet. Turpi i djeshëm nuk duhet të përsëritet më sepse na turpëron të gjithëve!”, tha deputeti socialist.
 
Sipas Bares, Partia Demokratike duhet të solidarizohet ndaj përmbytjeve, “edhe në kushtet kur ka banorë natyrshëm të stresuar nga përmbytja, t'i ndihmojë dhe jo t'i acarojë më keq me provokime, me shpifje e me turpe si ai i djeshmi”.
 
Incidenti u shënua gjatë pasdites së djeshme ku karvani i makinave që do conin ndihma  drejt zonave të përmbytura, u bllokua në fshatin Ferras të Fierit. Në dy prej makinave, udhëtonin ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj dhe shefi i Shtabit të përgjithshëm të Emergjencave Shemsi Prenci. Incidenti u filmua nga të rinjtë që bllokuan karvanin dhe u publikua menjëherë nga deputetja demokrate Jozefina Topalli. Pikërisht nga kjo video u zbulua se 4 prej të rinjve ishin anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, të cilët u shoqëruan në polici për të dëshmuar dhe më pas u lanë të lirë.
 

Deklarata e plotë e deputetit socialist Besnik Bare
Dje një akt i shëmtuar ka ndodhur në Fier, teksa aktivistë të Partisë Demokratike të zbritur nga Tirana, i kanë zënë rrugën dy karvanëve me ndihma për banorët e zonave të përmbytura.

Aktivistet në fjale, hipur mbi makina të shtrenjta dhe pa asnjë lidhje me zonën e përmbytur të Fierit, kanë inskenuar një bllokim të turpshëm për të realizuar me celularët tyre filmime që nxisin përçarje dhe urrejtje.

Sot është koha për të qenë solidarë me vepra e jo me deklarata hileqare në mbështetje të të gjithë atyre që kanë nevojë për bashkim njerëzor jo për përçarje politike; për dashuri njerëzore jo për urrejtje politike; për mbështetje reale në oborrin e shtëpisë jo për abuzim politik nga oborri i SHQUP-it.
Është e pafalshme që forca kryesore opozitare, pasi për dite me radhe u lut haptazi që të ndodhte më e keqja dhe bëri çmos të përdorte politikisht banorët e përmbytur, tani i bëhet pengesë fizike strukturave të solidaritetit në ndihmë të të përmbyturve.

Vërshimi i ujit nuk pyet për të majtë e për te djathtë, sikundërse ata që janë sot në nevojë janë në radhë të parë shqiptarë, njerëz në hall që kanë nevojë për miq majtas e djathtas dhe për ndihmë reale ngado që ajo mund të vijë.

Është detyrimi i ynë të ndihmojmë çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike. Ndaj i bëjmë thirrje Partisë Demokratike të distancohet nga veprime të tilla dhe, edhe në kushtet kur ka banorë natyrshëm të stresuar nga përmbytja, t'i ndihmojë dhe jo t'i acarojë më keq me provokime, me shpifje e me turpe si ai i djeshmi.
I bëj thirrje personalisht Lulëzim Bashës që të mos na e kujtojë orë e çast dhe për çdo gjë famëkeqin Sali Berisha.

Mjaft me politikën përçarëse të urrejtjes së Saliut për të tjerët; mjaft me taktikat e diskredituara të Saliut ku populli përdoret si mish për top; mjaft me gjuhën e vjetër të atij që hedh gurin e fsheh dorën.

Është rasti që Partia Demokratike të dalë nga balta e përmbytjes ku e la Saliu dhe të bëhet krah i njerëzve të përmbytur me aq sa mundet dhe si mundet. Turpi i djeshëm nuk duhet të përsëritet më sepse na turpëron të gjithëve!

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

PISTAT/ Vrasja e shqiptarit Beni Arshiaj në Itali, nga kodi i Kanunit, tek misteri i kameras së manipuluar! Kishte dhe emër të dytë

PISTAT/ Vrasja e shqiptarit Beni Arshiaj në Itali, nga kodi i Kanunit, tek misteri i kameras së manipuluar! Kishte dhe emër të dytë