NEW DEHLI - Kryeministrja e Australisë Julia Gillard është bërë protagoniste e një incidenti ndërsa merrte pjesë në ceremoninë pranë memorialit Gandi, në New Dehli. Gillard, që nga pamjet paraqitet ndërsa ecën përkrah zyrtarëve indian, është penguar duke humbur ekuilibrin dhe më pas është rrëzuar përtokë.

Pas incidentit, kryeministrja u shpreh për median se nuk ka pësuar asnjë dëmtim. Duke ju drejtuar më së shumti meshkujve, ajo sqaroi, se - "nëse do duhet të veshësh këpucë me taka të larta dhe të ecësh mbi barin e lagësht ndodh që takat të zhyten në bar dhe të mos tërhiqen dot. Pjesa tjetër është ajo që ju e patë".

Zyrtarët indianë ishin ata që menjëherë e ndihmuan kryeministren australiane të ngrihej në këmbë. Gillard është në ditën e tretë të vizitës së saj zyrtare në Indi.

(da.ma/shqiptarja.com)