Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, u ka vendosur një afat deri më 19 shtator të gjitha 211 federatave anëtare për të vendosur nëse do të pranojnë ofertën fillestare për një pagesë prej 20 milionë dollarësh për secilën federatë. Kjo ofertë vjen në një kohë kur UEFA, BE dhe shumë konferderata janë kundër nxjerrjes në shitje të kuotave të turneut të Kupës së Botës te privati, propozuar së fundmi nga FIFA.

Fondet e shpërblimit për secilën federatë do të sigurohen nga kompania e investimeve Thrive Capital, në pronësi të Joshua Kushner, vëllait të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.

Lajmi u publikua fillimisht nga 'The Times', ndërsa më pas u konfirmua përmes letrës që Infantino u dërgoi federatave.

Letra e FIFA-s vjen pas reagimeve të ashpra ndaj projektit. Burime të ESPN bëjnë të ditur se UEFA po shqyrton disa opsione, përfshirë edhe bojkotimin e Kupës së Botës, për shkak të mungesës së konsultimit dhe të transparencës në procesin e vendimmarrjes. UEFA pritet të zhvillojë një mbledhje urgjente online me 55 federatat anëtare, me shumë gjasa gjatë së enjtes.

Infantino: "Një mundësi unike"

Në letrën drejtuar federatave, Infantino e cilëson projektin si një "mundësi unike dhe të papërsëritshme financimi".

Ai propozon krijimin e një kompanie të re të FIFA-s me një vlerë prej 20 miliardë dollarësh, ku 20% e aksioneve do të zotërohen nga investitorë privatë. Kjo kompani do të menaxhojë aktivitetet tregtare dhe organizimin e kompeticioneve të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës dhe Kupën e Botës për Klube.

"Është detyra dhe përgjegjësia ime si president i FIFA-s t'ju paraqes mundësi që mund të ndryshojnë rrënjësisht të ardhmen e futbollit", shkruan Infantino.

10 miliardë dollarë nëse projekti miratohet

Sipas tij, nëse federatat miratojnë planin, nga 1 janari 2027 do të vihet në dispozicion një paketë financimi prej 10 miliardë dollarësh. Nëse projekti refuzohet, FIFA do të vazhdojë vetëm me zgjerimin e programit të saj Forward, me fonde në vlerë prej 2.7 miliardë dollarësh.

"Në total, gjatë ciklit të ardhshëm që nis më 1 janar 2027, çdo federatë do të ketë mundësinë të përfitojë deri në 40 milionë dollarë sipas këtij propozimi," thekson Infantino në letër.

Mbështetja e Thrive Capital

Projekti mbështetet financiarisht nga Thrive Capital, kompania e investimeve e Joshua Kushner. Vëllai i tij, Jared Kushner, është dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Federatat reagojnë

Federata Angleze e Futbollit (FA) dhe Concacaf kanë deklaruar se janë "thellësisht të shqetësuara" nga plani i FIFA-s për të shitur pjesë të të drejtave ekonomike të kompeticioneve më të rëndësishme.

Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, FA theksoi:

"Nuk ishim fare në dijeni të këtij propozimi dhe nuk kemi ende detaje të plota, përfshirë se çfarë përmban konkretisht apo cilat janë kushtet e tij."

Federata angleze shtoi se, bazuar në informacionin e deritanishëm, është e shqetësuar për mungesën e procedurave të rregullta dhe të qeverisjes në këtë proces.

"Kur FIFA ta paraqesë propozimin në mënyrë të plotë dhe transparente, ashtu siç ka premtuar, ne do të bëjmë të ditur qëndrimin tonë dhe do të japim komente të mëtejshme."

Ndërkohë, UEFA vazhdon të këmbëngulë se Kupa e Botës nuk është një aset tregtar që mund të shitet, duke paralajmëruar se do të kundërshtojë çdo nismë që cenon modelin aktual të qeverisjes së futbollit botëror.


Lajmi kryesor:

FIFA nxjerr në shitje turneun e Kupës së Botës, aksionet do t'u shkojnë kompanive private! Në skenë shfaqet dhëndri i Trump, UEFA kërcënon me bojkot