Federata Uellsiane e Futbollit (FAW) është bërë organizata e parë kombëtare që ka tërhequr zyrtarisht mbështetjen për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Sipas një raportimi të Sky News, FAW i ka dërguar një letër zyrtare FIFA-s, në të cilën shpreh humbjen e besimit ndaj Infantinos pas polemikave të fundit lidhur me planin për përfshirjen e investitorëve privatë në të drejtat tregtare të Kupës së Botës.

Në deklaratën e federatës thuhet se "dështimet në qeverisje, procedura, lidershipi, vlerat, menaxhimin e palëve të interesuara, komunikimi dhe gjykimi" kanë bërë që Gianni Infantino të humbasë besimin e Federatës Uellsiane për të vazhduar në krye të futbollit botëror.

"Pamundësia për të vendosur interesin e futbollit mbi çdo gjë tjetër është një dështim që nuk mund ta pranojmë", thuhet më tej në reagimin e FAW.

Javën e kaluar, Infantino u detyrua të tërhiqej nga plani për t'u shitur investitorëve privatë një pjesë e të drejtave tregtare të Kupës së Botës, pasi projekti hasi në kundërshtim të fortë nga federatat evropiane.

Të 55 federatat anëtare të UEFA-s ranë dakord të bojkotonin aktivitetet e FIFA-s në shenjë proteste, duke e detyruar presidentin e organizatës të tërhiqej nga iniciativa.


Lajmi kryesor:

UEFA kërcënon FIFA-n me veprime ligjore, përplasje e re për planin e privatizimit të Kupës së Botës