TIRANË- Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë e ftuar Klodiana Zaharia, mjeke ORL. Doktoresha ka folur për infeksionet ORL gjatë stinës së verës e në veçanti për ato të veshit. Ajo ka sqaruar se cilat janë simptomat e tyre dhe se si t’i parandalojmë këto infeksione. Ekspertja jonë ka shpjeguar se çfarë medikamentesh na duhen në çantën e pushimeve. Më pas mjekia ORL, Erinda Kollçaku u është përgjigjur pyetje live të qytetarëve.
Çfarë janë infeksionet më të zakonshme që na prekin gjatë stinës së verës?
Për shkak se gjatë stinës së verës pacientët frekuentojnë më shumë pishinat, detet, liqenet, pse jo edhe lumenjtë, të gjitha infeksionet që vijnë nga kontakti i veshit, i hundës dhe i gojës me ujin, janë infeksionet më të shpeshta me të cilat ne përballemi gjatë kësaj stine. Por, ato që predominojnë në praktikën tonë janë infeksionet e veshit të jashtëm ose veshi i notarit, siç quhet. Pra, kontakti i veshit me ujin e pishinës, të detit apo të liqenit.
Çfarë duhet që të kemi kujdes për të mos u prekur nga ky infeksion?
Me disa këshilla të thjeshta, ne mund të parandalojmë një infeksion të veshit sepse personat që e kaanë kaluar e dinë që veshi i sëmurë t’i prish pushimet. Ka një klinikë të tillë, ku dhembja predominon dhe pacientët detyrohen që të ndërpresin pushimet dhe të paraqiten te mjeku. Kështu që disa këshilla praktike janë:
- Të zhytet koka sa më rrallë, me gjithë veshët, dhe koha e ekspozimit në ujë, sidomos në pishina, të jetë sa më e shkurtër.
- Një person që ka qejf të zhytet, të notojë apo të lahet shumë, duhet që në momentin sapo del nga pishina apo nga deti, të largojë ujin e kripur ose ujin e pishinës me anën e një dushi me ujë të ëmbël.
Nëse ky veprim bëhet sa herë individi lahet dhe e largon ujin me kripë të detit ose ujin me klor të pishinës, është një masë e thjeshtë, por që parandalon shumë infeksionet e veshit, të hundës apo të lëkurës, të cilat shtohen nga ekspozimi në këto ujëra.
Cilat janë ato simptoma të cilat na paralajmërojnë se kemi të bëjmë me këtë infeksion?
Shenja e parë është bllokimi nga enjtja. Ky vesh, ngaqë ka filluar një inflamacion, një mahisje e veshit, si shenjë të parë ka bllokimin. Pra pacienti apo individi, për 1-2 ditë ndien që ka një vesh të bllokuar. Më pas, mund të fillojë dhembja. Në rast se fillon dhembja, dihet që otiti ka përparuar, ka kapur ky infeksion përtej kanalit edhe daullen dhe të gjitha strukturat pas daulles. Atëherë është instaluar një infeksion ose një mahisje e mirëfilltë e veshit. Kurse në rast se flasim për infeksionet e hundës ose të gojës, në hundë kemi sekrecione të verdha me erë të keqe, me erë të rëndë, pjesët në rrëzë të hundës ku ndodhen qimet, paraqiten me puçrra në ngjyrë të verdhë ose në ngjyrë të kuqe të irrituara, pra sekrecione të shtuara dhe puçrra në hyrje të hundës. E njëjta gjë mund të ndodhë me secilën pjesë të ORL-së që ka lëkurë, si me faqet, me buzët, me qafën. Pra ekspozimi për një kohë të gjatë në këto ambiente, mund të sjellë mahisje të të gjitha pjesëve që kanë lëkurë.
A i prishin pushimet këto infeksione?
Ka shumë persona që i shtyjnë në atë gjendje ato ditë, pra i mbarojnë pushimet dhe pastaj shkojnë te mjeku. Prekja e një pjesëtari të familjes nga këto infeksione edhe nëse nuk të detyron që t’i lësh fare pushimet dhe të kthehesh, të prish cilësinë e pushimeve, të prish rehatinë dhe komoditetin e këtyre pushimeve.
A ka masa parandaluese?
Sigurisht që ka.
Çfarë duhet të ketë me vete në çantën e tij një person kur niset për të pushuar?
Mund të marrë një krem që ka në përbërjen e tij një antibiotik të thjeshtë apo një krem me një antiseptik. Në rastin kur individi shikon ndonjë nga ato lezionet që përmenda më lart, në lëkurën e tij, duhet që të përdorë kremin me antibiotik çdo darkë dhe pak betadinë gjatë ditës. Në këtë mënyrë, ky veprim ndihmon që këto lezione të mos përhapen, por në fakt edhe i mjekon ato. Këto janë të vlefshme për lëkurën. Ndërsa për veshin ka disa medikamente specifike, të cilat duhet t’i marrë me vete çdo familje përpara se të udhëtojë për pushime. Këto janë alkooli borik, i cili është shumë i rëndomtë dhe shumë i përhapur, por që në këto raste vlen. Sidomos te veshi i notarit, ne si mjekë e rekomandojmë përdorimin e tij kur pacienti e ndien bllokimin, pra veshi ka filluar të mahiset dhe të enjtet duke penguar dëgjimin. Në këtë moment duhet filluar përdorimi i alkoolit borik, sepse ai mund të bëjë një hapje të veshit. Pastaj sigurisht që duhet të kenë me vete ibuprufen, paracetamol. Shoqërimi i alkoolit borik me këto analgjezikë të përgjithshëm, mund të sjellë një regres të mahisjes, pra një kthim pas të sëmundjes së veshit dhe një përmirësim, pa qenë e nevojshme ndërprerja e pushimeve. Po i përmend edhe një herë. Pra, çdo familje kur niset me pushime duhet të ketë patjetër me vete ujë të oksigjenuar, alkool borik, shurup për fëmijët apo paketa paracetamoli ose ibuprufeni për të rriturit, një krem me antibiotik gentamicinë, neomicinë apo çfarëdo antibiotiku të thjeshtë, betadinë, si edhe garza sterile dhe pambuk steril.
Unë në përgjithësi vuaj nga infeksioni i sinuseve dhe nga dhembja e veshit, sidomos më shumë gjatë periudhës së dimrit. Por edhe në verë herë pas here kam dhembje veshi dhe dhembje hunde nga brenda. Kam bërë grafi dhe nuk kam mish të huaj në hundë. Gjatë dimrit, kur kam pasur shumë sekrecione, kam përdorur antibiotikë sipas këshillave të mjekut ORL. Jam një natyrë edhe pak alergjike.
Unë mendoj se periudhën e sinuzitit me sekrecione zonja e ka kaluar nga mjekimi dhe tani vuan nga një rinit atrofik. Mendoj që zonja tani ka një hundë të thatë, pra të kundërtën e sinuzitit. Ndonjëherë, pas një udhëtimi në vende malore apo me avion, dhe më të shumtën e rasteve pas kalimit të ndonjë viroze, ndodh shpesh që të ndihet dhembje ose dhembje me sëmbim e veshit ose e hundës. Dhe në këto raste kur nuk kemi të bëjmë me një sëmundje të instaluar, ne si mjekë përpiqemi që të japim sa më pak mjekim. Kështu që zonja mund të përdorë edhe thjesht një paracetamol dhe në hyrje të hundës mund të përdorë për lyerje një nga ato kremrat me antibiotikë të thjeshtë, si p.sh. me gentamicinë. kështu që bëhet edhe mjekimi i ndonjë puçrre që mund të jetë aty, por bëhet edhe lubrifikimi i hundës. Pra nëse kemi të bëjmë me dhembje jo shqetësuese, është mirë që të kalohen pa marrë mjekime.
Flas nga një fshat i Shkodrës. Para 3-4 ditësh kam pasur dhembje veshi dhe rrjedhje. Më ka dalë një gjëndërr pas veshit. Shkova te mjekja dhe më ka dhënë një mjekim për veshin. Veshi kullon një lëng të bardhë, i cili vjen pak erë të rëndë. Kam edhe kruarje.
Kjo gjendje që përshkruan zonja është përtej një telefonate, sepse nëse veshi i saj kullon duhet patjetër që ky vesh të ekzaminohet nga mjeku specialist. Me sa tregon zonja, mua më duket si myk në vesh, otomukozë, që kërkon patjetër ekzaminimin nga mjeku specialist ORL dhe vendosjen e një skeme trajtimi. Në qoftë se zonja dëshiron dhe mundet, le të vijë në Tiranë për një ekzaminim të plotë. Zonja tha që mjekja i ka dhënë një mjekim, por meqenëse rrjedhja nga veshi vazhdon, pra gjendja nuk është përmirësuar, atëherë unë mendoj që ai mjekim nuk është i duhuri. Mjekja e familjes duhet patjetër që ta drejtojë zonjën te mjeku specialist ORL. Nga telefonata unë mund të sugjeroj vetëm përdorimin e një alkooli të thjeshtë për të pastruar sekrecionet e veshit dhe ul pak ndjesinë e kruarjes së veshit. Pastaj, nëse vendoset diagnoza e mykut në vesh, atëherë duhet një skemë e plotë trajtimi mjekësor me antimykotikë. Por kjo nuk mund të bëhet me telefonata.
Flas nga Berati. Jam 72 vjeç. Vuaj shumë nga veshët, më kruhen shumë nga brenda dhe më japin shumë dhembje koke. Marr mjekime të tjera për tensionin e gjakut, për tensionin e syve.
Unë i sugjeroj zotërisë, që si ndihmë të parë të marrë në farmaci një krem me pak kortizon, pra një krem me përqendrimin më të ulët të kortizonit. Me këtë krem duhet që t’i masazhojë çdo darkë hyrjet e veshëve me anën e kunjave të pambuktë, me të cilët pastrojmë veshët. Jam e sigurt se pas 3-4 ditëve nga përdorimi i kremit, veshët nuk do t’i kruhen më. Zotëria mund ta përdorë këtë krem 3 ditë për çdo muaj. Në rast se pas disa muajve, nuk do të gjejë qetësi nga përdorimi i këtij kremi, atëherë patjetër duhet që të bëjë një ekzaminim të hollësishëm te mjeku specialist ORL.