Efrosini dhe  Elba janë dy studentete të infermierisë. Deri kur të pajisen me licencën e profesionit, do të qendrojnë në Shqipëri. Më pas do të largohen, dhe vendi që shikojnë më të përshtatshëm për të nisur punën me një pagë dhe kualifikim me të mirë është Gjermania

“Jo, jashtë shtetit. Për diçka më tepër domethënë. Nuk është se Shqipëria nuk t’i jep kushtet, por dua diçka më të mirë për veten dhe paga është gjëja kryesore”- tha Efrosini, studente.

“Për një praktikë profesionale me infermiere gjermane dhe do të shkoj në Gjermani. Përveç rritjes profesionale edhe paga sigurisht, të gjitha bashkë.”- tha Elba, një tjetër studente infermierie.

Në Raportin e fundit të publikuar nga Qendresa Qytetare një organizatë jo fitimprurëse, e cila i referohet të dhënave nga Urdhri i Infermierit vetëm për vitin 2020 dhe 2021, 1687 infermierë kanë kërkuar certifikatën e sjelljes së mirë nga Urdhri i Infermierit, dokument ky që nevojitet për t’u bërë pjesë e sistemit shëndetësor të një vendi tjetër.

Por Borana Jaçaj është një rast tjetër nga Efrosini dhe Elba. Infermierja e ardhshme tregon se masterin do ta bëj jashtë vendit dhe do të kthehet sërish për të gjetur punë, jo në sektorin publik por atë privat.

“Mendoj që do të ketë kushte më të mira, psh në shumë spitale shtetërore mungon higjena, mungon shërbimi ndaj pacientit. Është akoma ajo gjëja banale e vjetër që njerërzit mendojnë që duhet t’u japin lekë stafit, kështu gjëra banale. Në privat jo vetëm që do trajtohemi më mirë, por do kemi dhe kushte më të mira.”

Një tjetër student, Mateo Muçenji  ka dilema. Ai do të qendroj  në Shqipëri, por megjithatë shfaqet i lëkundur në këtë vendim për shkak se nuk është i bindur se sa do të arrijë ketu me profesionin që ka zgjedhur

“Të zotuar, jo 100% ,por me shpresën dhe dëshirën e madhe për të ndenjur këtu. Nëqoftëse të gjithë do përpiqemi të bëjmë diçka do t’ia dalim”.

Edhe pse në një krizë pandemie, plot 614 infermierë shqiptarë zgjodhën të largohen në vitin 2020.Ndërkohë në vitin 2021, numri pothuajse dyfishohet. Në total Shqipëria ka sot 23 866 infermierë të liçensuar.

VITI       U PAJISËN ME DOKUMENT PËR LARGIM
2016         67 infermierë
2017         131 infermierë
2018         211 infermierë
2019         417 infermierë
2020         614 infermierë
2021        1073 infermierë