Reshjet e dendura të shiut, erërat e forta dhe stuhitë që kanë shoqëruar kushtet e pafavorshme atmosferike kanë shkaktuar dëme në disa zona të Bashkisë Tropojë, kryesisht në infrastrukturën rrugore, por edhe në banesa.

Sipas informacionit të përmbledhur nga përgjegjësi i Emergjencave Civile në Bashkinë Tropojë, të përcjellë përmes njoftimit zyrtar të Prefekturës së Kukësit, janë evidentuar rrëshqitje dherash, rënie gurësh dhe inertesh, gërryerje, si dhe dëmtime në disa segmente rrugore.

Në Njësinë Administrative Cërrnicë, në segmentin rrugor poshtë fshatit Cërrnicë, është konstatuar rrëshqitje dheu në pjesën e poshtme të trupit të rrugës, duke shkaktuar deformimin dhe fryrjen e shtratit të saj.

Problematika janë evidentuar edhe në aksin rrugor Bujan–Fierzë, veçanërisht në segmentin që përshkon fshatin Gri, ku rënia e gurëve dhe e materialeve inerte në rrugë ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve.

Ndërkohë, në Njësinë Administrative Bujan, reshjet kanë dëmtuar një segment rrugor në lagjen Vidricë, si dhe rrugën në lagjen Varg. Në fshatin Tetaj është konstatuar gjithashtu rrëshqitje dheu, e cila ka vështirësuar lëvizjen e automjeteve.

Dëme nga stuhia janë raportuar edhe në banesa. Në fshatin Leniq, në Njësinë Administrative Bytyç, banesa e shtetasit Sadri Mehmet Gjedia ka pësuar dëmtime si pasojë e erërave të forta dhe stuhisë gjatë natës.

Po ashtu, në qytetin e Bajram Currit, në lagjen Partizani, banesa e shtetasit Rexhep Muçaj ka pësuar dëmtime në çati. Pasojat materiale kanë prekur edhe banesat e familjeve të tjera që ndodhen në të njëjtën ndërtesë.

Për evidentimin dhe vlerësimin e plotë të dëmeve është ngritur një grup pune, i cili po kryen verifikimet përkatëse në terren.

Sipas raportimit, në disa segmente rrugore janë konstatuar gërryerje të trupit të rrugës dhe rënie gurësh, por ato vijojnë të jenë të kalueshme. Në njësitë e tjera administrative, deri në momentin e raportimit, nuk janë evidentuar problematika të tjera.

Ndërkohë, Bashkia Tropojë do të vijojë evidentimin e dëmeve, ndërsa strukturat përgjegjëse po punojnë për normalizimin dhe stabilizimin e situatës së krijuar nga reshjet e 24 orëve të fundit.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Era këput telat elektrikë, disa fshatra pa drita në veri të vendit! Bie çatia e spitalit në Pukë