Rritja e inflacionit në 3.2% në muajin qershor, për Partinë e Lirisë, është dëshmi e dështimit të politikave ekonomike të qeverisë. Sipas kryetares së Lëvizjes së Gruas, Myrvete Asqeri, qeveria duhet të ndërhyjë me paketa mbështetëse për familjet shqiptare.

Sipas Asqerit, rritja e inflacionit po reflektohet drejtpërdrejt në përkeqësimin e standardit të jetesës së qytetarëve. Ajo tha se familjet shqiptare po përballen çdo ditë me çmime më të larta për produktet bazë, energjinë, transportin dhe qiratë, ndërsa të ardhurat nuk po rriten me të njëjtin ritëm.

"Rritja e çmimeve nuk është thjesht një tregues statistikor. Ajo përkthehet në më pak ushqime në tryezën e familjeve shqiptare, në qira më të shtrenjta, në kosto më të larta për energjinë dhe transportin dhe në një varfërim të mëtejshëm të qytetarëve”, thotë ajo.

Për Partinë e Lirisë, fakti që inflacioni ka kaluar objektivin e Bankës së Shqipërisë duhet të ishte një sinjal alarmi për qeverinë.

"Është domethënëse që inflacioni tashmë ka kaluar edhe objektivin e Bankës së Shqipërisë. Ky zhvillim duhet të ishte një kambanë alarmi për çdo qeveri që vendos në qendër qytetarin. Fatkeqësisht, kjo mazhorancë vazhdon të sillet sikur problemet ekonomike të shqiptarëve nuk ekzistojnë", u shpreh Asqeri.

Partia e Lirisë i kërkon qeverisë të ndërhyjë me masa të menjëhershme për të mbështetur familjet, biznesin e vogël dhe pensionistët, duke adresuar rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe shërbimeve jetike.