Inflacioni i importuar në rënie, ai i brendshëm në rritje

Inflacioni i importuar në rënie, ai i brendshëm në rritje

Foto ilustruese

Presionet e huaja inflacioniste janë ngadalësuar gjatë tremujorit të parë të vitit 2023.

Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesit i Presioneve të Huaja Inflacioniste (TPHI) shënoi një rritje vjetore me 16.3% në tremujorin e parë të këtij viti, në rënie të ndjeshme nga niveli 27.8% në tremujorin e katërt të vitit 2022.

Ky tregues llogaritet si rritja vjetore e indeksit të çmimeve të huaja dhe indeksit së Kursit Nominal Efektiv të këmbimit për muajin përkatës.

Ngadalësimi lidhet kryesisht me ecurinë e çmimeve të huaja, rritja vjetore e të cilave shënoi 25.3% nga 37.4% një tremujor më parë.

Kursi nominal efektiv i këmbimit ka vazhduar të mbiçmohet, por në një shkallë më të ulët. Mbiçmimi në terma vjetorë arriti në 9%, nga niveli 9.7% një tremujor më parë.

Nga analizat e lidhjes të treguesve përkatës me vonesa kohore të ndryshme, Banka e Shqipërisë ka arritur në përfundimin se Treguesi i Presioneve të Huaja Inflacioniste paraprin zhvillimet në komponentin e inflacionit të importuar me rreth tre deri në pesë muaj.

Në fakt, zhvillimet e mësipërme janë materializuar në kontributet në rënie të inflacionit të importuar gjatë tremujorit të parë të vitit 2023, në nivelin 8.7%. Inflacioni i importuar për herë të parë pas një viti, shënoi vlerë njëshifrore, i ndikuar nga tkurrja vjetore e çmimeve të karburanteve dhe nga ngadalësimi i inflacionit të ushqimeve të përpunuara.

Inflacioni i importuar vlerësohet të ketë kontribuuar me rreth 25% apo me rreth 1.6 pikë përqindje më pak se një tremujor më parë në formimin e inflacionit total. Ky zhvillim ka përcaktuar ngadalësimin e inflacionit në ekonominë shqiptare në muajt e parë të këtij viti. Në muajin prill, inflacioni zbriti në 4.6%, niveli më i ulët në më shumë se një vit.

Por, ndërkohë komponenti i brendshëm i inflacionit është zgjeruar në terma mesatarë me rreth 0.2 pikë përqindje. Kjo konfirmon shqetësimet se tashmë rreziqet inflacioniste në të ardhmen e afërt lidhen më shumë me ato që bankat qendrore i quajnë si efekte të raundit të dytë dhe me presionet nga ekonomia e brendshme.

Banka e Shqipërisë konstaton se presionet e brendshme inflacioniste vazhdojnë të ushqehen nga një kërkesë e qëndrueshme dhe treg pune i fortë. Rritja ekonomike rezultoi 4.8% për vitin 2022, e mbështetur nga rritja e shpenzimeve të familjeve, aktiviteti i ndërtimit dhe dinamizmi i sektorit të turizmit.

Të dhënat indirekte sugjerojnë rritjen e kërkesës dhe të prodhimit edhe në fillim të vitit 2023. Kushtet në tregun e punës janë të shtrënguara dhe bizneset vijojnë të hasin vështirësi për gjetjen e fuqisë punëtore.

Vrojtimet e bizneseve sugjerojnë një kërkesë të fortë për punëtorë dhe presione për rritjen e pagave në vijim. Ky zhvillim është pasqyruar në rënien në nivele minimale historike të normës së papunësisë, 10.8% në fund të vitit 2022, si dhe në rritjen e shpejtë të pagave në sektorin privat.

Sipas Bankës së Shqipërisë, qëndrueshmëria e aktivitetit ekonomike dhe kushtet e shtrënguara në tregun e punës krijojnë premisa për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në vijim, por edhe të presioneve të brendshme inflacioniste.

Vrojtimet e Bankës së Shqipërisë pranë bizneseve dëshmojnë për vështirësi në rritje të bizneseve për të siguruar forcën e nevojshme të punës. Pamundësia e tregut për t’iu përgjigjur kërkesës së shtuar për punë, si në aspektin sasior dhe në atë cilësor, po shndërrohet në premisë për rritje të shpejtë të pagave, të kostove të prodhimit dhe të inflacionit./Monitor

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia