Fermerët në Greqi synojnë që brenda kësaj jave të kenë ngritur të paktën 30 pika bllokimi të rrugëve kombëtare dhe nyjeve të tjera të transportit në të gjithë vendin. Në ditën e 6, ata vijojnë protestën e tyre, duke kërkuar nga qeveria dhe autoritetet, ndërhyrje për lëshimin e subvencioneve të BE që janë vonuar, kostot e larta të prodhimit, dhe për dëmet e shkaktuar nga lia e dhenëve.
Për këtë arsye Policia kufitare bën me dije se edhe sot aksi Kakavijë-Janinë, në fshatin Kallpaq do të bllokohet duke filluar nga ora 17:00-20:00 (me orën shqiptare).
Policia kufitare e Kakavijës njofton qytetarët të marrin masa dhe të planifikojnë oraret e udhëtimit. Të vetme automjete që do të lejohen të kalojnë do të jenë vetëm ato që do të kenë emergjenca shëndetësore.
“Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 18:00 deri në orën 21:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.
Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.
Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës”, njoftoi sot policia.
Sot po ngrihen bllokada të reja pranë Aeroportit Maqedonia të Selanikut, ndërsa një bllok tjetër do të formohet në Fthiotida, në Greqinë qëndrore. Dje u bllokuan pikat e kalimit tokësor kufitar me Bullgarinë dhe Turqinë, ndërsa brenda kësaj jave sipas organizatorëve pritet të përmbyllet faza e parë e protestës dhe javën e ardhshme është njoftuar bllokimi i Portit të Volosit, nga toka dhe deti.
Fermerët grekë janë të vendosur të vazhdojnë dhe të intensifikojnë protestat e tyre nëse kërkesat nuk u plotësohen nga qeveria.
Komente










