Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një bashkëbisedim me të rinjtë në Gjirokastër për të folur mbi teknologjinë dhe risitë e saj, si dhe mundësinë për të aplikuar në programin e startup-eve.
Gjatë fjalës së tij, Rama premtoi se qeveria do të rrisë financimin për Startup-et, duke shtuar paralelisht edhe laboratorët smart në shkolla, ku të gjithë të kenë akses që më herët ndaj teknologjisë.
Rama tha gjithashtu se qeveria do të rrisë financimin jo vetëm për startup-et, por edhe për ata nxënës apo studentë që janë ende në shkolla apo universitete dhe kanë pasion për t’u marrë me teknologjinë.
Shefi i Qeverisë tha gjithashtu se bota e teknologjisë është në ndryshim të vazhdueshëm me hapa të shpejta dhe sipas tij, qeveria duhet të jetë në gjendje që të ecë krah për krah këtyre ndryshimeve, duke ofruar edhe mundësi financimi për të mbështetur inovacionin.
“Më vjen shumë mirë që edhe këtu në Bashkinë e Gjirokastrës ka pasur zhvillime pozitive përsa i përket qasjes së të rinjve te inovacioni. Fakti që ishin 2 shkolla të Gjirokastrës që morën çmim në festivalin kombëtar të Inovacionit të organizuar nga Ministria e Arsimit, flet vetë. Por deri dje, apo deri sot në mëngjes, nuk mjafton se çfarë duhet të bëjmë sot deri në darkë. Bota e inovacionit ëshë një botë që ndryshon çdo orë. Asgjë çfarë kemi bërë deri dje, nuk mjafton për atë çfarë duhet të bëjmë sot deri në darkë, në kuptimin për të investuar më shumë energji, forca dhe financa.
Ne kemi pasur një rrugë jo të lehtë në këtë aspekt, por tani shikojmë që janë hapur disa shtigje që po rrihen gjithmonë e më shumë nga të rinjtë. Me programin e start-upp e kemi nisur me vetëm 40 aplikime dhe sot kemi 1500 dhe më shumë aplikime. Kjo natyrisht na ka vënë në pozitën që të ndërhyjmë përsëri për të rritur financimin. Patjetër që duhet të bëjmë një seleksionim përmes mekanizmave që kanë ngritur për këtë punë. Ne jo vetëm duhet të shtojmë financimin për programin tonë të Start-upp, por të gjejmë rrugët për të rritur financimin edhe përsa i përket pikërisht atyre që janë ende në shkollë apo universitet. Pra pa pritur që të mbarojnë shkollën dhe universitetin.
Besoj që do ta fillojmë këtë me festivalin e ardhshëm, ku përveç çmimeve dhe vlerësimeve honorifike të shoqëruara me një kompjuter, do të duhet të gjejmë mënyrën për financimin e atyre prototipave që kanë interes për t’u shtjelluar më tej. Edhe ata që janë pas tyre, nxënësit apo studentët, të fillojnë të mendojnë ndryshe, jo thjeshtë për të fituar një garë mes bashkëmoshatarëve, por për të krijuar një produkt të vlefshëm për tregun. Sepse ajo që ka sjellë teknologjia është përmbysje e gjithë hierarkisë së vlerave”, tha mes të tjerash Rama.
Lajmi kryesor:
Asambleja e PS në Gjirokastër, Rama: Kemi mision historik për anëtarësimin e Shqipërisë në BE! Të mos lejojmë që procesi të merret peng
Komente








