Në një njoftim për shtyp, Ministria e Mbrojtjes sqaron se "inspektimi është një prej tre ispektimeve rutinë që Shqipëria ka detyrimin për t'i pritur, dhe aplikimi i shtetit inspektues është bërë në përputhje me kërkesat e "Dokumentit të Vjenës" dhe po trajtohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm në mënyrë korrekte në respekt të ligjeve të vendit dhe të detyrimeve që burojnë nga Dokumenti i Vjenës".
Një nga 20 fushat e veprimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim të Europës (OSBE) është edhe Armë-Kontrolli. Në bazë të "Dokumentit të Vjenës të vitit 2011", shtetet anëtare (nënshkruese të dokumentit) kanë detyrimin të presin tre vizita inspektimi në vit dhe një vizitë vlerësuese. Në të njëtën kohë ato kanë të drejtën, që në përputhje me parashtrimet e dokumentit të Vjenës, të ushtrojnë tre inspektime dhe një vizitë vlerësuese në vendet anëtare të OSBE.
Edhe Shqipëria nga ana tjetër, si anëtare e OSBE që prej vitit 1991 dhe nëshkruese e "Dokumentit të Vjenës" e ka ushtruar të drejtën e saj duke kryer inspektime dhe vlerësime, e vetme ose në bashkëpunim me shtete të tjera. Inspektimi më i fundit është kryer në Republikën e Malit të Zi javën e kaluar, ndërkohë që më parë gjatë vitit (Mars 2015) me një ekip të përbashkët me Gjermaninë ka kryer inspektim në Serbi.