TIRANE- Ministri i Drejtësisë Nasip Naço theksoi dje në Komisionin e Ligjeve se gjatë inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë në degët e prokurorive në vend kanë konstatuar një sër shkeljes të punonjësve të hetimit. Sipas tij, politika e ndjekur nga ana e prokurorisë përgjatë vitit 2013 ka pasur si qëllim masa të lehta dënimi të cilat kanë çuar në lirimin e shumë personave që konsiderohen të rrezikshëm për shoqërinë.

Rasti më flagrant sipas Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço i cili ishte për raportim në Komisionin e Ligjeve ishte fakti se në 2 raste prokurorët kanë mbajtur një linjë të butë dënimi ndaj personave që kërkoheshin për ekstradim duke i lënë ata në gjendje të lirë ku veç kësaj, të liruarit në masë kanë qenë edhe personat që janë dënuar për arrestuar për armëmbajtje pa leje.

Rekomandimet
Nga kontrolli i ushtruar, Ministra e Drejtësisë paraqit disa rekomandime ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. Në raport është parashikuar që të bëhet një ndryshim i politikës së ndjekur nga prokurorit në çështje të caktuara ku në shumë raste kanë kërkuar dënime minimale. Këtë gjë e bëri me dije edhe Naço në komision i cili theksoi se shumë prokuror kanë vepruar në mënyrë të zbutur ndaj disa shtetasve që kanë kryer vepra të rënda kriminale dhe kanë kërkuar dënime mëse minimale. Ndër veprat penale ku prokurorët kishin kërkuar lirim me detyrim paraqitje ishte kryerja e veprës penale për armëmbajtje pa leje, që sipas legjislacionit shqiptar dënohet nga 7 deri në 15 vjet burg, ndërsa prokurorët i kanë lënë ata me masë detyrim paraqitje.

Lidhur me ashpërsimin e politikës penale, raporti parashikon se: “Aplikim të masave të sigurimit personal të ndryshme nga e ajo e “arrestit në burg”, ndaj personave që kryejnë vepra penale me masë dënimi deri 5 vjet burgim.. Zbatimin e masave alternative të dënimit, të cilat sigurojnë rehabilitimin e personave që kryejnë vepra penale me masë dënimi deri 5 vjet burgim dhe kanë rrezikshmëri të ulët shoqërore. Kërkesa për masën e sigurimit “arrest në burg” për të miturit, që kryejnë vepra penale me masa dënimi deri në 5 vjet burgim, të jetë rast përjashtimor dhe jo i zakonshëm.

Hetime të shpejta, me qëllim shkurtimin e kohës së qëndrimit të të miturve në paraburgim. Aplikimin e masës së sigurimit, si rregull arrest në burg, ndaj personave që kryejnë vepra penale që parashikojnë masë dënimi në minimum mbi 5 vjet burgim, sidomos në veprat penale me pasoja të rënda dhe të pandehurve me rrezikshmëri të madhe shoqërore. Ashpërsim të dënimit për veprat penale që parashikojnë masë dënimi në minimum mbi 5 vjet burg. Ky rekomandim duhet të mbahet në konsideratë sidomos për veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Ashpërsim të dënimit për veprën penale të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.

Shkrimi u publikua sot (23.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)