TIRANE - Ekonomia shqiptare për tremujorin e tretë është rritur me 2.98%, ndërkohë që në dy të mëparshmit norma e zhvillimit ka qenë respektivisht 2.24% dhe 2.96%. Instituti i Statistikave ka publikuar të dhënat për rritjen ekonomike, sipas të ciliave, në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Produktit të Brëndshëm Bruto vlerësohet me një rritje prej 0.94%. Vetëm pak ditë më parë Banka Botërore vlerësoi se ekonomia shqiptare për vitin 2015 do të regjistrojë një normë rritjeje prej 2.7% (parashikimi fillestar i BB ishte për një rritje prej 3%).
 
Sektorët
Sipas INSTAT, kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si Ndërtimi me 1,45 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me 0,53 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me 0,51 pikë përqindje, Pasuritë e paluajtshme me 0,32 pikë përqindje, Tregti Hotele dhe Restorante dhe Transporti me 0,25 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me 0,19 pikë përqindje dhe Industria, Energjia dhe Uji me 0,14 pikë përqindje. Degët që kanë kontribuar negativisht janë Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi me -0,28 pikë përqindje, Shërbimet e tjera me 0,06 pikë përqindje dhe Aktivitetet financiare dhe të Sigurimit me 0,05 pikë përqindje.
 
Ndryshimi vjetor
Aktiviteti Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit në tremujorin e tretë të vitit 2015 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë pati një rënie prej 1,40 %. Grupi i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati rritje me 1,08 % në tremujorin e tretë të vitit 2015 krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2014 ku ndikimin kryesor në këtë rritje e ka dhënë nën grupi Industria Përpunuese e cila në vetvete shënoi një rritje me 7,01 %. Aktiviteti i Ndërtimit në tremujorin e tretë të vitit 2015 pati rritje prej 16,54 % krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2014. Grupi i degëve Tregti, Hotele, Restorante dhe Transport pati një rritje prej 1,52 %.

Redaksia Online
Gre.M/Shqiptarja.com