TIRANE, 15 Dhjetor/ATSH/- Në ndërmarrjet që operojnë në prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve, shifra e afarizmit në vitin 2013 u rrit 6,2 % krahasuar me vitin 2012. Sipas statistikave zyrtare të INSTAT, kontributin më të madh në rritjen e shifrës së afarizmit e japin prodhuesit e shërbimeve me 5,1 %. Me rritje paraqiten edhe treguesit e tjerë si numri i të punësuarve 9,0 %, investimet 9,2 % dhe numri i ndërmarrjeve 1,4 %.
Prodhuesit e shërbimeve realizuan 65,3 % të shifrës së afarizmit dhe zënë 85,3 % të numrit të ndërmarrjeve. Prodhuesit e të mirave kanë 37,8 % të të punësuarve dhe realizuan 56,9 % të investimeve.
Gjatë vitit 2013, ndërmarrjet aktive në sektorin e tregtisë realizuan 48,7 % të shifrës së afarizmit gjithsej dhe zënë 43,3 % të numrit të ndërmarrjeve gjithsej. Ky sektor ka përfaqësimin më të lartë në punësim
me 26,0 % të të punësuarve gjithsej. Sektori i industrisë nxjerrëse ka realizuar 17,6 % të investimeve gjithsej. Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar dominojnë ekonominë shqiptare. Këto ndërmarrje realizuan 60,1 % të shifrës së afarizmit. Ky grup ndërmarrjesh ka 48,5 % të të punësuarve gjithsej të aktiviteteve ekonomike të mbuluara nga kjo anketë dhe ka realizuar 66,9 % të investimeve. Në grupin e ndërmarrjeve me 50 e më shumë të punësuar mbizotërojnë prodhuesit e të mirave për numrin e ndërmarrjeve aktive, numrin e të punësuarve dhe investimeve të realizuara. Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar përbëjnë 89,4 % të ndërmarrjeve. Ky grup ndërmarrjesh ka realizuar 15,8 % të shifrës së afarizmit dhe ka 34,5 % të të punësuarve gjithsej. Në ndërmarrjet e vogla me 1-4 të punësar mbizotërojnë prodhuesit e shërbimeve për numrin e ndërmarrjeve aktive, numrin e të punësuarve dhe shifrën e afarizmit të realizuar.
Gjatë vitit 2013, në prodhuesit e të mirave, ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar kanë realizuar 77,1 % të shifrës së afarizmit. Ky tregues është rritur 4,6 % krahasuar me vitin 2012. Numri i të punësuarve në këtë grup përbën 69,8 % të numrit gjithsej të të punësuarve në prodhuesit e të mirave, ndërsa investimet arritën vlerën 62 miliardë lekë dhe përbëjnë 67,1 % të investimeve. Për vitin 2013, numri i ndërmarrjeve është ulur 0,6 % krahasuar me vitin 2012.
Shifra e afarizmit për të punësuar është ulur 2,2 % krahasuar me vitin 2012. Në sektorin e industrisë shifra e afarizmit për të punësuar është ulur 3,4 %, ndërsa në sektorin e ndërtimit ky tregues u rrit 1,8 %.
Në prodhuesit e shërbimeve, shifra e afarizmit është rritur 8,0 % krahasuar me vitin 2012. Numri i të punësuarve u rrit 11,4 %, ndërsa investimet e realizuara u rritën 0,1 %. Numri i ndërmarrjeve aktive në
prodhuesit e shërbimeve është rritur 1,2 %. Kontributin më të madh në shifrën e afarizmit e jep sektori i tregtisë me 7,4 %.
Gjatë vitit 2013, ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar kanë realizuar 51,1 % të shifrës së afarizmit. Ky tregues është ulur 2,0 % krahasuar me vitin 2012. Numri i të punësuarve në këtë grup përbën 35,5 % të numrit gjithsej të të punësuarve në prodhuesit e shërbimeve, ndërsa investimet arritën vlerën 47 miliardë lekë dhe përbëjnë 66,7 % të investimeve./a.gjonaj/ /a.g/