660 kilogramë mallra të padeklaruara, kryesisht veshje me etiketa të markave të njohura ndërkombëtare, janë zbuluar nga Dogana Shqiptare në bashkëpunim me Degën Doganore Tiranë gjatë kontrollit të një mjeti transporti të ardhur nga Turqia.
Gjatë kontrollit fizik u konstatuan 660 kilogramë mallra të padeklaruara, mes tyre artikuj veshmbathjeje me etiketa të markave BOSS, Moncler, Loro Piana dhe Polo Ralph Lauren.
Pas konstatimit të shkeljes, autoritetet doganore sekuestruan mallrat dhe vendosën një gjobë administrative në masën gjashtëfish të detyrimit doganor të papaguar.
Sipas Doganës Shqiptare, kontrollet synojnë parandalimin e kontrabandës, shmangien e detyrimeve doganore dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.
Njoftimi i plotë
"Në kuadër të kontrolleve të vazhdueshme për parandalimin dhe goditjen e kontrabandës, si dhe të shmangies së detyrimeve doganore, strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, nëpërmjet Sektorit të Monitorimit dhe strukturave të Mbrojtjes së të Drejtave të Pronësisë Intelektuale (IPR), në bashkëpunim me Degën Doganore Tiranë, kanë realizuar një operacion kontrolli të orientuar mbi bazën e analizës së riskut lokal.
Mbështetur në informacionin e siguruar, është përzgjedhur për kontroll një mjet transporti me ngarkesë grupazhi të ardhur nga Turqia. Nga kontrolli fizik u konstatuan 660 kg mallra të padeklaruara, kryesisht artikuj veshmbathjeje me etiketa të markave të njohura tregtare, si BOSS, Moncler, Loro Piana, Polo Ralph Lauren, etj.
Në vijim të konstatimit të shkeljes, autoritetet doganore ndërmorën veprimet përkatëse ligjore dhe administrative, duke proceduar me sekuestrimin e mallrave dhe vendosjen e sanksionit administrativ me penalitet në masën gjashtëfish të detyrimit doganor të papaguar, në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi.
Administrata Doganore mbetet e angazhuar në parandalimin dhe goditjen e kontrabandës, mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, forcimin e kontrolleve doganore dhe mbrojtjen e interesave financiare të shtetit, duke kontribuar në garantimin e konkurrencës së ndershme dhe respektimin e detyrimeve ligjore"









Komente
Komento