Në tremujorin e parë të vitit 2017, indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit 5.1% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2016 dhe 1.8% në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2016, njoftoi dje INSTAT.

Rritjen më të lartë në nivel vjetor e kanë shënuar çmimet e prodhimit në seksionin “industri nxjerrëse” me 24.3%. Brenda kësaj industrie, vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në nxjerrjen e naftës bruto dhe gazit natyror me 37.3%.

Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, çmimet e prodhimit në aktivitetet e industrisë përpunuese kanë shënuar rritje me 2.6%. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetin e metalurgjisë me 13.6%, të produkteve të duhanit me 6.3% dhe prodhimi i produkteve kimike me 3.8%.

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2016, çmimet e prodhimit të produkteve vendase shënuan rritje me 2.8%.

Çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar rritje me 10.6% krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Çmimet e prodhimit në seksionin ”industri nxjerrëse” shënuan rritje me 10.3%, krahasuar me tremujorin e katërt 2016. Rritjen më të lartë e shënuan çmimet e prodhimit në aktivitetin “nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 15.3%.

Çmimet e prodhimit në seksionin “industria përpunuese” kanë shënuar rritje me 1.3%, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Brenda kësaj industrie vihet re rritje e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetet: metalurgji me 3.5%, konfeksionimi i veshjeve me 0.6%, prodhimi i produkteve ushqimore me 0.3%.

Indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase ka shënuar një rritje me 2.3% krahasuar me tremujorin e katërt 2016. Vlen të përmendet rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në seksionet; “industri nxjerrëse” me 4.7% dhe “industri përpunuese” me 0.8%. 

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com