TIRANE, 13 Tetor /ATSH-E,Xhajanka/- Institucionet financiare jobankare kanë zgjeruar aktivitetin e tyre gjate ketij viti , duke u mbështetur në zgjerimin e aktivitetit kreditues.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipëisë, rezultati financiar është pozitiv dhe kapitalizimi i kënaqshëm. Megjithatë, cilësia e aktiveve për këto institucione vijon të shënojë rënie.
Shoqëritë e kursim-kreditit kanë ngushtuar humbjen financiare dhe kanë zgjeruar ndjeshëm nivelin e kapitalizimit. Shoqëritë e sigurimit paraqitën zgjerim të aktivitetit si rezultat i rritjes së numrit të kontratave të lidhura dhe zgjerimit të primeve të shkruara bruto.
Sipas BSH-së, ecuri pozitive paraqesin edhe tregjet e pensioneve private suplementare dhe të fondit të investimeve, për të cilat u evidentua rritje e nivelit të aktiveve.Aktiviteti i institucioneve financiare jobanka shënoi rritje me 6.6% nga viti në vit. Totali i aktiveve në fund të tremujorit të dytë të vitit, rezultoi 36.6 miliardë lekë, në përmirësim vjetor me rreth 2.3 miliardë lekë. Në terma vjetorë, aktiviteti kreditues u rrit me 0.94% në nivelin 19.7 miliardë lekë, ndërsa niveli i kapitalizimit u përmirësua me 4.8 p.p në nivelin 44.6%.
Ekspertët bankar vërejnë se, rreziku i kredisë mbetet rreziku kryesor në aktivitetin e institucioneve financiare jobanka. Raporti "kredi me probleme/total i huasë" shënoi vlerën 15%, nga 13.2% në fund të vitit 2013. Gjithsesi, rezultati financiar shënoi një fitim neto prej 0.6 miliardë lekësh, për shkak të uljes së shpenzimeve të veprimtarisë.
Veprimtaria e shoqërive të kursim-kreditit u karakterizua nga zgjerim i lehtë i aktiveve. Treguesi i cilësisë së portofolit kreditues vijon të përkeqësohet në nivelin 13%, nga 11% në një vit më parë, ndërsa raporti i mbulimit "Provigjone ndaj kredi me probleme" shënon vlerën 67%. Pas procesit të fshirjes së kredive të këqija, shpenzimet për provigjione janë ulur, duke ngushtuar rezultatin financiar negativ. Në fund të qershorit 2014, Banka e Shqipërisë numëron 12 shoqëri sigurimi të licencuara. Në fund të muajit mars 2014, aktivet e shoqërive të sigurimit u vlerësuan në nivelin 22.8 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 6.4%./a.g/










