TIRANË-Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Ilir Melo, pati një takim me Presidentin e Pakicave Kombëtare në Republikën e Kroacisë, Aleksandar Tolnauer, ku u diskutua mbi integrimin e pakicës shqiptare në jetën publike, ekonomike dhe sociale të vendit, si dhe zbatimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të tyre, bazuar në legjislacionin vendas.
Duke vlerësuar rolin e këtij Këshilli dhe vetë Presidentit Tolnauer në drejtim të promovimit të vlerave mbarëkombëtare, kulturës dhe arsimit, ambasadori Melo nënvizoi se duhet punuar së bashku në drejtim të rritjes së efektivitetit të projekteve, gjithëpërfshirjes, transparencës, etj.
Bashkëbiseduesit theksuan se përveç arsimit dhe kulturës, me interes do të jenë edhe puna për rritjen e vizibilitetit të aktiviteteve që kanë në fokus pakicën shqiptare, duke veçuar gjeneratën e re, si dhe në drejtim të gjithëpërfshirjes së kësaj pakice në jetën administrative dhe publike të vendit. /ATSH/