Një program financimi prej 250 milionë eurosh për përgatitjen e biznesit për në tregun europian do të hyjë në zbatim që këtë vjeshtë.
Kryeministri Rama tha se bizneset gjenden para ndryshimit të pandalshëm, integrimit europian dhe transformimi është sfidues. Por, ai nënvizoi se sipërmarrjet do të kenë pranë tyre qeverinë me mbështetje nga ekspertë dhe programet e dedikuara.
“Për t’iu gjendur pranë bizneseve në përballje me të ardhmen që po vjen me shpejtësi dhe në mënyrë të pandalshme që është integrimi në BE, jemi angazhuar me këtë program kombëtar që do ta mbështesim me ekspertizën e UNDP që do të angazhojë ekspertë të mirëinformuar dhe të mirëpërgatitur për të asistuar sipërmarrjen shqiptare. Na duhet të rrisim mbështetjen për sipërmarrjen sepse ky është sistemi i sipërmarrjes, zhvillimit ekonomik e social, ku pa sipërmarësin ka vetëm iluzione dhe humnera pas tyre. Duam që sipërmarrja e vogël dhe e mesme të ketë sot shansin që nëse ka kapacitetin e kurajës së mjaftueshme, e idesë së qartë për të nesërmen dhe vullnetit të domosdoshëm, të ketë mbështetjen tonë. Ajo do të materializohet me hapjen në ditët e ardhshme me programin “Dyfisho biznesin tënd”, në mbështetje të atyre që duan të ngjiten më lart”, tha Rama.
Mbështetja do të jetë e vlefshme për disa kategori biznesesh. Rama tha se synimi i qeverisë është që sa më shumë bizneseve t’u jepen element për të përballuar rreziqet që sjell transformimi.
“Ministria e Ekonomisë do të përgatisë një uebsajt të dedikuar për gjithë këtë program dhe për të mbajtur të informuara të gjitha sipërmarrjet”, u shpreh Rama.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se do të vendoset në dispozicion një fond prej 250 milionë eurosh që bizneset të mund të marrin kredi.
Ajo shtoi se programi synon përgatitjen e bizneseve për tregun, një objektiv që synon rreth 48 mijë ndërmarrje. Programi, i cili do të mbështetet në 4 shtylla, nga muaji tetor nis me trokitjen derë më derë të bizneseve të cilat do të informohen lidhur me gjithçka nevojitet për të kaluar në tregun europian.
“Ai krijon mekanizma që bizneset shqiptare të jenë të informuara, të trajnuara, të përgatitura për të përmbushur standardet europiane. Objektivi ynë është të arrijmë 48 mijë ndërmarrje, të krijojmë rrjet ekspertësh, të ndërtojmë një platformë unike dixhitale për biznesin që do të përmbajë të gjitha programet e trajnimit dhe certifikimit. Programi mbështetet në 4 shtylla, vlerësimin e gatishmërisë së biznesit, informimin dhe ndërgjegjësimin. Nga muaji tetor duam të fillojmë një proces ku duam të trokasim në dyert e bizneseve me qëllim informimin. Shtylla e tretë lidhet me nevojat dhe aftësitë e biznesit shqiptar, edhe në nivelin e menaxhimit që duhet të ketë në rrugëtimin drejt integrimit. Shtylla e fundit lidhet me konkurrueshmërinë e biznesit. Duhet të hartojmë programe për mbështetjen e biznesit, automatizimin e proceseve, certifikimet apo transformimin dixhital dhe të gjelbër”, tha Ibrahimaj.
Lajm në përditësim...
Komente










