Integrimi europian, Xhaçka: Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet, radhën e ka BE të hapë Konferencën Ndërqeveritare! Zgjedhjet në 25 prill do jenë prova e fundit (VIDEO)

Gjatë seancës plenare, Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka u shpreh se tashmë Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për integrimin europian dhe se tashmë është radha e BE-së që të hapë Konferencën e Parë Ndërqeveritare.

Ajo tha se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do jenë dhe prova e fundit për të hapur rrugën drejt integrimit.

Procesi i integrimit, pavarësisht vështirësive e pengesave, ka fituar një momentum, një përshpejtim të ndjeshëm që e ka sjellë Shqipërinë shumë pranë fillimit të negociatave konkrete të anëtarësimit, kapitull më kapitull. Është bërë një punë vërtet e madhe për të plotësuar të 15 pikat që u kërkuan nga BE. Një punë që ka kërkuar angazhimin dhe përpjekjen e shumë sektorëve të shoqërisë e qeverisjes. Dhe padyshim, që sot, një përgëzim e meriton edhe Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian, së pari, për presionin pozitiv që ka ushtruar gjatë të gjithë procesit, e së dyti, për faktin që ka luajtur një rol shumë domethënës për ta bërë procesin gjithëpërfshirës. Ajo që duhet thënë pa asnjë hezitim sot, është që Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë. I ka plotësuar të gjithë kushtet që ishin vënë dhe sot meriton një datë për konferencën e parë ndërqeveritare. Është koha që BE të mbajë premtimin që i ka bërë Shqipërisë. Lajmi i mirë është që tashmë këtë nuk e them vetëm unë, s’e thotë vetëm Shqipëria, por edhe vetë përfaqësuesit e BE dhe përfaqësuesit e vendeve anëtarë. Ajo që më bën optimiste që gjatë këtij viti nuk do të përsëritet më historia e zvarritjeve njëherë me 5 kushte e pastaj me 15, është fakti që mesa duket, brenda vetë BE, ka një ndërgjegjësim që refuzimi ose shtyrja për herë të disatë i mbledhjes ndërqeveritare, në një kohë kur qartazi Shqipëria i ka plotësuar të 15 kushtet, do të rrezikonte seriozisht vetë kredibilitetin e BE.

Është ky mesazhi që më kanë përcjellë fare hapur ministrat e jashtëm apo ambasadorët e shumë prej vendeve anëtare me të cilët kam biseduar, por edhe Ministri i Jashtëm i Portugalisë, vend që siç e dini ka aktualisht presidencën e Këshillit të BE.Dhe s’ka si të jetë ndryshe, në momentin që çdo vlerësim objektiv teknik i punës që ka bërë Shqipëria arrin në të njëjtin konkluzion: Shqipëria ka bërë gjithçka i ishte kërkuar. Rradhën e ka BE. Por sigurisht, ka edhe një moment të fundit që duhet kapërcyer me sukses në këtë rrugë drejt konferencës së parë ndërqeveritare: zgjedhjet e 25 prillit. Zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, të qeta e të gjithëpranuara është çelësi që do të hapë derën e integrimit. Dhe kjo është një çështje që kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve politikë, pasi jemi të gjithë dëshmitarë të sjelljeve shpesh aspak demokratike gjatë viteve të fundit, ku shpesh axhendat e ngushta politike, të nxitura herë nga lufta për pushtet e herë nga frika nga reforma në drejtësi, janë vënë përpara interesave të vendit. Është e vërtetë që ne si mazhorancë kemi përgjegjësitë tona. Por është po aq e vërtetë që deri sot që flasim i kemi trajtuar këto përgjegjësi me seriozitetin maksimal. Asnjëherë më parë, një mazhorancë nuk ka bërë kaq shumë sa kemi bërë ne, për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. 

Dhe më vjen mirë, që këtë tashmë nuk e themi vetëm ne, por edhe institucione shumë prestigjioze e të specializuara. Për të dhënë një shembull, Kodi i ri Zgjedhor dhe hapja e listave, ishte në vlerësimin e “EconomistIntelligence Unit”një nga elementët më të rëndësishëm që shpjegojnë përse në Indeksin e Demokracisë, Shqipëria nuk klasifikohet më si regjim hibrid, por është ngjitur tani në stadin e një demokracie me të meta. Vetëm pak ditë më parë, unë mora një kopje të Raportit Paraprak të OSBE ODHIR për zgjedhjet e 25 prillit. Dhe më vjen mirë, që kemi ndoshta raportin më të mirë, që është hartuar ndonjëherë nga OSBE ODHIR për një palë zgjedhje në Shqipëri. Një raport, që njeh ndryshimet e mëdha që u bënë me konsensus politik mes palëve, duke ndryshuar strukturën e KQZ, procedurat e identifikimit të votuesve, duke futur identifikimin elektronik, rregullat e nominimit të kandidatëve, rregullat e rrepta për kontrollin e financave të fushatës, shmangjen e abuzimeve me pushtetin për qëllime të zgjedhjeve, etj, etj. Dhe jo vetëm kaq, nuk është puna vetëm tek ndryshimet në letër, por edhe tek zbatimi i tyre në terren, ku vëmendje të veçantë merr puna e KQZ, e cila siç thotë raporti, ka zhvilluar diskutime gjithëpërfshirëse me palët mbi aspekte të ndryshme të zgjedhjeve. Janë të gjithë këto elementë që na bëjnë ta pres me optimizëm mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare brenda presidencës portugeze. Por s’mund ta mohoj që kam edhe një shqetësim lidhur me zgjedhjet.


Lajmi kryesor:

Kuvendi shtyn afatin e komisionit për raportin e Dick Marty-t, mjetet e identifikimit të personave mbi 75-vjeç bëhen të përjetshme


E.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën