AUSTRI- Austria ka rikonfirmuar mbështetjen ndaj Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE në qershor. Gjatë vizitës së punës në Austri, ministrja e Integrimit Europian Klajda Gjosha, takoi Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme austriake për Çështjet Europiane dhe Ndërkombëtare, Michael Linhart.
 
Në emër të qeverisë shqiptare, ministrja Gjosha shprehu mirënjohjen për palën austriake si një nga iniciatorët e vendeve që dërguan në Këshillin e Ministrave të BE-së, letrën ku kërkuan dhënien e statusit për Shqipërinë në dhjetori të 2013.
 
“Mbështetja juaj është mjaft e rëndësishme dhe ne e vlerësojmë shumë iniciativën që ju morët në muajin dhjetor. Shqipëria aktualisht ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm dhe ka nevojë për një gjykim sa më të drejtë nga vendet anëtare”, tha Gjosha.
 
Duke shprehur besimin për marrjen e një vendimi pozitiv në qershor, ministrja Gjosha tha se “Statusi i vendit kandidat do i jepte shtysë reformave dhe do të nxiste qeverinë dhe shoqërinë shqiptare për të punuar më shumë për progresin e vendit”.
 
Ndërsa Linhart në fjalën e tij inkurajoi qeverinë shqiptare, për vazhdimësinë e reformave duke vlerësuar arritjet që vendi ka bërë deri tani.
 
”Mbështesim Shqipërinë dhe shpresojmë të ta marrë statusin e vendit kandidat këtë qershor. Komisioni ka parë progresin tuaj dhe ne mendojmë që është bërë një punë e mirë deri tani. Jemi të gatshëm t’ju ofrojmë ndihmën tonë në aspekte teknike të procesit. Ju inkurajojmë të vazhdoni me reformat”, tha Linhart.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)