TIRANË - Ministria e Integrimit Evropian, organizoi sot retreat mbi mbarëvajtjen e punës për 300 ditët në vijim.
Në këtë aktivitet morën pjesë Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, zv. ministri, Gentjan Elezi, dhe pjesa tjetër e stafit.
Përgjatë retreatit u diskutua në rang drejtorish plani i ardhshëm i Ministrisë së Integrimit Evropian për 300 ditët në vijim.
Ministrja Gjosha u ndal tek angazhimi maksimal që duhet për reformat e nevojshme, të cilat duhen ndërmarrë për përmbushjen e 5 prioriteteve. Ajo kërkoi përgjegjshmëri dhe përkushtim nga stafi si dhe bashkëpunim me ministritë e linjës, shoqërinë civile dhe institucionet e tjera të pavarura.
"Ngritja e grupeve të punës për 5 prioritetet tek të gjitha ministritë, trajnimi i stafit dhe parapërgatitja e tyre në grupe funksionale është domosdoshmëri për të përballuar hapjen e negociatave", u shpreh ministrja Gjosha. Ministrja vijoi fjalën e saj duke theksuar rëndësinë e zbatimit të planit për 300 ditët në vijim dhe respektimin e afateve të kërkuara.
Ministria e Integrimit Evropian organizon retreat mbi mbarëvajtjen e punës
Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, e konsideroi këtë plan thelbësor për mbarëvajtjen e punës në Ministrinë e Integrimit Evropian.
"Ndjekja me përpikmëri e këtij plani të hartuar, i shërben jo vetëm mirëfunksionimit brenda institucionit, por është kyç për vijimësinë drejt procesit të integrimit evropian." theksoi ministrja Gjosha.
Gjatë këtij takimi drejtuesit e lartë të Ministrisë së Integrimit Evropian bënë një përmbledhje të punës së tyre dhe detyrave të cilat i presin përgjatë 300-ditëshit të ardhshëm. /ATSH/