Shqipëria është gati të vulosë mbylljen e 5 kapitujve të tjerë brenda fundit të vitit. Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, i ftuar në Report Tv konfirmon se Shqipëria ka dorëzuar pozicionet negociuese për pesë kapituj dhe pret vlerësimin e Komisionit Europian, përpara se vendet anëtare të vendosin për mbylljen e tyre.
Në një intervistë për Report Tv, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha tha se shpreson që deri në fund të vitit të mbyllen pesë ose gjashtë kapituj dhe se pret që hartimi i Traktatit të Anëtarësimit të nisë në pranverën e vitit 2027.
Pyetje: Në udhërrëfyes parashikohet mbyllja e gjashtë kapitujve deri në fund të vitit. Në çfarë faze jemi?
Ferit Hoxha: Jemi në fazën që kemi planifikuar. Ekipi negociator ka dorëzuar pozicionet tona negociuese për pesë kapituj. Do të shohim nëse do të mbyllen pesë apo gjashtë. Do të bëhen vlerësimet dhe do të zhvillohen mbledhjet në COELA dhe COREPER. Shpresoj që pesë ose gjashtë kapituj të mbyllen brenda vitit. Ne e kemi bërë punën tonë. Tani është në dorën e Komisionit Europian dhe, pas diskutimeve, vendet anëtare, së bashku me presidencën, do të japin verdiktin përfundimtar.
Pyetje: Komisioni rekomandon që Këshilli të nisë vitin e ardhshëm hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Shqipërisë. Duke qenë se vendimi u takon vendeve anëtare, mendoni se kjo do të realizohet lehtësisht?
Ferit Hoxha: E njëjta gjë ndodhi me Malin e Zi. Pasi mbylli rreth 12 kapituj, Këshilli vendosi të krijonte një grup ad hoc për hartimin e projekttraktatit. Pres të njëjtën gjë për Shqipërinë. Pasi të kemi arritur një masë kritike në mbylljen e kapitujve, pres që Këshilli të vendosë nisjen e procesit të hartimit të projekttraktatit. Më 14 tetor 2024 nuk kishim asnjë kapitull të hapur. Në pranverën e ardhshme do të nisë hartimi i traktatit. Është një rrugëtim i mrekullueshëm, plot shpresë, dhe baza mbi të cilën do të vijojmë.
Lajmi kryesor:
LIVE TV -Nga samiti i NATO-s te buxheti për diplomacinë e rruga drejt BE-së, ministri Ferit Hoxha intervistë në Report Tv






