Integrimi i vendit, Gjosha: Arrihet
duke përfshirë çdo komunitet në vend

Integrimi i vendit, Gjosha: Arrihet<br />duke përfshirë çdo komunitet në vend
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha mori pjesë në aktivitetin ndërkombëtar “Integrimi i Komunitetit Rom dhe Forcimi i Bashkëpunimit midis  Vendeve në Rajon” ku ka thënë se integrimi i vendit në bashkimin Europian duhet të mbështetet dhe përfshirë të gjitha komunitetet në vend.
 
Gjosha, gjatë bashkëbisedimit me ta theksoi se ka një rëndësi madhore që shoqëria shqiptare të integrohet në Bashkimin Europian, e plotë dhe pa ndasi sociale.

Ne nuk mund të integrojmë Shqipërinë në BE përgjysmë, nuk mund ta bëjmë këtë vetëm më reforma të mëdha,  por mund të arrijmë duke u mbështetur fort tek të gjithë komunitetet që jetojnë në vend si pjesë e pandashme e shoqërisë”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja bëri me dije se për pak javë pritet publikimi i raportit për Shqipërinë nga Komisioni Europian, në të cilin është  nënvizuar dhe më herët  domosdoshmëria e mbështetjes  dhe integrimit social të komunitetit rom.

Ky është një prej kushteve kryesore që Shqipëria duhet të plotësojë në kuadër të përmbushjes së  5 prioriteteve që vendit i janë lënë për të ecur përpara me procesin e  integrimit”, tha ministrja Gjosha

Ministrja  u shpreh se gjatë këtyre viteve,  është bërë jo pak punë për prioritetin nr. 5 që ka të bëjë me të drejtat e njeriut,  veçanërisht sa i përket edukimit të komunitetit rom,  i cili mbetet   çelësi  dhe  investimi më i mirë që një shtet mund të bëjë për të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve të këtij komuniteti.

"Integrimi, lufta kundër diskriminimit, mundësitë e barabarta, përmirësimi i statusit ekonomik i komunitetit rom e bëjnë Shqipërinë një vend më europian",  theksoi Gjosha

Ministrja Gjosha listoi disa nga masat e marra nga qeveria shqiptare duke theksuar se  Ministria e Integrimit Europian po koordinon punën që gjithçka është parashikuar në udhërrëfyesin për 5 prioritetet dhe ka lidhje te drejtpërdrejtë me komunitetin rom, të realizohet në kohë.

Kjo, jo vetëm si mbështetje për këtë komunitet, por edhe si një domosdoshmëri për të përshpejtuar rrugën tonë drejt Bashkimit Europian”, u shpreh Gjosha.

Ministrja theksoi se pavarësisht të gjitha këtyre masave, të cilat duhen inkurajuar më tej, mbetet ende për të bërë në mënyrë që përfshirja sociale e komunitetit rom të jetë në nivelin e kërkuar.  

“Do të theksoja se është shumë e rëndësishme që zgjidhjet në mbështetje të romëve të mos jenë afatshkurtra, por të mirëmenduara. Roli i shoqërisë civile dhe gjithë aktorëve të tjerë, në këtë aspekt është thelbësor”, tha ministrja.

Gjatë fjalës së saj Ministrja e Integrimit falenderoi Bashkimin Europian, për mbështetjen e përhershme që ka dhënë, në zbatimin e politikave efektive për të përmirësuar kushtet e jetesës të këtij komuniteti.

Besoj fort, se vullneti dhe angazhimi i kësaj qeverie është maksimal për të mbështetur komunitetin rom si dhe për të  bërë të mundur që  fëmijët e këtij komuniteti të rriten njësoj si gjithë të tjerët, të punësohen si të tjerët, pa asnjë paragjykim”, u shpreh ministrja Gjosha.
 
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin zv. Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, Avokati i Popullit, Igli Totozani dhe përfaqësues të komuniteti rom nga vendi dhe rajoni.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Kumbullat e thata, vetitë e forta për rigjenerimin e kockave

Kumbullat e thata, vetitë e forta për rigjenerimin e kockave