Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla tha se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është objektivi rreth të cilit vërtiten veprimi politik, institucional dhe shoqëror i çdo dite.

Ndër të tjera Balla tha se roli i opozitës është i pazëvendësueshëm ashtu si dhe i Kuvendit në tërësi si dhe bëri thirrje për rritje të diplomacisë parlamentare

“Jemi përpara një momenti që kërkon qartësi politike, vetëdije historike dhe përgjegjësi institucionale. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është objektivi ynë strategjik madhor. Është objektivi që prin agjendën tonë të reformave, të ekonomisë e shoqërisë. Nuk është një aspiratë e përgjithshme e as një slogan për t’u përsëritur në raste të tilla, por ky është ai bosht rreth të cilit duhet të rrotullohet veprimi ynë politik e institucional.

Shqipëria ndodhet sot në një fazë të re, më dinamike dhe të matshme. Kemi kaluar nga faza e aspiratës në atë të veprimit, nga premtimet në rezultate. Shqipëria ka arritur që brenda 13 muajve të hapë 6 grupkapitujt negociues. Ritëm historik. Vendi ynë nuk po ecën me hapin e dëshirës, por të realizimit.

Përparimi nuk ka ardhur rastësisht, është rezultat i vullnetit, disiplinës dhe një koordinimi mes qeverisë, Kuvendit, pushtetit vendor, institucioneve dhe shoqërisë civile. Mendoj që Kuvendi ka rolin më të rëndësishëm. Procesi i anëtarësimit është një proces kombëtar ku Kuvendi ka rolin e pazëvendësueshëm. Këtu zhvillohet debati demokratik, ku do doja që gjuha e sotme të ishte gjuhë e përditshme.

Gjatë viteve 2025-2026, Shqipëria miratoi të paktën 222 akte ligjore në funksion të integrimit. Kemi trefishuar ritmin e harmonizimit ligjor me atë institucional. Duhet ta dyfishojmë në muajt në vijim. Roli i opozitës është i pazëvendësueshëm. BE nuk ndërtohet me negociata teknike, por me parlament të fortë. Duhet të thellojmë bashkëpunimin, të rrisim diplomacinë parlamentare”, tha ndër të tjera Balla.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Kuvendi në seancë maratonë për integrimin! PD: Bllokuat procesin me mbrojtjen për Ballukun! PS: Anëtarësimi brenda 2030, objektiv i arritshëm