Integrimi në BE, Rama për 'France 24': Po na bllokon Bullgaria! Lufta ndaj korrupsionit në një tjetër nivel! Sot beteja me teoritë konspirative më e vështirë se sigurimi i vaksinave

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një intervistë me median franceze “Francë 24”, ku ka folur për një sërë çështjesh, duke nisur nga integrimi në BE, lufta ndaj korrupsionit dhe vështirësia e gjetjes së vaksinave anti-COVID.

Ndalur te Integrimi, Rama tha me bindje se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për çeljen e negociatave, por procesi po minohet nga veto e vendosur prej Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. Ndalur te korrupsioni, duke sjellë rastin e dënimit të ish-kryeprokurorit, Adriatik Lllala, kreu i qeverisë tha se ky është një nga shumë treguesit që ndihmojnë për të kuptuar se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri ka arritur në një tjetër nivel.

Sa i përket vaksinimit, përtej kritikave për BE-në, Rama tha se vendi ynë tashmë nuk është në luftë për sigurimin e dozave, por ka një betejë të ashpër me teoritë konspirative dhe me absurditetet e internetit, të cilën e cilëson shumë të vështirë.

Intervista e plotë
Gazetarja: Në këtë javë të Forumit të Paqes në Paris, ku liderët botërorë dialogojnë rreth zgjidhjeve për një të ardhme shumëpalëshe më paqësore, ne kemi ftuar në këtë emission një kryeministër nga Ballkani, Edi Rama, i cili drejton Shqipërinë, një vend me 2 milionë e tetëqind mijë banorë , i cili pret me padurim hapjen reale të bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Mirëdita Edi Rama, në lidhje të drejtpërdrejtë nga Tirana.

Rama: Mirëdita.

Gazetarja: Fillimisht, ju keni qenë basketbollist, më pas artist në Paris, ku keni studiuar për Artet e Bukura dhe ku keni zgjedhur të jetoni, derisa ju kapi virusi i politikës.

Në vitin 1998, u kthyet në vendin tuaj me një portofol ministror, në 2000 bëheni kryetar i kryeqytetit Tiranë, jeni anëtar i Partisë Socialiste. Në listën e Aleancës për Shqipërinë Evropiane, ju fituat zgjedhjet legjislative në vitin 2013, ndaj keni drejtuar qeverinë shqiptare për tetë vjet në një klimë ende shumë të tensionuar politike.

Kandidatura e vendit tuaj u pranua në vitin 2014 nga Bashkimi Evropian dhe kjo dosje mbetet një nga prioritetet tuaja. Pra, ju jeni në të njëjtin nivel integrimi me fqinjin tuaj, Maqedoninë e Veriut dhe prisni me padurim hapjen efektive të negociatave shumë të rëndësishme të anëtarësimit, simbolikisht dhe financiarisht, por ato ende janë të bllokuara.

A e akuzoni Bullgarinë në mes të një krize politike se ka bllokuar përfundimisht gjithçka?

Edi Rama: Po, jemi në një situatë mjaft absurde, për t'ju thënë të vërtetën, sepse për momentin Shqipëria është si një dëm kolateral i një situate konfliktuale mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi ka marrë dritën jeshile jo vetëm nga Komisioni, por edhe nga Këshilli Evropian, Bullgaria ka nxjerrë nga xhepi kërkesat me karakter historik dhe identitar ndaj Maqedonisë së Veriut dhe procesi mbetet i bllokuar, sepse siç e dini, Këshilli Evropian bllokohet lehtësisht vetëm me një veto të njërit prej anëtarëve të tij.

Gazetarja: Parisi është gjithmonë në favor të avancimit të dosjes suaj, por Franca e ka bllokuar për një kohë të gjatë për shkak të kriminalitetit, korrupsionit që minoi vendin tuaj, ndërsa sot ju që keni mbështetjen e vendeve të mëdha evropiane, a mund të shpresoni për një dritë jeshile të Këshillit Evropian në dhjetor?

Rama: Që prej disa vitesh, Franca kishte një qëndrim më pak entuziast, i cili nuk lidhej me Shqipërinë, apo me problemet e Shqipërisë, por ishte një qëndrim që lidhej me vizionin e presidentit francez, një qëndrim shumë i qartë i shprehur prej tij për nevojën për thellimin e reformave në Evropë në mënyrë që të ecej më shpejt me zgjerimin.

Dhe vizioni i tij u shty përmes një metode të re integrimi, e cila pasi kishte miratimin e të gjithë të tjerëve, dhe ja pra. As presidenca franceze nesër dhe as Franca, Gjermania dhe të tjerët sot nuk kanë forcë ta lëvizin Bullgarinë, nëse vetë Bullgaria nuk pranon të lëvizë nga pozicioni i saj, i cili është një pozicion mjaft i ndërlikuar për t'u shprehur, për t'u shpjeguar këtu, por që e bën procesin edhe më të ndërlikuar duke vendosur mes nesh dhe Bashkimit Evropian një çështje që është qartësisht dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Gazetarja: Ndër pengesat për anëtarësimin tuaj është edhe frika e një vale migratore shqiptare, tashmë janë një milion emigrantë që nga rënia e komunizmit përpara 30 vjetësh, 80 përqind e shqiptarëve ëndërrojnë të largohen nga vendi i tyre, sipas jush përse?

Rama: Çfarë vale migrimi?! Problemi i valëve të migrimit nuk lidhet për mendimin tim me avancimin e procesit të integrimit, por është veçanërisht i lidhur me të kundërtën, sepse e kundërta krijon situate që bëjnë që emigracioni ilegal të lulëzojë dhe rrjetet kriminale të fitojnë para.

Ja pra, unë nuk shoh një rrezik shqiptar për Evropën, përkundrazi, Evropa ka mundur të thithë miliona, miliona e miliona të tjerë në dëm, me thënë të vërtetën, të vendeve që kanë humbur shumë kapital njerëzor për shkak të këtyre lëvizjeve nga Lindja në Perëndim dhe për të thënë të vërtetën, Evropa Perëndimore ka nevojë për fuqinë punëtore që ofrojnë njerëzit që vijnë nga Evropa Lindore, ose njerëzit që shkojnë nga Ballkaninë Evropën Perëndimore.

Gazetarja: Vendi juaj është një nga më të varfërit në Evropë, dhe ka edhe një situatë juridike, është një vend ku ka shumë, shumë korrupsion, veçanërisht kemi parë në lajmet e fundit arrestimin e kryeprokurorit. Atëherë pas tetë vitesh në pushtet, ku jeni në luftën kundër korrupsionit?

Rama: Ju thatë "shumë shumë korrupsion" unë do të thosha se Shqipëria ka një problem me korrupsionin, por shembulli që ju sapo dhatë dhe ky nuk është i vetmi, tregon se lufta kundër korrupsionit ka shkuar në një nivel tjetër.

Kjo do të thotë se po, në krahasim me Francën ose me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, ne jemi një vend që kemi ende një problem korrupsioni për të zgjidhur, por në krahasim me 8 vjet më parë, nuk ka krahasim. Jemi në procesin e transformimit të plotë të sistemit tonë të drejtësisë dhe kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë një spastrim shembullor të të korruptuarve në sistemin e drejtësisë.

Gazetarja: Atëherë le të flasim pak për rajonin tuaj, Ballkanin. Serbia ka përfunduar një fushatë vaksinimi të shpejtë me vaksinat ruse dhe kineze, vende me të cilat mban marrëdhënie të mira. Ky vend mezi pret të vaksinojë 30 mijë të huaj këtë verë, ndërsa ju në vendin tuaj zoti Kryeministër i Shqipërisë, jeni në kuotën 40%, madje më pak të vaksinuar se në Serbi.

A mendoni se jeni ndihmuar mjaftueshëm nga evropianët për këtë fushatë vaksinimi, apo ndoshta keni qenë të detyruar, ashtu si serbët, t’u drejtoheni alternativave ruse apo kineze?

Rama: Po, ne patëm një moment të parë të vështirë me Bashkimin Evropian, sepse të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor nuk u përfshimë në shpërndarjen e pare të vaksinave në Evropë dhe ishte vërtet e vështirë që të fillonim vaksinimin e të gjithë njerëzve. Madje nuk mund të vaksinonim as infermierët dhe mjekët dhe këtë mundëm ta zgjidhnim duke u hapur ndaj alternativave të tjera dhe ja ku jemi tani në një situate ku nuk është mungesa e vaksinave, por beteja me teoritë konspirative dhe me absurditetet e internetit që duhet fituar. Është e vështirë.

Gazetarja: Ju pritët në Tiranë ministrin e Jashtëm kinez. Për çfarë ka realisht nevojë vendi juaj të ndihmohet nga Kina? Në përgjithësi, a është kjo në përputhje edhe me marrëdhëniet tuaja shumë të mira me Shtetet e Bashkuar dhe Turqinë e Recep Tayyip Erdogan? Shihet qartë se ka një interes të madh për të gjitha këto fuqi në rajonin tuaj, në Ballkan dhe në vendin tuaj.

Rama: Jo, në kornizën e bashkëpunimit të Kinës me të ashtuquajturin grup të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, pra vendet ish-komuniste, formati 17 + 1, Shqipëria nuk ka marrë thuajse asgjë. Do të thotë se kemi marrëdhënie të mira, por për sa i përket pranisë së investimeve, apo ndihmës kineze nuk ka asgjë të veçantë për t'u theksuar. Ndërkohë që Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë ashtu si Greqia dhe Italia.

Është një trekëndësh shumë i rëndësishëm historikisht dhe tradicionalisht. Janë popuj, vende mike dhe për mendimin tim, personalisht, Turqia nuk ka një strategji në Ballkan që bie ndesh me integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian.

Gazetarja: As për islamizmin, për çështjen e Islamit dhe modelin e tij pikërisht mysliman?

Rama: Nuk ka asgjë në këtë drejtim, kam dëgjuar shumë fjalë dhe kam lexuar shumë shkrime që thonë se xhamitë po lulëzojnë në Ballkan, duke përfshirë edhe Shqipërinë, por ju them se që prej 30 vjetësh, vetëm një xhami, një xhami e bukur, është ndërtuar me ndihmën e komunitetit mysliman turk. Vetëm një.

Gazetarja: Edi Rama një pyetje për praninë në vendin tuaj të refugjatëve afganë që ikin nga talebanët. Ata mbërrijnë me pikatore në Bashkimin Evropian. Pritja e tyre është një temë delikate, sepse ata përbëjnë një kontigjent të madh azilkërkuesish, i dyti pas sirianëve. Shihet qartë se Evropa heziton të presë më shumë, ndërkohë që ju keni hapur kufijtë tuaj për të ofruar një qëndrim tranzit para se të shkojnë në Shtetet e Bashkuara, në Kanada.

A mendoni se Europa në veçanti nuk po bën sot mjaftueshëm bashkarisht?

Edi Rama: Unë jam askushi për të gjykuar të tjerët dhe mund të flas vetëm për Shqipërinë, i vetmi vend në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë hebrenj se në fillim të saj, pikërisht sepse shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut e ndaj hebrenjtë mbroheshin nga shqiptarët dhe nuk ka asnjë rast të vetëm që është raportuar te nazistët.

Është një vend që përpara 30 vjetësh u detyrua të kalonte të njëjtën përvojë si afganët duke u larguar nga ferri që nuk bazohej në fondamentalizmin islamik, por bazohej në ateizmin më të kulluar dhe më të egër të një regjimi të vrazhdë komunist. Dhe u larguam, trokitëm në dyer të tjera e ja, së fundmi ky është një vend i NATO-s, prandaj e shoh absolutisht të natyrshme që vendet e NATO-s, pasi vendosen të largohen nga Afganistani, duhet të hapnin dyert, jo për të gjithë afganët që nuk janë të kënaqur me kthimin e talebanëve, por për afganët, burrat dhe grate që kanë qenë atje për ne, kanë punuar me ne, që besuan në atë që thamë dhe në atë që ne jemi si aleanca e vendeve moderne, demokratike e me rradhe, dhe të cilët dolën hapur në vijën e parë të ndryshimit në Afganistan. Pra, si mundet që vendet e NATO-s të kthejnë shpinën dhe të thonë ne po ikim dhe ju rrini këtu e prisni që të vijnë talebanët dhe t'ju vrasin ose ju torturojnë, t’ju presin duart ose kokën, sepse keni qenë bashkëpunëtorët tanë!

Gazetarja: Një pyetje e shpejtë për bashkëpunimin tuaj rajonal. Ballkani ishte për një kohë të gjatë fuçi baruti, ai ishte vendi ku ka patur një luftë të përgjakshme pikërisht mes anëtarëve të ish-Jugosllavisë. Ju realisht keni bërë thirrje për një Ballkan të hapur, një mini-shengen për të lehtësuar lëvizjen e mallrave midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, heqjen e kufijve prej vitit 2023. Por tre vendet e tjera të Ballkanit nuk mund të bashkohen për shkak të këtyre tensioneve etnike mes myslimanëve dhe të krishterëve….

Rama: Së pari, në nismën "Ballkani i Hapur" dera është e hapur për të gjithë vendet e Ballkanit pa parakushte, por ideja është të mos mbetemi viktimë e vetos së dikujt, një apo një tjetri, që nuk duan atë apo atë. Ne duam të bëjmë diçka të rëndësishme për njerëzit, për rajonin.

A është një proces i vështirë? Po, është shumë i vështirë. Nuk është i lehtë, sepse në të njëjtën kohë është një proces paqeje. Ne ende nuk kemi paqe përfundimtare në Ballkan, sepse ka ende problem për t'u zgjidhur dhe veçanërisht problemi mes Serbisë dhe Kosovës që është një shtet i pavarur, Sovran dhe që duhet të njihet nga Serbia. Por në të njëjtën kohë ka mësime për t'u nxjerrë nga historia. Le të citojmë, meqë po flasim frëngjisht, Francën, që na jep një shembull të jashtëzakonshëm. Ajo që bëri Franca me Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore është rruga.

Gazetarja: Faleminderit Edi Rama që iu përgjigjët ftesës sonë. Besoj se fjalët e fundit ishin një mbyllje e mirë për këtë formë paqeje.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Joni: 14/11/2021 05:44

    Lufta ndaj korrupsionit kulmoi me Llallen, sigurisht. Dhe degjeneroi me Tahirin, normale. Te dyja "kulmet" tregojne per korrupsionin e vertete, ate te kapjes se shtetit nga Rama. Mjere populli per kete satrap mafjoz.

    Përgjigju
  • Reshit Piloti: 13/11/2021 18:42

    Mbrapa Bullgarise qendron Rusia ndonese nuk eshte anetare e BE luan rol kryesor ne vendet e BE per zgjerimin ose jo te Unionit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!