Nisma e qeverisë për të nxitur investimet në zonat malore përmes Paketës së Maleve ka ngjallur interes të dukshëm edhe në Mirditë.
Sipas të dhënave, janë mbi 200 aplikime, të shtrira në të gjitha Njësitë Administrative të kësaj bashkie, pjesa më e madhe banorë të larguar që duan të rikthehen dhe investojnë në vendlindje.
Interesi më i lartë është për projekte në bujtina, agroturizëm dhe në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, thotë se kjo iniciativë është një mënyrë e mirë për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës, por e konsideron absurditet dhënien me qira të pronës të vendasve që e kanë në përdorim dhe mos mund të ketë certifikatë pronësie.
Përballë interesit të shtuar për Paketën e Maleve, Bashkia Mirditë i kërkon qeverisë që ta mbështesë me investime në infrastrukturë, e cila ka degraduar në shumë zona.
“Sot kemi më shumë se 200 aplikime. Aplikimet duhen parë, por megjithatë ka një interes nga emigrantët që duan të rikthehen në vendlindje. Aludime mund të ketë sa të duash, por që njerëz të jashtëm të prekin pronat e trashëguara është e pamundur. Vëmendja pushtetit qendror dhe lokal do të jetë te infrastruktura, veçanërisht në ato zona që nuk kanë rrugë”, tha Albert Melyshi.
Në bazë të numrit më të lartë të aplikimeve për Paketën e Maleve, Bashkia Mirditë ka përcaktuar 7 zona prioritare për zhvillimin ekonomik, industrial dhe turistik.
Komente






