TIRANË -Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti sot në një takim Zëvendëskryetarin e Knesset-it (Parlamentit të Shtetit të Izraelit), zotin Hamad Amar, njëkohësisht Kryetar i Grupit të Miqësisë Izrael-Shqipëri dhe delegacionin që e shoqëron.
Presidenti Nishani rikonfirmoi, gjatë takimit, nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona dhe shtoi se vizitat e fundit dhe veprimtaritë e përbashkëta po i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të miqësisë tradicionale dhe bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, duke veçuar edhe rolin e veçantë të diplomacisë parlamentare dhe grupeve të miqësisë në këtë drejtim.
Zëvendëskryetari i Knesset-it, Amar tha se, të gjithë hebrenjtë e vlerësojnë me mirënjohje atë që shqiptarët bënë për shpëtimin e tyre gjatë periudhës së Holokaustit.
Duke u ndalur në të ardhmen e bashkëpunimit shqiptaro-izraelit, ai u shpreh se ka një interes në rritje të biznesmenëve nga Izraeli për Shqipërinë veçanërisht në fushat e energjisë, kërkimit të naftës dhe gazit, turizmit dhe bujqësisë, ku ka mundësi të mëdha zhvillimi.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për situatën e sigurisë, për sfidat që lidhen me veprimtarinë e grupeve terroriste dhe për bashkëpunimin për përballimin e tyre./ATSH/