TIRANE-Është çelur konferenca me temë “Normat negative të interesit në Eurozonë dhe ndikimi i tyre në politikat dhe instrumentet e bankave qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
 
Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe me ndihmën financiare të Qeverisë Zvicerane nëpërmjet Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike, zhvillon sot dhe nesër punimet e Konferencës.
 
Konferenca është konceptuar me tre sesione, ku punimet për të u çelën nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Ambasadorit të Zvicrës në Shqipëri, Sh.T.Z. Christoph Graf, dhe Zëvendësdrejtori i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale pranë FMN-së, Miguel Savastano.
 
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë në fjalën e hapjes, theksoi se sistemet financiare të vendit tonë janë ndikuar nga prezenca e filialeve të bankave të Eurozonës, të cilat u ekspozuan ndaj shtrëngimit të kuadrit rregullator në sektorin bankar evropian. Sipas tij ky shtrëngim erdhi në një masë të madhe si rezultat i dobësive të sistemit evropian, të cilat buruan prej krizës financiare.
 
Më tej, Guvernatori u shpreh se në afat të gjatë, të gjithë do të përfitojmë nga një sistem bankar evropian më i fortë, më i mirëkapitalizuar dhe më i qëndrueshëm. Megjithatë, në afat të shkurtër, përshtatja me këtë ambient të ri rregullator përbën një sfidë në vetvete për vendet e rajonit.
 
Së fundmi, Guvernatori Sejko i njohu të pranishmit me qëllimin e kësaj konference, që është të identifikojë pasojat ekonomike dhe financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor, që kanë buruar prej normave negative të interesit në Eurozonë si dhe sfidat e bankave qendrore për të identifikuar mekanizmat të cilat mund të konsiderohen më të efektshme se pjesa tjetër në rrethana të caktuara.
 
Fjala e plotë e Guvernatorit
 
Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Sh.T.Z. Christoph Graf gjatë fjalës së tij përshëndetëse, shprehu bindjen se bazuar në përvojën e shtetit zviceran, stabiliteti makroekonomik dhe një sektor financiar i shëndetshëm janë vendimtare për rritjen ekonomike të vendit. Më tej, Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri shtoi se vendi që ai përfaqëson ndihmon vendet e rajonit dhe rreth globit në forcimin e politikave monetare dhe kjo konferencë është pjesë e kësaj përpjekjeje. Ai theksoi se një politikë monetare e shëndoshë mbështet stabilitetin makroekonomik dhe rritjen ekonomike duke nxitur një mjedis të favorshëm për iniciativat në sektorin privat.
 
Gjatë fjalës së tij, Zëvendësdrejtori i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale pranë FMN-së, z. Miguel Savastano, theksoi se kjo konferencë do të ofrojë një mundësi të shkëlqyer për pjesëmarrësit për të diskutuar rreth sfidave në ndërtimin e politikave monetare, si dhe të shkëmbejnë eksperiencat dhe këndvështrimet e tyre lidhur me stabilitetin financiar, administrimin e rezervës valutore dhe politikën monetare.
 
Sesioni i parë i konferencës do t’i dedikohet sfidave me të cilat përballen sot bankat qendrore në administrimin e rezervës valutore, në kontekstin e normave negative të interesit në Eurozonë.
 
Gjatë sesionit të dytë, diskutimet do të bazohen në çështjet e stabilitetit financiar që vijnë si rrjedhojë e flukseve të luhatshme të kapitalit dhe kursit të këmbimit.
 
Sesioni i tretë i konferencës do të trajtojë zhvillimet e politikës monetare në kushte të një norme të ulët interesi dhe sfidat me të cilat përballet politika monetare për shkak të euroizimit të sistemit financiar.
 
Pjesëmarrës në këtë konferencë janë përfaqësues të nivelit të lartë nga bankat qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Bankën Qendrore të Bosnje-Hercegovinës, Bankën Qendrore të Kosovës, Bankën Kombëtare të Republikës së Maqedonisë, Bankën Kombëtare të Serbisë; Bankën Qendrore Evropiane, bankat qendrore të vendeve pranë Eurozonës, përfshirë Bankën Kombëtare të Bullgarisë, Bankën Kombëtare të Kroacisë, Bankën Qendrore të Republikës së Hungarisë, Bankën Kombëtare të Rumanisë, Bankën Kombëtare Zvicerane, Bankën për Rregullime Ndërkombëtare (BIS); si dhe përfaqësues të akademisë.
 
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com