Ja intervista e plotë e Gjergj Simakut dhënë për “Javën”.
Z.Simaku! Muaj më parë, kur u njoftua se ishin gjetur fondet për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit në mes të dy vendeve, Shqipëri -Kosovë, dukej se të dy qeveritë respektive i kishin menduar mirë dhe hapat e mëtejshëm. Jemi në vitin 2012 dhe ende nuk është bërë asgjë. Çfarë e pengon aktualisht fillimin e punimeve për të?
“Mendoj se pengesat janë thjesht pengesa të rajonit që do të thotë pengesa si rezultat i mos lejimit të zhvillimit të zonës sonë dhe kosovare.
Së pari, Qenia terminal (fundor i linjave transmetuese) sjell avantazhe për ata që shesin energji Kosovës (sot Kosova është importuese neto e energjisë elektrike). Në rastin e Shqipërisë është EFT që ka blerë thuajse të gjitha rrjetat që furnizojnë vendin tonë, megjithëse ne jemi lidhur me rrjetin 400 kV dhe mund të operojmë të vetëm në treg.
Së dyti, Një linjë interkonjeksioni me Kosovën do ta çlironte më tepër tregun mes dy vendeve kështu: do të krijonte një mundësi shkëmbimi mes dy vendeve (hidro ALB. – Termo KOS.) dhe do të fuste Kosovën në rrjetin evropian të pavarur nga Serbia. Serbia është vendi që ka dispeçerinë më të zhvilluar në rajon dhe në një farë mënyre “komandon” flukset për Kosovën dhe Shqipërinë. Serbia dhe shitësit e energjisë nuk e lejojnë këtë zhvillim”.
Çfarë lehtësie dhe burimi përfitimi ka për ekonominë shqiptare, ndërtimi i kësaj linje?
“Tregu Hidro – Termo është komplementar. Kjo do të thotë se HEC-et mund të punojnë në pik d.m.th. mund të shesin më shtrenjtë, kurse TEC-et (termot) mund të punojnë në bazë d.m.th. gjatë të gjithë kohës dhe nuk mund të punojnë kyç/ç”kyç, gjë të cilën mund ta bëjnë vetëm hidrocentralet (AL). Ky është avantazhi mes dy vendeve, këmbejnë dhe tregtojnë. Shqipëria mund të blejë me kontrata afatgjatë 3-4 vjeçare dhe jo si sot shumë shtrenjtë kur i jepet mundësia të shpenzojë shumë për blerje (sepse ble në momente të gabuara) dhe pak për eksporte energjie kur ndonjëherë ka teprica. Një linje e tillë ka avantazhe sepse mund të mbulojë këtë politikë ëin-ëin”.
Juve jeni një nga specialistët e njohur lidhur me fushën e energjisë. A mendoni se qëndrojnë akuzat e ditëve të fundit të medias kosovare, sipas të cilës qarqe sllave me qeverinë shqiptare janë të interesuar të vonohet ndërtimi i saj?
“Mendoj se PO. S’ka asnjë arsye se pse nuk zhvillohet kjo linje. Troç nuk duan. Shihni raportet e komunitetit të energjisë dhe angazhimet e Shqipërisë në këto rrjeta. As qendra dispeçer në Tiranë nuk po bëhet dhe as linja. Kjo mban erë korrupsion nga ana e KESH-it dhe KEK-ut. Serbia është e interesuar të kufizojë pavarësinë e sigurisë së furnizimit me këto 2 vende, gjen një shtrat të ngrohtë në Tiranë”.
Cili përfiton realisht nga të dy vendet prej ndërtimit dhe kush penalizohet nga ana tjetër më shumë nga dy vendet prej mosbërjes së tij?
“Është situatë ëin-ëin. Ne përfitojmë nga përparësia që ka tregu hidro. Kosova mund të zhvillohet në Termo si rajoni me rezervat më të mëdha të karbonit në rajon. Ne mund të investohemi në ndërtimin e Tec-eve në Kosovë, sigurisht me teknologji moderne dhe të përfitojmë çmime të mira në bazën e sistemit tonë energjetik (të blejmë një sasi të domosdoshme në bazën e konsumit dhe të shesim në pik. Dy sistemet tona janë sa të barabarta si përmasa aq edhe komplementare”.
A mendoni se ka probleme nga ana mjedisore për ndërtimin e interkonjeksionit?
“Aspak pse linjat nuk ndotin mjedisin”.
Nga njohuritë tuaja, a kanë dhe vende të tjera të gadishullit probleme të njëjta me interkonjeksionet? Nëse janë: janë më shumë politike apo konjuktura të ndryshme?.
“Gjithçka varet nga politikat energjetike të zhvillimeve energjetike dhe nga politika e qeverive. Kroacia vuajti të njëjtin problem, po kështu edhe Bosnja qe akoma po e vuan me enklavat. Pse Kosova?!!!”
Kur mendoni se do të përfundojë linja e interkonjeksionit mes të dy vendeve?
“Kur të liberalizohet tregu dhe të largohet MAFIA nga rrjetat evropiane, kur të largohet edhe Saliu i cili nuk e lejon këtë zhvillim. Kjo duket në shpenzimet për ‘Rrugën e Arbërit’, duhej ti paraprinte energjia dhe pastaj rruga, ose paralel”.
Media kosovare akuzoi direkt kryeministrin Sali Berisha lidhur me skandalin e pezullit të projektit për linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Në mars të vitit 2011 u cel tenderi për linjën e transmetimit të energjisë, Shqipëri-Kosovë, projekt i cili gjeti financime nga banka gjermane KFË, dhe ku ndërtimi i kësaj linje midis Shqipërisë dhe Kosovës, do t’i sillte, jo vetëm Kosovës, por edhe Shqipërisë, pavarësinë nga linjat serbe. Jo vetëm që kjo s’u bë, por e përditshmja “Zëri” në Kosovë zbuloi se biznesmeni serb Vuk Hamoviç, njëri nga njerëzit më të pasur në Ballkan, i cili operon në këtë biznes, në bashkëpunim me Damir Fazlliç, janë takuar në Vjenë të Austrisë me djalin e kryeministrit, Shkëlzen Berisha, duke aluduar hapur për favorizime të Serbisë . (ns/shqiptarja.com)