'Internimi' i Xhelal Mziut në Dibër; PD ia jep me 'koncension' Kamzën, LSI-së?!

'Internimi' i Xhelal Mziut në Dibër; PD ia jep me 'koncension' Kamzën, LSI-së?!

Xhelal Mziu dhe Lulzim Basha

Megjithëse i ka dhënë me pikatore vendimet për të caktuar drejtuesit e tij politikë në qarqe, lajmi më i rëndësishëm është dërgimi i Xhelal Mziut në Dibër.

Edhe pse të gjithë e dinin se ish-kreu i Bashkisë së Kamzës tani do të zhvendoste karrierën në Parlament, degëdisja në Dibër ngjan më shumë si internim.

Kjo, pasi “Dibra” e Xhelal Mziut, më shumë se në Qarkun me tre bashki, Mat, Bulqizë e Dibër, është më voluminoze në Kamëz, ku ai fitoi për tre mandate si kryebashkiak.

Në 44 mijë e më shumë votues, në Kamëz, Mziu arriti të marë çdo herë rreth 50% të votave, çka ka nxjerrë të paktën dy deputetë për Partinë Demokratike, duke vënë edhe ekuilibër në Qarkun Tiranë.

Me një fjalë, atë që PD fitonte në qytetin e Tiranës, ja kompensonte Xhelali në Kamëz e Paskuqan.

Në Dibër, Xhelal Mziu, edhe pse ka qenë pak aktiv në zgjedhjet lokale të pjesshme të 2015-s, duke çuar atje furgona me votues “të lëvizshëm” që figurojnë në dy vende, nuk është se ka pasur një influencë të rëndësishme.

Aq më pak që aktiviteti i tij politik, është më i përqëndruar në “Dibrën” e kryeqytetit, që e përfshin Kamzën, Bathoren, Paskuqanin, e natyrisht Babrrunë.

Në Mat dhe Bulqizë, influenca e tij është e vogël, mos më thënë e papërfillshme. Atëherë përse Lulzim Basha e internoi Xhelalin në Dibër?!

Sipas të gjitha gjasave, po përvijohet me lojën e vitit 2017, ku një pjesë e mirë të elektoratit demokrat në “Dibrën” e Tiranës, votoi si me “magji” për LSI-në, pas një urdhëri të Sali Berishës, i cili u takua me Ilir Metën, me pjesëmarrjen e Fahri Balliut, menjëherë pas takimit Rama-Basha të 17 majit 2017.

Që do të thotë troç e qartë se PD i ka “shitur” ajkën e elektoratit të vet në Qarkun e Tiranës, LSI-së së Ilir Metës.

Po të shikosh edhe shpalljen që Monika Kryemadhi i bëri kandidatëve për qarkun Tiranë, ish-deputeti Përparim Spahiu, që është edhe kreu i LSI-së së Tiranës, është caktuar si përgjegjës për njësinë 11, edhe për Kamzën.

Në krah të Spahiut, është edhe një ish-drejtor i PD-së, shumë i rëndësishëm e i fuqishëm në qeverisjen e Berishës nga 2005-2013, Besnik Jakaj, por prej 8 vjetësh i anëtarësuar me LSI-në.

Jakaj, me origjinë nga Puka, i cili ka qenë superdrejtori i Barnave në Ministrinë e Shëndetësisë, ka edhe një lidhje të afërt familjare me një deputet socialist, që dikur ka mbuluar Kamzën.

Pra me fjalë të tjera, Lulzim Basha i ka dhënë Xhelal Mziut një mandat të sigurtë deputeti si kreu i listës së Dibrës, duke e dhënë Kamzën me “koncension” te LSI-ja.

Kjo, pasi sipas të gjtha gjasave, partia e Metës dhe Kryemadhit do të ketë një ngërç të madh në qytetin e Tiranës, ku është futur në kllapë fuqishëm nga Erion Veliaj, kryebashkiaku dhe kreu i PS-së për Tiranën.

Luftën për Kamzën dhe “Dibrën”, Meta e demonstroi edhe para disa muajsh, kur shpërndante performancat e tij virtuale në kërcim dhe këngë patriotike në lokalet e Paskuqanit dhe të Bathores me të fortët e zonës, në shoqërinë edhe të kreut të LSI-së, Përparim Spahiu.

Ndërsa në Dibër shkoi disa herë duke shpërndarë dekorata për të gjallë, të vdekur, por edhe të panjohur të zonave të ndryshme, por që kishin më shumë se 30 vjet që nuk e shikonin Dibrën me sy. Pasi atë Dibrën e kishin pranë kryeqytetit.

Edhe në vitin 2017, LSI mori në Kamëz e Laprakë dy deputetë, duke ja hequr votat PD-së, e kjo me urdhrin e Doktorit.

Kjo mund të shikohet fare lehtë nëse analizohen qendrat e votimit, bastione 30 vjeçare të PD-së në zonën 11, Kamëz e Paskuqan.

Vetë Meta ka shumë kohë që takohet me dibranë me banim në Tiranë, të fortë e të butë, që kanë njerëz e të afërm, kryesisht në “ish-feudin” e Xhelal Mziut.

Sipas gjasave, Doktori ka vendosur të dhurojë “krijesën e tij” demografike në kryeqytet, për aleatin e tij më të rëndësishëm, edhe pse i heq PD-së dy deputetë të sigurtë në qarkun Tiranë.

Po Xhelali? Sipas gjasave do t’i kërkohet që të marrë të paktën 2 deputetë, në rastin kur Dibra nuk ka më 6, por 5 deputetë, e ku LSI nuk e ka më feud të sajin Bulqizën…/TemA

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Krrici: 18/01/2021 22:14

    Mziu sivllau i gomarit.

    Përgjigju
  • Tomi: 18/01/2021 18:28

    Varja e myth Ymeri me Diber

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë