TIRANE - Një ditë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Arben Frrokut, i dyshuar si autor i vrasjes së kryekomisarit Lamaj, Zyra Qendrore e Interpol Tirana ka nisur punën për ekstradimin e tij.

Përgjatë së mërkurës, agjentët e Interpol kanë marrë në duar dosjen e Frrokut, i cili rezulton të jetë i ndaluar në qytetin e Selanikut në Greqi, së bashku me të ndaluarin tjetër Jakë Jaku. Ndërkaq, Gjykata Penale e Tiranës dha ditën e djeshme masën e sigurisë “arrest me burg” për Jakë dhe Ndue Jakun, të cilët akuzohen për “armëmbajtje pa leje” dhe “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka ngritur ende akuzë për Jakë Jakun, i ndaluar tre ditë më parë si autor i dyshuar i vrasjes. Arben Frroku dhe Jakë Jaku u ndaluan në një hotel në Selanik, duke pirë alkool dhe duke marrë kokainë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.02.2013

Redaksi Online
(b.m.shqiptarja.com)