Çelet ekspozita 'Artkompakt', Tinamaria Marongiu: Koncepti i artit tim, nevoja për shkëmbim mes artistëve

Tinamaria Marongiu,kur shkeli për herë të parë në tokën e “shqiponjave”, nuk kishte asnjë dijeni për këtë vend. Por, tanimë, kur kanë kaluar pesë muaj nga qëndrimi i saj në Tiranë, artistja italiane prezanton ekspozitën e parë personale “ArtKombpakt” në Tirana Art Gallery. Në veprat e saj bashkon materialet dhe ngjyrat, me dëshirën që të krijojë një përputhje mes tyre, ashtu sikundër dëshiron që me artin e saj të bashkojë edhe njerëzit, mes të cilëve ndihet shumë vetmia. Në një intervistë për “Report Tv”, Tinamaria Marongiu rrëfen këtë rrugëtim artistik, por jo vetëm.

Si lind kjo ekspozitë?

Kjo është një ekspozitë që ka për titull “arti Kompakt”, janë fragmente të vogla të mënyrës sime të të punuarit, dhe të të bërit art. Kjo ekspozitë lind sepse, gati dy muaj më parë unë hapa këtë hapësirë ekspozuese të quajtur IICAS- International  Interactive Contemporary Art Space, kështu që mendova që njerëzit duhet të më njihnin. Kështu që mënyra për bërë që të tjerët të më njohin është pikërisht nëpërmjet mënyrës sime të krijimit.

Artistja përdor materiale organikë dhe inorganikë, duke i bashkuar me ngjyra. ( Box-Es: janë vepra në dru të mbyllura në kuti)

Në këtë ekspozitë janë 23 vepra. Në brendësi të tyre, duke qenë se ato janë vepra materiale, ka përbërje të natyrave të ndryshme. Duke nisur nga metali, druri, pjesëza nga natyra, ka pak nga të gjitha. Le të themi që secila prej tyre ka historinë e vet, pavarësisht se të gjitha synojnë të përkufizojnë një koncept të vetëm, që është pikërisht ajo e artit kompakt. Unë rrëfej se si tentoj të krijoj kompaktizëm midis materialeve dhe ngjyrave, asht siç do të më pëlqente të ndodhte në jetën sociale. Kështu që jo vetëm nëpërmjet artit, por një koncept që përqafon socialen.

Ç’mund të na thuash diçka më shumë për temën e ekspozitës?

Çdo punë në fund i përmbahet një ideje. Ato quhen box-es, pra të gjitha janë të deklaruara si kuti të es-it. Kjo sepse Frojd thoshte se “ES” është fëmija që jeton brenda nesh. Pra fëmija veçmas nuk krijon një projekt, por luan në mënyrë instiktive. Kjo është puna ime, unë nuk është se bëj një projekt të planifikuar, por luaj me materialet dhe në momentin që filloj të punoj, kur arrij ¾ e punës, së lojës filloj të konceptoj se cili është kuptimi I saj, çfarë po ndodh. Është si një lloj loje midis asaj që ndodh brenda meje dhe materialeve ajo që më ndodh. Pra në një pikë të caktuar kur unë filloj të bëhem racional , “nxjerr” jashtë edhe atë që mund të ketë qenë motivimi im, se çfarë do të thotë për mua ajo punë. Sigurisht që ky konceptim do të jetë për mua, sepse të tjerët do të kenë mënyrën e tyre të të konceptuarit lidhur me atë që do të shohin në brendësi të kutive.

Natyra kurioze e Tinamaria-s bën që arti i saj pamor të shoqërohet edhe me poezinë...

Artistikisht unë e kam nisur punën si muzikante. Pothuajse 30 vjet muzikë që më bënë që fillimisht të jem interpretuese, pastaj autore. Dhe nisa të shkruaj këngë. Ishte një diçka që lindi natyrshëm edhe kjo, që më bëri mandej të shkruaja poezi. Përmes eksperimentimeve, është muzika, poezia, fotografia. Le të themi se është një rrugëtim që prek nga pak të gjitha mediumet, që më pas të arrijë tek veprat e artit kompakt, që le ta themi janë vepra të poezisë vizive.

Dy muaj në Tiranë, si gjendeni?

Unë jam këtu prej 6 muajsh, ndërsa Galeria ka dy muaj që është hapur. Gjendem mirë, edhe pse natyrisht më duhet të përballem me ato vështirësi që dikush has kur nuk jeton në vendin vete. Por ka një energji të mirë dhe ka shumë dëshirë të paktën nga ana ime “të zbuloj” dhe të “zbulohem” nga të tjerët. Të kontribuoj duke sjellë gjëra që mund të jenë të dobishme për qytetin në këtë rast edhe duke kërkuar të shpalos mënyra të reja të të bërit art, krahas artit që shqiptarët janë mësuar të shikojnë në “shtëpinë” e tyre. Unë vetë nga ana tjetër përpiqem të mësoj nga vendi juaj, sepse ka gjithmonë për të mësuar. Më duhet të them se prej pak muajsh rinisa të punoj, kështu që kam bërë vepra të reja, të bëra në Tiranë. Dhe kjo më jep sodisfaksion sepse unë punoj “atë ajër që marr” pra kjo tregon se ka shkëmbim.

Po atmosfera artistike, si të duket?

Mund të them se ende nuk e njoh mirë, sepse artistët janë ende të mbyllur. Çdokush në botën e vet dhe për këtë më vjen keq, sepse në konceptin tim të artit kompakt është pikërisht nevoja për të pasur një shkëmbim. Një shkëmbim kreativ, por edhe në nivel njerëzor. Do të më pëlqente dhe besoj se e kohën kjo do të ndodhë. Duhet thjesht kohë, duhet durim.

Çfarë mund të na thuash për materialet e përdorura në këtë ekspozitë?

Të gjitha veprat lindin me një numër, pikërisht sepse doja ta evitoja të vendosja nëntituj, sepse në fund le të themi se disi limitojnë vizionin dhe fantazinë e atij që i vëzhgon. Tek disa prej tyre në fund m’u desh të vendosja disa nëntituj, sepse mendova se do të ishte e drejtë që edhe unë të shprehja atë që ishte mendimi im. Kjo është një vepër që ka si titull “sovrastrutture” dhe si shikon është shumë e artikuluar. Nëse e shikojmë me kujdes aty ka një sërë elementësh, duhet ta thellojmë vëzhgimin duke u ndalur tek çdo pjesëz për të kuptuar nga ana simbolike çfarë kuptimi ka. Por koncepti është ky që ne lindim nudo, lindim të zhveshur. Nuk kemi veshje e asgjë. Ndërkohë, dalëngadalë ndërsa rritemi karikohemi me gjëra, me veshje, me mendime, me koncepte, me gëzim etj. Pra pak nga të gjitha. Derisa i krijojmë vetes një veshje që ndonjëherë bëhet e ekzagjeruar. Jemi kaq shumë të ngarkuar me informacione dhe me ndalime saqë shpesh nuk arrijmë të shikojmë se çfarë ka jashtë. Le të themi se ky është pak rrugëtimi ynë, rrugëtimi i njeriut që duke u rritur e gjen veten duke ndarë jetën me të tjerët, me njerëzit me shkollën, me punën e pastaj dashurinë.

Thonë se veprat janë si fëmijët, por cila është vepra që ke më shumë për zemër këtu?

Është koncepti im.. Koncepti që përkufizon mënyrën time të të qenit dhe atë që do të doja të ishte përqark meje, si dhe në botë. Sigurisht që është eutopi, sepse sot është shumë e vështirë me globalizimin, sepse njerëzit janë gjithnjë duke vrapuar dhe shumë shpesh humbasin në gjëra të padobishme, duke lënë të humbasin ato që janë vlerat e jetës. Pra koncepti bazë është ai që për mua mbetet thelbësor. Por sikurse ekziston një vepër e fundit, është e drejtë që unë të jem e lidhur me veprën e fundin që kam krijuar këtu në Tiranë. Pra është një vepër që mua më përket në këtë moment, ashtu siç më përket qyteti në të cilin po jetoj.

Çfarë të mungon prej Italisë?

Asgjë. (qesh) E di që mund të tingëllojë… Por nuk më mungon gjë, sepse ajo që më mungon është në zemrën time. Këtu ndihem mirë dhe po krijoj raporte shumë të bukura që nuk më bëjnë të ndiej mungesën. Mandej unë shkoj në Itali sa herë kam dëshirë, flas me familjarët çdo ditë. Italia është e bukur, por edhe Shqipëria.

Si e shikon të ardhmen ne Tirana Art Gallery?

Sikur të kisha një top të kristaltë do të ishte mirë, veprën e parafundit kam bërë në Tiranë dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë, por unë do të përpiqem të mishëroj në atë që bëj të gjithë energjinë time, që në fund diçka të ndodhë. Shpresoj që të kem një  përgjigje të mirë ndaj kësaj. Sepse, njerëzit nuk më njohin dhe do të më pëlqente shumë të më njihnin dhe pastaj shpresoj dhe do të përpiqem të bëj të pamundurën për të krijuar raporte dhe shkëmbime me artistë, që vinë nga jashtë dhe artistë shqiptarë.

Po me muzikën çfarë do të bësh ?

Kënga ka qenë një rrugëtim i gjatë, që e kam dashur shumë dhe më ka dhënë shumë sodisfaksione, eksperienca të mëdha që më shtyn drejt artit bashkëkohor. Le të themi se ka gjithmonë një cep të vogël ku të qëndrojë, dhe ndoshta një ditë zgjohem dhe them sot dua të bëj një këngë të re. Por për momentin preferoj që të bëj një vepër të re.

Tinamaria Marongiu (1961) u lind në Cagliari (Sardenjë). Me emrin e pagëzimit “Cristina” nisi karrierën e saj artistike si këngëtare, me “Contremano”. Ka kënduar “La lettera”, kolonë zanore e telenovelës “Gli emigranti”. Në vitin 2005, si kantautore me “Madreterra” fitoi Çmimin e Kritikës “Italianët në Botë”. Në vitin 2007 del disku i parë “Dal Poetto al Malecon”. Veprat e saj janë ekspozuar në Itali, Francë, Spanjë, SHBA etj.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston