Intervista e Linda Rames ne "Top Story"

 Zonja Basha, faleminderit për pranimin e kësaj ftese, që për ju nuk duhet të ketë qenë e lehtë të përgjigjeshit pozitivisht. Pikërisht, po e nis me pyetjen e parë, përse e pranuat këtë ftesë?
Arsyeja lidhet me nevojën për të komunikuar direkt me publikun, pasi në dy javë është bombarduar me informacion dhe akuza të drejtuara ndaj meje dhe familjes sime. Për të qenë e sinqertë, fillimisht prita që një media apo aktor tjetër të hetonte përtej deklaratave publike vërtetësinë e akuzave, gjë që në fakt nuk ndodhi. Prita që këta ta bënte edhe Instituti i Deklarimit të Pasurive, por as kjo nuk ndodhi. Për këtë arste, pashë të udhës që të jepja personalisht shpjegimet e përshtatshme.

Kur ju intevistuam në momentin kur lidhët martesë me zotin Rama, deklaruat se do të qëndronit e tërhequr nga intervistat, por duket e vështirë t’i rezistosh këtij betimi përballë pushtetit të partnerit tuaj.
E para, Edi sot nuk ka pushtet. Unë, për vetë natyrën time, gjithmonë kam preferuar që të jem në distancë të caktuar dhe të merrem me punët e mia. Unë e kam shumë të lehtë të rezistoj dhe këtë e bëj çdo ditë shumë lehtë, por në 2-3 raste ka qenë shumë e vështirë të refuzoja dhe kështu shpjegohen daljet e mia në media.

Ndryshe nga sa pretendoni, këtu nuk jam dakord, bashkëshorti juaj është një prej njerëzve më me pushtet në këto vite, përfshi 11 vitet e drejtimit të Bashkisë së Tiranës. Si u ndietë pikërisht në momentin kur u humb lufta për një mandat të katërt si kryebashkiak?
Mendoj se u ndieva si çdo njeri që ndoqi atë histori, atë vjedhje publike, por duke qenë pranë Edit, u ndieva edhe më ndryshe, edhe më pranë asaj ngjarje. Besoj se Edi i ka kushtuar shumë rëndësi këtij momenti tek libri i tij “Kurban”.

Si e përjetuat 21 janarin dhe 28 janarin?

Secili prej këtyre momenteve ishte shumë i vështirë. Janë këto momente të rënda dhe përcaktuese në jetën e një politikani dhe si bashkëshorte, më duhet të jem pranë e t’i përjetoj pak më ndryshe nga sa i përjeton pjesa tjetër e popullsisë.

Si u ndietë ndaj akuzave të para direkte ndaj jush?
Jam ndierë sikur po ecja në rrugë dhe sikur papritur dikush më doli përpara dhe më bëri një agresion verbal. Nuk më kishte ndodhur asnjëherë më parë.

Kur ishit atë ditë kur u bë kjo akuzë?

Atë ditë ka qenë e dielë. Unë isha duke ndjekur ne faqet online konferencën e Edit në “Twitter”. Për hir të së vërtetës, kam qenë pjesë e njerëzve skeptikë të përdorimit të “Twitter”-it nga Edi, pasi mendoja që kjo do të ishte e parakoshme, por me gjithë spekticizmin që e rrethonte Edin për këtë komunikim, nuk i mori parasysh skeptikët dhe filloi ta zhvillonte atë mjet komunikimi gradualisht. Duke iu rikthyer pyetjes, në atë moment pashë akuzat dhe për herë të parë u hutova, e më pas fillova të befasohem gradualisht me atë që thuhej, sepse e kuptova që ishin sigurisht të pavërteta dhe u ndieva e dhunuar nga të pavërtetat që dilnin dhe që reflektoheshin në faqen online. Sigurisht, më pas prita të kuptova deri ku shtrihej thellësia e këtyre akuzave.

Megjithatë, një ndër argumentet e përdorur për t’iu sulmuar është shndërruar edhe koha e marrë për të kthyer përgjigje. Përse kaloi kjo kohë e gjatë deri në një reagim tuajin zyrtar?
Unë nuk e di se çfarë mase keni ju për kohën, por siç e thashë, fillimisht kërkova vetë unë që të kuptoja se cili ishte thelbi i atyre që thuheshin, gjithmonë duke menduar se ose po i kuptoja gabim ose që media nuk po i transmetonte në mënyrën e duhur. Kur akuzat u bënë fare të qarta, siç ju thashë edhe më parë, prita që dikush tjetër të merrte përsipër të shkonte më përtej asaj që thuhej nga palët. Vendosa të dal vetë publikisht tani, pasi mora kohën e nevojshme për të absorbuar këtë lumë akuzash dhe pasi prita reagimet që nuk erdhën.

Ju ose sulmi ndaj jush ka krijuar një precedent të ri në politikën shqiptare. Që nga koha e kabinetit Meksi, janë abuzuar familjarët e kryeministrave e ministrave të ndryshëm, por kjo është hera e parë që përflitet familjari i një pretendenti për kryeministër. Përse ndodh kjo në gjykimin tuaj?

Hera e parë? Kjo nuk është aspak e vërtetë. Edi është kryetar i opozitës nga 2005-sa, unë jam gruaja e tij nga fundi i 2010-s dhe gjatë të gjithë kohës që Edi ka qenë në këtë detyrë, të gjithë shqiptarët e dinë që nuk ka mbetur njeri ndër të gjallët dhe të vdekurit e familjes Rama pa u goditur. Gjyshërit e Edit janë goditur. Nuk ka munguar përbaltja kundër të ndjerit dhe shumë të respektuarit Kristaq Rama. Nuk ka munguar ndaj nënës Anetës, as ndaj mamasë së djalit të Edit. As ndaj kushërinjve, qofshin të vërtetë e të sajuar dhe nga ana tjetër, unë mendoj se nuk është vetëm familja Rama që është ballafaquar në opozitë me shpifjen. Janë edhe shumë opozitarë të tjerë, kolegë të Edit, që janë përfolur në të njëjtën mënyrë nga kundërshtarët politikë, pa pasur asnjë lloj lidhje me luftën politike. Personalisht e gjykoj këtë fenomen tepër të dëmshëm për shoqërinë shqiptare, që është lufta me çdo çmim e mjet ndaj kundërshtarit politik.

Në rrjetet sociale, ju kanë sulmuar juve personalisht posaçërisht kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit, Topalli, ministrja e Integrimit Bregu dhe të tjerë. A është një kosto kjo që e kishit parashikuar kur u lidhëet me Ramën?

Nuk është e rëndësishme si ndihem unë, kjo ka rëndësi personale, por jo ndonjë rëndësi të veçantë. Unë mendoj si si ndihen njerëzit kur shohin këto deklarata dhe mendoj se është detyrë e drejtuesve publike, që të shprehen në mënyrë të përmbajtur dhe me një etikë të përshtatshme për postin e tyre. Të gjithë shqiptarët investojnë çdo ditë për t’i dhënë kulturë fëmijëve, por kush janë përdoruesit e rrjeteve sociale? Rinia dhe nëse drejtuesit e lartë publike shprehen në mëntyrë agresive dhe ofenduese, ky është një element që dëmton, në opinionin tim, në edukimin e të rinjve.

A po ju bën kjo fushatë akuzash ndaj jush të paguani një kosto personale për karrierën e bashkëshortit tuaj politikan?
Njeriu ka dy kosto personale, e para për të gjithë veprimet dhe të gjitha ato që thotë vetë, ndërkohë që ka edhe një kosto që i imponohet arbitrarisht nga të tjerët. Unë mendoj se në rastin konkret, po flasim për këtë rastin e dytë, për një kosto personale që tentohet të imponohet nga të tjerët pasi unë jam gruaja e Edi Ramës dhe bëhet që njerëzit të mos merren me atë që i shqetëson çdo ditë dhe jo vetëm njerëzit, por që edhe politikanët të mos merren me detyrat e tyre dhe ato që njerëzit e thjeshtë shqetëson çdo ditë.

Megjithatë, akuzat e ardhura ndaj jush janë formuluar në shtatë pyetje zyrtare konkrete. Pyetja e para, sa projekte keni ndarë ju me zotin Bajraba. 2. Cili është historiku i vërtetë i pallatit 5-katësh dhe një kati nëntokë. 3. A keni qenë në konflikt interesi në ndërtimin e këtij pallati, në një truall midis sheshpushimeve të pallateve, ku ndalohet me ligj çdo lloj ndërtimi. 4. A ndiheni përgjegjës se për interesa familjare keni shkelur ligjin? 5. Si është paguar firma e ndërtimit apo janë shpërblyer me leje ndërtimi? 6. Përse nuk është deklaruar as sot origjina e 100 mln lekëve kredi pa interes, përse nuk deklarohet marrësi ose dhënësi i këtyre lekëve? 7. A janë deklaruar në organet tatimore këto 100 milionë hua dhe a janë paguar taksat që i korrespondojnë shtetit. Pra, po e nisim nga pyetja e parë, sa projekte ka ndarë zonja Basha me Kosta Bajrabën gjatë viteve të bashkëpunimit të ngushtë të tyre?
Më lejoni të bëj një parashtrim të shkurtër para se të përgjigjem. Unë jam akuzuar, jo nga PD fillimisht, me çështje që janë lehtësisht të verifikueshme dhe të identifikueshme për çdo njeri që do ta kishte marrë përsipër dicka të tillë. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi, por dua të falenderoj ato media që shkuan përtej këtij ping-pongu dhe zbuluan pjesërisht diçka që ndodhte lidhur me këtë rast. Ndërkohë, dua të falenderoj posaçërisht prindërit e mi, xhaxhain tim, të cilët kokëulur dhe me bindjen e tyre kanë investuar për atë shtëpi dhe ju desh në një moment të caktuar të tërhiqeshin në një vorbull agresioni të paprecedent, duke parë se si njollosej në media investimi i bërë prej tyre me djersën e ballit. Dua të falenderoj posaçërisht xhaxhain dhe vëllain, sepse mua më bënë që të mos ndihem tërësisht keq teksa shihja që xhaxhai, i cili ndonëse pensionist nuk e ka ndërprerë punën, për shkak të telefonatës së një fqinji i duhet të lerë punë dhe të shkojë në shtëpi, pasi tek dera kishte njerëz që nuk ishin dashamirës. Vëllai, pas dhjetë vitesh në emigracion, u kthye me dëshirën për të investuar të gjithë kursimet e veta në atë shtëpi në tokën e të parëve tanë. Ndërkohë, shikoja edhe nënën time, e cila është prej kohësh e sëmurë, e shikoja ashtu të trishtuar dhe ndërkohë përpiqesha që ta qetësoja e shikoja babain që vuante ndërkohë që të gjithë familjet e vjetra tiranase dhe qytetarët e vjetër e njohin si një njeri të urtë dhe të virtytshëm.

Duke iu mirëkuptuar në këtë parantezë, le të kthejmë disa përgjigje. Sa projekte keni ndarë me zotin Bajraba?
E kuptoni se çfarë ndodh, merren emra, merren fjalë, merren ngjarje që kokolepsen me njëra-tjetrën, fillojnë krijohen fjali, përfitime dhe bashkëpunime e kjo bëhet thjesht për të tërhequr njerëzit në një rrugë gjykimi që është e çoroditur dhe e imponuar për të shkuar në një drejtim që këtyre njerëzve u intereson.

Mbi bashkëpunimin me Bajrabën?

Unë nuk kam bashkëpunuar me Kosta Bajrabën në asnjë projekt institucional. Jam përpjekur shumë të kujtoj se kur mund të kem pasur bashkëpunim me të, përveçse kujtoj që ka qenë një bashkëpunim në përgatitjen e raportit të zhvillimit njerëzor në 2002-n, kur Bajraba mori pjesë së bashku me shumë ekspertë të tjerë në përgatitjen e atij raporti. Disa prej atyre ekspertëve janë në funksione drejtuese në ekzekutivin e sotëm, ndaj është njësoj sikur opozita sot të më akuzojë përse kam punuar me figura të mazhorancës. Zotin Bajraba e njoh si një ekspert të çështjeve sociale dhe një njeri të angazhuar në mësimdhënie, por kjo nuk do të thotë që një njeri që ka bashkëpunuar me të, të shihet sot si një njeri që duhet sulmuar nga qeveria apo institucionet e tjera.

Cila ishte natyra e zyrës në të cilën punonit gjatë gjithë këtyre viteve?
Punoja në një organizatë joqeveritare dhe jap ekspertiza për institucione të ndryshme ndërkombëtare. Organizata ku punoj ka marrë 0 lekë nga fondet publike. Organizata në të cilën unë punoj, që në fillim ka vendosur që të mos financohet nga fondet publike për të garantuar pavarësinë. Mendoj që ky vendim është ruajtur me fanatizëm dhe është arsyeja pse ne jemi parë si një organizatë që jep shërbime me cilësi.

Kur marrëdhënia juaj me Edi Ramën u kthye nga njohje shoqërore në dicka tjetër?
Unë Edi Ramën e kam njohur kur nisi të ndryshonte Tiranën dhe shkas për këtë është bërë një mbledhje që bëhej për hartimin e raportit të shërbimit njerëzor në 2002, ku ai ishte pjesë e grupit kryesor sepse ishte me ide të avancuara në procesin e decentralizimit. Marrëdhënia ka ndryshuar shumë vite më vonë, pas një marrëdhënie normale shoqërore prej disa vitesh.

Cili është historiku i pallatit 5-katësh ndërtuar në lulishten e pallateve, të firmosur nga Edi Rama, kur ishte në krye të bashkisë, e që sot është në qendër të akuzave të PD-së.
Kjo është një shtëpi banimi për dy familje, 3 kate, një papafingo dhe një bodrum. Sa i përket historikut, është ndërtuar në një truall që i përket familjes Basha. Babai im është lindur në një shtëpi që është ndërtuar që në vitin 1930 në atë trual. Në vitin 1995 kjo tokë iu kthye trashëgimtarëve dhe u ndërtua një mur, ka qenë e rrethuar gjithë kohës, që tregon se asnjëherë ajo fushë nuk është përdorur për shesh mes pallateve. Ky është realiteti deri në momentin që në vitin 2004, xhaxhai dhe vëllai im nisën procedurën për të marrë një leje ndërtimi për të rindërtuar një shtëpi që kishte qenë në themel të trashëgimisë sonë. Të gjitha hallat e mia kanë marrë vendimin që këtë truall t’ia trashëgojnë xhaxhait dhe babait tim. Nga ky ndërtim kanë përfituar dy familje, familja e xhaxhait tim dhe ajo e vëllait tim që e trashëgoi nga babai im. Kjo nuk është një banesë e bërë për arsye shitje dhe fitimi. Kjo është një banesë e bërë për të jetuar ata që e kanë ndërtuar.

Keni patur kontakte me Ramën në 2005-2006 kur është marra leja për këtë ndërtesë?
Unë nuk kam patur asnjë kontakt të këtij lloji dhe nuk i kam kërkuar asnjë favor Edi Ramës për këtë leje ndërtimi dhe është aq e vërtetë kjo, sa në momentin kur ishin mbaruar letrat, një pjesë e familjarëve të mi gjithmonë thonin, se nëse ‘nuk na e jep ai i gjati ne kemi ata tanët në KRRT’, sepse ishte institucion i përbërë nga anëtarë të qeverisë qendrore të djathtë, sic ishin edhe disa nga anëtarët e fisit tim. Është e paprecedentë që tek dera e shtëpisë të vijnë një grup njerëzish që nuk kanë asnjë lidhje me lagjen dhe të ushtrojnë atë presion. Xhaxhai im dhe vëllai im janë në punën e tyre dhe nuk i kanë hyrë në hak askujt. Unë falenderoj fqinjët që reaguan për atë formë agresioni.

A keni qenë ju në konflikt interesi në rastin e lëshimit të dy lejeve të ndërtimit?
Tiranësit mes shumë cilësive kanë 3 kryesore, 1 merren vetëm me punët e tyre, dhe po të shikosh Tiranën e vjetër nuk ka sherre 2, tiranësit e respektojnë ligjin edhe shtetin dhe shpesh kjo u merret si dobësi dhe frikë dhe 3 mes vetes së tyre gjërat i zgjidhin me tolerancë. Unë do të thoja që duke ditur këto 3 cilësi të tiranasve vëllai dhe xhaxhai im kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore për të marrë lejen e ndërtimit. S’ka konflikt interesi.

Cfarë duhet të mendojë njeriu i thjeshtë kur sheh foton e ndërtesës së ndërtuar pas vitit 2006 dhe të firmosur nga bashkëshorti juaj?
Ai nuk është pallat. Është një banesë me 3 kate, ku dy trashëgimtarët e saj kanë vendosur që të jetojnë bashkë me familjet e tyre. Duhet të kujtojmë se leja është kërkuar në 2004 dhe është marrë në 2006. Një person që e shikon atë duhet të sjellë proverbin, që kur i ndodh dicka fqinjit, prite tek dera jote.

Pyetja e radhës e PD është: A ndjeheni përgjëgjës që për interesa familjare keni shkelur ligjin me ndërtesën ku investitorë është një pensionist dhe një i vetëpunësuar?
Investitorët janë xhaxhai im dhe vëllai im. I bëj një pyetje kryeministrit që i ka dhënë edhe një faturë prej 2 milion euro kësaj shtëpie, me cfarë parash i ndërtuan dhjetëra mijëra shtëpi 2-3 katëshe shqiptarët anëmbanë Shqipërisë, ato shtëpi që kryeministri shprehet krenar a thua i ka ndërtuar vetë? Unë nuk pres që kryeministri të marrë përsipër të bëjë ekonomistin, por pres që kryeministri të qendrojë në misionin e tij kushtetues.

I vetmi person me të ardhura që diferencon në ndërtimin e saj je ti. Sa lek ke hedhur ti?
Zero lekë.

Pyetja e 5: Si është paguar firma e ndërtimit? Me para apo me leje ndërtimi apo me kontrata të tjera të favorshme nga bashkia?
Futen në këtë vorbull agresioni edhe ish-pronarët, firmat e ndërtimit e me radhë. Unë këmbëngul që kryeministri duhet të qendrojë misionit dhe detyrimit kushtetues për të mbrojtur cdo qytetar të Republikës së Shqipërisë, ku përfshihen edhe sipërmarrësit.

Ju nuk keni dijeni që kjo firmë mund të ketë konflikt interesi me bashkëshortin tuaj?
Absolutisht që jo.

Ndalemi tek një tjetër temë, kredia 100 milionëshe. Pyetja e formuluar është se pse nuk është deklaruar as sot origjina e 100 mln lekëve kredi që Linda ka dhënë apo marrë, pse nuk deklarohet në ILDKP?
Unë do doja të formuloja akuzën që më është bërë atë ditë. Është thënë shprehimisht që Linda Basha ka marrë një hua pa interes 100 mln lekë nga persona anonimë me thasë, a thua unë isha personi…; kjo është akuza. Unë doja ta them qartë dhe prerë që unë në jetën time nuk kam marrë asnjëherë asnjë para borxh, nuk kam marrë asnjë hua. Unë në deklaratën time të pasurisë në 2010 kam shprehur qartë se kam lënë hua pa interes 70 mijë euro dhe këto para ja kam dhënë motrës time dhe ne tiranësit dhe të tjerë në gjithë Shqipërinë, kur japim hua diku, e japim pa interes. Nuk është e vërtetë që personi është anonim, personi ka emër mbiemër të deklaruar në deklaratën time të pasurisë, por është konfidenciale, për të mos cënuar privatësinë e personit që nuk është publik. Nuk janë 100 milion lekë, janë 70 mijë euro, që të kthyera në lekë janë 10 milionë lekë të reja. Në ILDKP kam vënë në dispozicion edhe burimin e të ardhurave të mia. Motra nuk ma ka kthyer ende borxhin dhe në momentin që do ma kthejë do të jetë tek deklaratat e mia të pasurisë.

Sa të pasur jeni?
Unë jam profesioniste që kam 25 vjet në karrierë dhe jam e edukuar dhe mësuar të punoj pa orar dhe të sakrifikoj si shumë shqiptarë të tjerë që kanë përmirësuar ndjeshëm jetësen e tyre. Ata që më njohin mua e kanë kuptuar dhe e dinë se me jetën modeste që bënim ne, pa shumë argëtime, ne kishim krijuar një mirëqënie të caktuar. Unë jam një njeri që kam 25 vjet që punoj në mënyrë intensive dhe jam përpjekur të përmirësoj mirëqënien time dhe familjes time dhe e vazhdoj këtë punë. Të ardhurat e mia janë 6.5 milion lekë në vit dhe në këto nivele vazhdojnë. Këto janë të ardhurat e mia personale mesatare vjetore. Ne jemi të dy në punë dhe e dyta Edi, pas librit ka edhe të ardhura shtesë që janë marrë nga libri i tij.

A janë deklaruar në organet tatimore dhe a janë paguar taksat për 100 mln e kredisë pa interes?
Këto janë pjesë e kursimeve të mia dhe kjo është një përgjigje fare e qartë, janë paguar.

Një pjesë e publikut ka dilema mbi aktivitetin tuaj privat…
Unë nuk besoj se opinioni publik e ka të vështirë të kuptojë të gjithë këtë rrëmujë të lajmesh të këtyre dy javëvë. Unë jam këtu për atë pjesë të opinionit publik që e sheh me skepticizëm. Për njerëzit që mua më njohin nuk ka nevojë që unë të dal.

Krijohet një ide se raporti juaj me zotin Rama është jo vetëm emocional dhe shpirtëror, por edhe marrëdhënie kontratuale biznesi?
Janë sulme, shpifej dhe gjithë kjo vetëm për shkak se Edi kërkon të bëhet kryeministër, kërkon mandatin dhe bëhet gjithcka që Edi të mos e marrë këtë mandat, mos bëjë atë që ai ka pasion, që është ndryshimi dhe kjo është arsyeja që lëshohen të gjithë këto akuza në mënyrë që njerëzit të coroditen e të thonë që në këtë vend të gjithë janë njëlloj e të mos kenë fuqi për të sjellë ndryshimin që shoqëria ka nevojë.

Duket sikur e keni parandjerë këtë sepse pas martesës jeni dorëhequr nga Sorosi dhe jeni akuzuar nga vajza e kryeministrit? Pse i ndërmorët këto veprime?
Unë kam dhënë dorëheqjen nga kryetare e bordit të Sorosit për të cliruar vendimmarjen e fondacionit nga kompleksi i afrimit tim me një njeri të politikës. Ata insistuan që unë të mos dorëhiqesha, por dorëheqja ime ishte e parevokueshme. Sa për mësimdhënien, ne ishim dakordësuar që unë të bëja një tekst për lëndën që jepja dhe që unë praktikisht nuk mora pjesë në mësimdhënie. Unë jam duke e bërë atë tekst dhe kjo është arsyeja që unë jam e obliguar tek ajo dhe jo në auditor.

Nga akuzat që iu bëhen nga PD, të cilët reaguan pas akuzave që iu bën nga PS. Si mendoni që ndjehen fëmijët e kryeministrit, djali dhe vajza që po sulmohen nga ato që kanë deklaruar?
Unë jam këtu për të folur se si ndjehem unë, të vërtetën time para publikut.

Ju e thatë që ky lloj sulmi duhet të përfundojë, po akuzat e PS si i gjykoni?
Nuk mund të ketë një përgjigje të rrumbullakosur sepse unë mendoj që të akuzosh familjarët e kundërshtarit politik ky është primitivizëm. Por nëse publiku apo rrethanat kërkojnë që njerëzit e lidhur me pushtetin apo kanë pushtet, atëherë mendoj që ky është detyrim dhe nuk është nevoja që ne të bëjmë ndonjë shpikje këtu, mjafton të shohim shembuj nga europa ku duam të shkojmë.

Burri juaj ka mbajtur post publik që në 1998. Dëgjuam nga të tjerë se kishte vetëm 3 mijë euro. Të gjithë ne menduam që deklarata kishte doza të forta komike. Si është e vërteta?
Kjo pjesa e 3 mijë euro është pjesë e të gjithë sulmit prej disa vitesh që bëhet ndaj Edit dhe Edi e ka dhënë vetë përgjigjen ku thotë që është spekuluar. Edi nuk është i pasur, por ka të ardhura. Edi Rama nuk ka qenë asnjëherë i pastrehë. Ai ka një apartement që e ka që prej viteve 80. Shtëpia jonë e re po ndërtohet në periferi të Tiranës, në një nga fshatrat që gjendet në zonën e Dajtit, 1 katëshe, me 1 mjedis ndenje dhe 3 dhoma gjumi, oborr të brendshëm dhe bodrum. E kemi bërë me mundësi për t’u vizituar nga miq sepse shtëpia ku jetojmë e bën të pamundur këtë. Shtëpia po ndërtohet me kursimet tona të përbashkëta, të miat dhe të Edit.

Kostoja?
Shtëpia do ndërtohet gradualisht. Është një shtëpi që të jep mundësinë që të mos shpenzosh shumë. Është bërë me beton me ngjyrë dhe nuk do ketë nevojë për lyerje, sovatim dhe as për mirëmbajtje. Me mbarimin e shtëpisë do të jenë të gjitha të deklaruara dhe arredimi do të bëhet pjesë-pjesë.

Sa i pasur është Edi Rama?
Edi Rama nuk ka zgjedhur të jetë i pasur dhe për këtë duhet ta besojnë të gjithë njerëzit kur ai thotë se unë nuk jam këtu për të fituar. Ne jemi një familje normale që mendoj se i përkasim shtresës së mesme.

Kjo e majta borgjeze…
Po iu jap një shembull, presidenti Bill Clinton që kishte me shumë zemër dhe ishte shumë i ndjeshëm ndaj njerëzve në nevojë, por vetë nuk kishte nevojë. As Robin Hudi vetë nuk ishte i varfër sa njerëzit që mori në mbrojtje.

Fëmijët sa imun do të jenë nga pushteti i prindërve të tyre?
Unë mendoj që ata do të arrijnë me formimin që kanë që të krijojnë identitetin e tyre përtej arrritjeve të prindërve të tyre.

Edi Rama kryeminsitër, Linda me se do merrej?
Me punën time profesionale, detyrën e gruas dhe detyrën e nënës.

Sa besim duhet të kenë shqiptarët që nesër nuk do shohin një “déjà vu” me ju?
Një pjesë e madhe e shqiptarëve e kanë kuptuar këtë gjë.

Ju patët premtuar që nuk do të dilnit në intervista publike, por ja ku jeni. Sa e sigurt jeni që nuk do ketë herë të tretë?
Sot këtu jam tërhequr nga një vorbull akuzash që më detyruan që unë të bëhem pjesë, jo për fajin dhe shkakun tim. Unë nuk kam protagonizmin që të zë ekranet, por nëse do të jetë e nevojshme për publikun për sqarime, sigurisht që do të jem sërish në televizion.

Familjarët e kryeministrit kanë hedhur në gjyq përfaqësues të opozitës. Do ndiqni të njëjtën rrugë? Do kemi procese gjyqësore Linda Rama vs PD?
Në familjen tonë ka patur një rast të tillë. Nënës së Edit, Anetës, një grua e adhurueshme e cila u gjend papritur e sulmuar nga një tufë shpifjesh nga foltorja e parlamentit. Me besimin tek institucuionet nëna e Edit iu drejtua gjykatës dhe e mbani mend që përgjigjja e gjykatës ishte që kryeministri për shkak të detyrës nuk ishte i dënueshëm, dmth kryeministri ishte në shërbim të vendit dhe shqiptarëve kur shante dhe shpifte për Aneta Ramën. Është edhe arsyeja tjetër që unë vendosa që të dal të komunikoj me njërëzit lidhet me fenomenin që po gërryen shoqërinë shqiptare, të luftës së kundërshtarëve politikë me cdo mjet, pa asnjë cak që kundërshtari politike të mos konkurojë lirshëm. S’do ketë proces gjyqësor.

*Marrë nga Top Channel

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja..com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë