"Po ju tregoj nje eksperiencë të përjetuar, vëzhguar, ndjerë e ndjekur me një përgjegjesi prej qytetareje që respekton të drejtat e njeriut dhe ligjin.
Konflikti është rreth një prone të familjes së Kolë Kuqalit, që ka qënë një nënpunës i ambasadës amerikane në vitet '30, i cili vdiq në tortura në kohën e komunizmit,për fajin e vetëm se kish punuar në atë ambasadë. Në oborrin e Ambasadës Amerikane këtu në Tiranë,në shenjë mirënjohje, shteti amerikan i ka ngritur një monument përkujtimor.
Vlerat e familjes së Kolë Kuqalit u trashëguan në dy mënyra: në formën e vlerave të marrëdhënieve njerëzore, demokratike, atdhedashurie, qëndrese,rebelimi,etj, dhe në formën e pasurisë së paluajtshme.Familja ime e pati fatin t’i trashëgojë të gjitha keto vlera. Nga ana tjetër është një shqiptaro-amerikan me emrin Bashkim Ulaj që ka pasur kurajon në këto vite të përbalte si emrin e pjëstarëve të kësaj familje ashtu dhe vetë pronën e tyre.
Historia është e gjatë dhe nuk dua të ndalem në detaje (kush do t'i njohë është i mirëpritur),por që më ka detyruar në nëntë vitet e fundit të përballem personalisht me fenomenin e bashkëjetesës të krimit ekonomik e politik,ta vëzhgoj e t'i ndjej nga afër erën e qelbur, të përjetoj tragji-komiken e tij, kam ndjerë deri në kockë pasojat e veprimeve apo dhe mosveprimeve të institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre në të gjitha nivelet. Rastësia e përfshirjes në të, e njerëzve të veshur me fuqi ekonomike dhe politike,më bënë të shoh përtej interesave personale dhe ta servir sot këtë histori në shërbim të vendit tim që ka nevoje për të bërë reforma të rëndësishme. Këtë eksperiencë unë e konsideroj si një pasuri komëbtare të mbledhur ndër vite, që duhet shkruar. Unë ve në dispozicionin tuaj, të mediave të shkruara e vizive, doktorantëve në drejtësi apo në magjistraturë,të psikologjisë e sociologjisë,të historisë,të shkencave politike e ekonomike…të gjithë atyre që duan të studjojnë fenomenin e kapjes së shtetit,politikës dhe institucioneve nga krimi ekonomik apo nga ekonomia e inkriminuar, një sasi të madhe faktesh e dokumenta, vendime prokurorësh e gjyqtarësh,ekspertiza firmash e shkrimesh, letra me përgjigje e pa përgjigje,qindra faqe të grumbulluara në vite nga marrëdhënia me institucionet apo individët që kam pasur të bëj në këto vite".
Si mund ta përkufizoni betejën tuaj në të gjitha hallkat e drejtësisë, të administratës. Si mund të përshkruani punonjësit e Shtetit. Si janë ata në këndvështrimin tuaj, në shërbim të qytetarëve?
"Kafka do ta kishte zili të ishte në vendin tim! Unë për hërë të parë në jetën time kam nisur të shkruaj diçka jashtë fushës së "psikopatologjisë ", ku psiko-patologjia më ndjek edhe pse dua ta mbaj larg në shpjegimin e fenomenit.
Personazhet e mi që fillojnë nga Presidenti i Republikes,që vazhdojnë me kryeministra, ministra e shefa kabinetesh,institucione si bashkia, prokuroritë,gjykatat,agjensi kthimi pronash, aluizëm, hipoteka, arkiva, KLD,etj, letra të shkruara,ballafaqime me personazhe të të gjithë spektrit të strukturave të personalitetit, jeta jonë e vërtetë.
Kur shkoja në protokollin e kryeministrisë, në kohën e Berishës e një zonjë e sjellshme që gjithnjë më priste e më shërbente,një dite qeshi e më tha: sa herë vjen ti këtu,i del një drekë tek kulla e Ulajve shefit të protokollit. Po në atë institucion, juristi që me priti disa herë,i venë nga kryeministri i mëparshëm,kur shihte letrat,vinte duart ne kokë dhe peshpëriste duke thënë se do heqë dore nga kjo çeshtje. Kam parë nje punonjëse të ambasadës amerikane që më priti në kafe,jo në zyrë dhe kur dëgjoi emrin e personit në fjalë, zgurdulloi sytë e më tha: A e di se po ndeshesh me një elefant ?...dhe iku si e pickuar. Kam parë nje shef kabineti të një ministri, që më puthi duart e më përgëzoi për kurajon, por që sigurisht nuk mund të bënte më shumë. Kam parë nje prokurore të trembur(moter deputeti te PD-se), që më thoshte për kokë të djemve vetëm ligjin njoh unë(që sigurisht e hëngri me bukë bashke),por edhe nga ato prokurorë që kishin kurajo të kthenin vendimet per t'u riparë që e vërteta të dilte.
Kam parë një gjyqtare që ulërinte pa shkak në seancë vetem per të trëmbur absurdin që prodhonte dhe një tjeter gjyqtare që merrte një ditë raport nga mjeku,vetëm se ishte urdhëruar që të mos vinte e të bënte seancën gjyqsore me mua. M'u desh të gjej mjekun për të ndaluar këtë marifet.Kam takuar sekretare e nënpunëse administrate që të flasin me mimike e të thone:të keqen së është buka e kalamajve! Kam dëgjuar në korridoret e prokurorisë së Tiranes të thonë: Xhevahire Brahjes(noteres së Ulajve) vetëm krevati i ka mbetur t'ja vemë këtu! Kam parë e dëgjuar Fetahun e hipotekës që të thotë me mburrje:katundar Tirone jom,boj atë që m'thonë ato lart! Kam parë e biseduar me një pjestar të klanit Ulaj që me një qetësi të frikëshme më tha: jo moj zonjë,nuk shkojmë ne tek prokurori,vjen prokurori tek ne. Kam parë në një mëngjes nënpunësin e komisionit të kthimit të pronave të më priste në zyrën e tij dhe ,pasdite me gjithë grua e femijë në zyrat e Gener 2.....e plot e plot te tjera që sigurisht do bëhen publike.
Konflikti juaj është me një nga biznesmenët më të suksesshëm të viteve të fundit. Në të vërtetë Bashkim Ulaj ka ndërtuar edhe qendrën e bukur ku është Coin, është shpërndarës i fibrave optike në gjithë vendin, ndërtues hidrocentrali mbi Valbonë.
A keni një mendimin tuaj për të pasurit e rinj në Shqipëri?
Unë jam në një moshë që i kam jetuar të dy sistemet,atë komunist dhe këtë që nuk di si ta quaj,mbase kapitalist.Njerëzit që punojnë,që kanë ide,që kanë dashamirësinë për të zhvilluar veten e vendin e tyre,shoqerinë,njerezit që respektojnë të drejtat e liritë e tyre dhe kryesisht të tjetrit,që respektojnë ligjet, unë i respektoj. Nese mbi këtë bazë venë pasuritë e tyre,përse jo! Por kur kujtoj historinë time me këtë të pasurin Bashkim Ulaj,që pa pike turpi më kërkon mua të bëhem pjesë e tangenteve që ai thotë se ka paguar për të marrë leje ndertimi,kur zbuloj se ai më ka falsifikuar firmën e më ka vjedhur idenditetin në aplikime,në kontrata e deklarata noteriale (dhe jo vetem mua),kur zbuloj se ai ka falsifikuar me dhjetra dokumenta pronësie,kur gjej akte shitjesh apartamentesh e dyqanesh me emrin e djalit tim si investitor e sipermarres dhe te gjitha këto vetem për të fituar e fituar pa u ngopur.
Atëherë në cilin lloj të pasuri ta fus unë ketë?
Ai nuk respektoi kontratën për shtesat që beri (rreth 350m2 me llogarinë e tij),ai përvetësoi 240.000 euro nga 5 vite qera të cilat i përvetësoi dhe më pas duhet të na i kthente...ai ka perfituar nga 142m2 të tjera tokë mbi të cilat ka ndërtuar 14 kate(1988 m2) duke falsiifikuar një vërtetim pronësie në emer te djalit tim. Llogaria është arithmetikë e thjeshtë për këto përvetësime vetëm me familjen time. Edhe sot që flasim, le të shkojë një kontroll dhe të shohë sa jau faturon njerëzve apartamentin e paguara 70.000 euro: i detyrojnë të firmosin për 25000 euro, dhe po nuk u binden,i kërcënojnë se do t'ja marrin apartamentin dhe lekët do t'ja kthejne kur t'i kene!(keto qe j'u thashë më lart jua dokumentoj.)
Unë dua që një ditë historinë e kësaj prone,që ka filluar si një histori e bukur e një marrëdhënie tërësisht njerëzore e familjes time me familjen Kuqali,t'ja tregoj mbesave dhe nipit tim pa m'u dridhur zeri e duke i pare ne sy....po Bashkim Ulaj, Isuf Celaj, Kujtim Dinaj, Xhevahire Brahja,apo përfitues të tjerë, si do t'ja u tregojnë fëmijëve të tyre, ç'do t'ju thonë për dokumentin e prokurorisë ku emrat e tyre dalin të parashkruar e të pa-dënuar për mashtrimet dhe vjedhjet e bëra?Do trimërohen?Puna e tyre!
Çështja juaj është aktualisht në Gjykatën e Lartë dhe nuk dimë nëse Drejtësia shqiptare do të shprehet drejtë siç i takon. Pavarësisht rezultatit. A keni një mesazh publik për zotin Ulaj, por edhe për të tjerë shqiptarë që mund të kenë përfunduar me dashje apo pa dashje në transformimin e pronës së tyre?
Historia ime nuk çudit askënd,pasi është historia e mijëra shqiptarëve.Gjyqtarët e gjykatës së lartë nuk dua t'i paragjykoj. Mesazhi për Bashkim Ulajn? Ditët kur ti falsiifikoje firmën time me qëllim vjedhjen,unë luaja e argëtohesha me fëmijet indonezianë të shpëtuar nga cunami.Kur ti e urdhërove Alaudin Malaj të jepte një vendim të turpshëm,unë e qerasa me çokollatë,pasi atë ditë bëja 60 vjeç.Kur ti detyroje avokaten tënde të vinte në seancë e sëmurë ku kollitej e pështynte gjak,unë tërhiqesha e nuk e kundërshtoja se ndjeja keqardhje për të....kjo eshte pasuria ime Bashkim Ulaj.Ti je një nga ata që ke dhënë e vazhdon të japësh një kontribut të jashtëzakonshëm për ta korruptuar e sëmurur këtë vend.Ti je një njeri që po lufton shumë që reforma në drejtësi të mos bëhet, pasi ti me ato që bën na thua :LIGJI JAM UNE.Ti je nga ato që ngre dhe të vdekurin nga varri për t'ja marrë pronën.Reforma në drejtesi do bëhet,pasi shteti që ty të ka dhënë pasaportën e dytë,Amerika,duket se e ka seriozisht të ndihmojë këtë popull të shpëtojë nganjerëz si ty! Ndrëkohë unë do vazhdoj me timen!
Njerzëve të thjeshtë që vuajnë pasojat e këtij përçudnimi që po bën kjo rracë zengjinësh te rinj me ta e me këtë vend,ju them se duhet të flasin e të bërtasin...mjaft më me perversë e paranojakë! Ky vend ka gra e burra,vajza e djem të mënçur e patriotë qe i duhet hapur rruga.Nuk mund të mbrojë secili interesat e ngushta pa u kujdesur edhe për interesat e përgjithshme.Bashkim Ulaj dhe tipa si ai nuk janë trima...ata provojnë nëpërmjet joshjeve, presioneve e kërcenimeve,por nëse do ndeshen në rezistencën e të gjithëve me te cilet kanë të bëjnë, nuk janë ata që fitojnë.Le t'i bëhemi barrikadë këtyre vese-bartësve duke bërë të mundur që ligji një dite të funksionoje!
Desha të shtoj diçka dhe për ligjëvënësit...të jesh i parashkruar,nuk do të thotë se nuk je fajtor për atë që ke bërë.Ashtu siç doni të pastroni politiken nga kriminelët,bëni edhe ligje për të pastruar biznesin nga kriminelët e parashkruar e të pa dënuar.Jam e sigurt se në këtë rast as Valbona nuk do shkatërrohet dhe gaz-sjellesi i TAP do gjente partnerë dinjitozë.
Prokurorisë do t'i propozoja të investigonte dokumentacionin mbi të cilin është dhënë leja e ndërtimit për pallatin e rrugës Mustafa Matohiti, ku sot jeton ish-kryeministri Berisha.
Së fundi,shpresoj që ambasadori amerikan,Z. Donald LU, të lexojë këtë intervistë, pasi në një lloj mënyre i jam përgjigjur edhe thirrjes së tij për të denoncuar.Nëse është i interesuar për emra gjyqtarësh e prokurorësh që "kanë ngrënë lugën e çorbës së prishur",ja ve në dispozicion së bashku me dokumentat perkatese.
Ju falenderoj për mundësinë që më dhatë !
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)