Gjon Karrica, pas suksesit që i sjelli kënga “Sex Toy”, e realizuar në bashkëpunim me Jessy Hennessy, godet sërish me një tjetër këngë. “E du një virgjëresh”, kënga e cila ka një tekst provokues vë në pah sjelljen e meshkujve shqiptarë të cilët vazhdojnë të ruajnë me fanatizëm ‘virgjërinë’. Në një intervistë për “Shqiptarja.Com” Gjon Karrica tregon se pse zgjodhi këtë temë për ta rikthyer në vëmendje, fiksimin e meshkujve shqiptar në lidhje me virgjërinë dhe thyerjen e tabuve përmes muzikës dhe tekstit. Kënga e cila vjen si bashkëpunim me producentin shqiptaro-zviceran Anton Nue, ku videoklipi është realizuar në Shqipëri. Ndërkaq, videoklipi është komentuar shumë për faktin se përmban skena intriguese.
 
 
Pas “Sex Toy” tashmë keni zgjedhur një tjetër mënyrë provokuese për të qëndruar në tregun muzikor. Si lindi ideja?
Unë asnjëherë nuk jam në kërkim të opsioneve-mënyrave për të qenë në qender të vëmendjes, por diçka që është interesante dhe e pa trajuar. Kjo është idea. Inspirohem për të shkruar në gjëra jo fortë të zakonshme. Jam habitur kur kam dëgjuar edhe djem 13 vjeçar duke thënë se nëse nuk ju del nusja jo e virgjër, e vrasin. Ky është mentaliteti. Unë, jam ndalur pikërisht tek kjo pikë. Jam munduar që fantazinë time artistike ta vë në funksion dhe ka dalë ajo që tashmë është parë e komentuar gjërë e gjatë. Kam dëgjuar e lexuar se e kam bërë për të qenë në qendër të vëmendjes, ama seriozisht kjo nuk është arsye kryesore se përse e kam trajtuar këtë temë.
 
Mendoni se virgjëria vazhdon të jetë një tabu?
Them se kemi ndryshuar, por jo deri në atë masë sa të mos na bëjë fare përshtypje virgjëria. Është tabu, përderisa askush nuk dëshiron të flasë hapur. Fundja, janë zgjedhje personale.
 
Nga kush jeni ngacmuar për të realizuar këtë klip?
Nga djemtë për të cilët virgjëria e vajzave është e shenjtë.
 
E do vërtetë një virgjëreshë në jetën tënde?
Une nuk dashurohem në virgjeritet, as në fytyrë e ngjyrë. Dashurohem në cilësitë e një femre.
 
Pse zgjidhni gjithmonë tema të tilla për të realizuar klipi?
Këtë projekt e kam shkruar në vitin 2005 dhe pas vitesh e kam finalizuar. Arsyeja se pse zgjedh tema të tilla, është sepse kështu më thotë instikti im. E dëgjoj gjithmonë. Në këtë momente më tha të merrem me virgjërinë.

gjon karrica

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)