TIRANE- Ermal Kalemi, pronari i kompanisë “Kalemi Travel” ka treguar se aksidenti i autobuzit në Malin e Zi ka qënë një incident dhe se asnjë prej kompanive nuk është fajtore. Kalemi shton se kompania e tij, është përfolur në mënyrë të padrejtë si shkaktare e këtij udhëtimi që përfundoi me një person të vdekur, dhe se sqaron se “Kalemi Travel” ka pasur vetëm akomodimin në hotel të udhëtarëve dhe jo transportin e tyre.

Sipas Ermal Kalemit, transportimi i turistëve shqiptarë drejt Kroacisë është bërë nga autobusët e kompanisë “Klid Ballkans”, e cila ka kontrata me shumë kompani turistike, e cila merr përsipër vetëm transportimin e udhëtarëve. Biznesmeni 29-vjeçar tregon për gazetën “Shqiptarja.com” se pas ndodhjes së aksidentit ka qenë kompania e tij që ka paguar një autobuz tjetër, duke marrë turistët e aksidentuar dhe kthyer në banesat e tyre në Tiranë. Ai ka treguar se ka udhëtuar vetë në drejtim të Malit të Zi, ku është njohur me situatën, duke shtuar se gjithçka ka qënë një aksident dhe duhet të mbetet aksident, që fatkeqësisht i morri jetën një vajze të re.