Intervista/ Migric:Pse pranova të luaj
muzikë para ndeshjes Shqipëri- Serbi

Intervista/ Migric:Pse pranova të luaj<br />muzikë para ndeshjes Shqipëri- Serbi
Është i pari koncert i këtij lloji dhe vjen në një moment shumë domethënës. Bëhet fjalë për koncertin që do të jepet në lulishten prapa Kryeministrisë mes artistëve shqiptarë dhe atyre serbë, pikërisht një ditë përpara ndeshjes emocionuese të kombëtareve të futbollit Shqipëri- Serbi. Me një mesazh të fuqishëm miqësie, Shqipëria i tregon fqinjëve dhe mbarë  botës, se ne dimë të jemi vendi i qytetëruar i Ballkanit, kombi që di të njohë vlerat e artit dhe sportit e që di të garojë në ndeshje të ndershme, jo me gjuhën e dhunës, por me gjuhën e paqes. Ne jemi kombi që synon integrimin në BE, sepse meritojmë dhe jemi pjesë e Europës. Shqipëria dhe Kosova janë së bashku në këtë koncert me artistët më të mirë serbë. Ikonat e muzikës rock në Serbinë e viteve ’80, këngët hit që dikur dëgjoheshin me antenat e fshehura nëpër pallate do të vijnë të kënduara live, në mes të kryeqytetit nga vokalisti Filip Pat dhe grupi i tij, i përbërë nga Marko Nikolic, Ljubomir Sobotovic, Milan Sijak, Aleksandra Josic, Amir Karalic dhe Vlada Migric.

Një event i rrallë, i organizuar nga “Living Room Entertainment” do të bashkojë zërat e yjeve shqiptarë me ata të artistëve të njohur Serbë, në një koncert miqësie, që edhe një herë, më shumë se gjithcka do të nxjerr në pah anën më të mirë të shqiptarëve: mikpritjen. Artistët më të mirë të muzikës live; Kamela Islamaj, Marsela Cibukaj, Flaka Krelani, Eugent Bushpepa dhe Grupi “Na” do të sjellin live këngët më të njohura rock në vendin tonë, Në mbyllje, kënga “Imagine” e John Lenon, do të bashkojë zërat e të gjithë artistëve, në një performancë  të rrallë. Gjithçka live, të mërkurën, ora 19:00, në lulishten prapa Kryeministrisë, në një koncert krejtësisht të veçantë, për një mesazh të vërtetë: “Muzika bashkon njerëzit”.

I pyetur për pjesëmarrjen e tij në këtë koncert, bateristi i grupit serb Vlada Migric, flet jo vetëm për muzikën si një mënyrë për të afruar njerëzit, por edhe për arsyet që e shtynë t’i thotë “po” propozimit të organizatorëve shqiptarë të këtij koncerti.
 
Hera e parë që vini në Shqipëri?
Po është hera e parë. Ne nuk kemi qenë në Shqipëri, por me sa kemi dëgjuar ju e keni pëlqyer muzikën e mirë të kolegëve tanë që kanë luajtur në vendin tuaj. Ne dimë që  Bregoviç ka organizuar një koncert të madh dhe Zdravko Colic e kishte në plan. Sa për ne, më duhet të them që jemi të lumtur që jemi të ftuarit tuaj. Shpresoj t’i përmbushim pritshmëritë tuaja.
 
Çfarë dini ju për Shqipërinë?
Gjëra bazike. Gjëra që i kemi mësuar në shkollë. Gjithashtu kemi dëgjuar se Shqipëria ka një breg të këndshëm dhe gjithmonë e më shumë njerëz janë duke ardhur për pushime.
 
Cili është mendimi juaj për marrëdhëniet tona përgjatë viteve?
Ne jemi muzikantë dhe na pëlqen ta çojmë muzikën tonë tek të tjerët. Jemi të lumtur që juve ju pëlqen muzika serbe dhe që mund t’ju sjellim një pjesë të vogël të saj për audiencën tuaj.
 
Çfarë dini për muzikën shqiptare?
Sikurse e dini, ne ndajmë të njëjtat rrënjë/baza tek muzika ballkanike tradicionale. Ajo prek gjithashtu edhe bazat e muzikës moderne në Serbi dhe Shqipëri. Disa nga këngët më popullore të muzikës pop-rock serbe, janë ato që kanë brenda ritme tradicionale.
 
Çfarë ju bëri t’i thoni “po” idesë së një koncerti në Tiranë, pikërisht përpara ndeshjes? Ishte ky një vendim i vështirë?
Ishte mendimi për t’i afruar pak më shumë me njëri-tjetrin vendet tona. Përse të mos e bëjmë këtë përmes muzikës? Si profesionistë ne kemi luajtur në të gjithë globin në situata nga më të ndryshmet dhe ftesa juaj ishte interesante për ne. Ne kemi përfaqësuar vendin tonë në çdo vend ku kemi luajtur, ndaj edhe në këtë rast është e njëjta gjë.
 
Do ta ndiqni ndeshjen Shqipëri-Serbi dhe ku?
Ne jemi të gjithë muzikantë dhe kemi angazhime mbrëmjen e 8 Tetorit, por do ta mbështesim skuadrën tonë atë natë!

*Shkrimi u botua ne gazeten print Shqiptarja.com

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nënsekretarja e amerikane e Shtetit në Kosovë: Krijoni asociacionin, hap thelbësor në rrugëtimin euroatlantik

Nënsekretarja e amerikane e Shtetit në Kosovë: Krijoni asociacionin, hap thelbësor në rrugëtimin euroatlantik