TIRANE - Nard Koka, biznesmeni durrsak është kthyer në personazhin më të lakuar për kryeministrin Sali Berisha. E ka arrestuar policia në shtator 2005, ditën kur Berisha votëbesohej në Kuvend. Akuzat për kontrabandë cigaresh nuk u vërtetuan dhe ai doli shumë shpejt jashtë burgut.

Sot Berisha e akuzon si kumbarin e lidhjes Rama-Meta, por Koka, flet për gjendjen e Shqipërisë në intervistën për Shqiptarja.com: si vuan biznesi në vend; pse e akuzon Sali Berisha; çfarë duhet të bëjë kryeministri, i fundit “diktator” sipas tij në Ballkan, dhe cilat janë njohjet e tij politike.

Në asnjë rast nuk e mohon se ka një lloj ndikimi, apo influence në afrimin Rama-Meta, por, sipas tij, kjo ishte një kërkesë e kohës, jo e një individi të posaçëm sikurse Nard Koka. Sipas Kokës, Berisha do të banalizojë një moment historik, por do të flasë ndryshe, kur shqiptarët ta bojkotojnë në masë në 23 qershor, me një votë mbarëpopullore.

E dëgjuat Berishën sot, (dje) foli seriozisht për ju edhe njëherë për ju me akuza të ashpra për kryekontrabandist. Je ti një kryekontrabandist?
-Që Berisha ta verifikoj, nëse jam, ose nuk jam kontrabandist, ka rastin më të mirë sepse ka aleatin e vet, Shpëtimin (Idrizin), në koalicion. Me sa kam marrë vesh, e ka ndarë me Shpëtim Idrizin. Shpëtimi tani është në koalicion me Saliun dhe ai ka qenë drejtor i përgjithshëm i doganave dhe në atë moment kur mua më akuzonin për kontrabandë dhe nuk e di nëse dikush tjetër përveç Shpëtimit mund t’ia sqarojë më mirë nëse jam unë kontrabandist, apo të tjerë që ai i ka miq .

Po pse, çfarë di më shumë Shpëtim Idrizi në rastin konkret?


-Berisha ma ka kërkuar këtë kur më arrestoi. Unë nuk e kam e thënë. Nëse ai do, mund t’ia them në debat.

Atëherë mund të na e thoni tani, çfarë ka ndodhur kur Shpëtimi ishte drejtor?

Realisht ka ndodhur diçka: që cigaret nuk ishin të miat, anija nuk ishte e imja, unë nuk isha as blerës dhe as shitës dhe hyra në burg për kontrabandë. Më tepër e kupton vetë Berisha se kush e ka bërë kontrabandën.

Atëherë, ti je arrestuar në 9 shtator 2005, pikërisht ditën që ai ka marrë votbesimin në qeveri. Në një farë mënyre ne kemi shkruar atëherë që kjo është edhe një hakmarrje politike...

Po...

Kjo realisht është një hakmarrje politike?

As nuk bëhet fjalë fare, se mua ma ka shprehur vetë Sokol Olldashi. Dhe ma ka thënë se ditën që do të votohet qeveria unë do të të arrestoj ty. Kjo ngjarje ka qenë me dëshmimtarë, madje ka qenë prezent edhe “Sandri i Ngjalave”.

Meqënëse jemi te ngjalat...ngjalat kur u ul Rama me Metën i porosite ti?

Nuk e di, aty nuk ka pas fare ngjala. Nuk e di për çfarë ngjalash e ka fjalën Doktori. Dhe kur diskuton këtë punën e halave të ngjalave doktori, ndoshta nuk ia ka shpjeguar mirë as Genc Ruli që e njeh mirë punën e ngjalave, dhe duhet ta dijë që halat nuk ngecin se ngjala është pa hala dhe ka vetëm shtyllë kurrizore...nuk e di, s’e kam idenë pse doli kjo histori se ngjala nuk ka pasur...Apo mos ndoshta ngjalat shkasin tani për PD...

A, ju po thoni që në darkën Rama-Meta nuk ka pasur ngjala?

Jo, nuk ka pasur.

U shpik kot historia darka e ngjalave?


Ndërmjet dy miqve të mirë, dhe që ka qenë Berisha dhe të tjerët që i kanë futur gjithë kohën në sherr, këtu kam parasysh edhe të tjerë që kanë qenë në PS, nuk ka nevojë për ngjala. Aty ka vetëm nevojë për të qëndruar dhe për të folur për ide dhe strategji.

Po kush janë këta të tjerët që kanë futur Ramën dhe Metën në sherr?


Një ndër ata është Berisha. Të tjerët mendoj se avash-avash do dalin vetë me kohën.

Dmth janë brenda PS?

Kam përshtypjen, po. Ndoshta tani nuk janë, sepse mund të jenë larguar. Mos më kërkoni gjëra që nuk kam asnjë dëshirë për t’i rrëfyer në këtë intervistë. Që PS do të përfundonte këtu e di që në vitin 2000 kur një ish miku im më ka thënë që “unë do bëj atë në PS që PS nuk do ta marrë veten për 10 vjet”. Fatmirësisht, PS e mori veten...

Problemi është se ne e njohim PS, madje dhe kontributet e gjithësecilit. Dhe ke qenë një njeri shumë bashkëpunëtor i Fatos Nanos. Ai ka ndikuar për këtë?


Tani nuk është mirë që të flas për një njeri me të cilin kam qëndruar. Unë e kam pasur mik familjeje. Nuk është mirë të flas. Por nëse do them pse PS sot është katandisur kështu, për mua personalisht ka vetëm një fajtor, dhe ky është vetëm Fatosi.

Berisha edhe në mbledhjen e grupit parlamentar por edhe sot (dje) është marrë personalisht me ju. Praktikisht unë ju klasifikoj te biznesmenët. Ju jeni i tillë?


Patjetër.

Ndërkohë Berisha ju akuzon se ju jeni kontrabandisti që keni bërë lidhjen e Edi Ramës me Ilir Metën. Jeni ju ai që e keni bërë këtë?

E kush mund të mendojë të marrë autorësinë e bashkimit Rama-Meta? Ai që e mendon, për mua e ka gabim. Nuk është se e bashkova unë, x apo y. Erdhi koha mendoj unë se ata duhet të bashkoheshin. Duke parë gjendjen e Shqipërisë, që vendi po vuante nga sherret e të dy palëve, normalisht mendoj unë, kush do ishte në vend të tyre, detyrimisht do të bashkoheshin. Ishte e pamundur të rrinin të ndarë.
Unë sikurse çdo biznesmen në vend e vuaj gjithë krizën që ka përfshirë sot vendin. Dhe të mos jemi naivë: ka shumë kompani që nuk u janë shlyer borxhet që shteti ka ndaj tyre, ka një asfiksim të biznesit vendas deri në mbylljen e kompanive; ka gjoba që vendosen ndaj bizneseve për hir të interesave të ndryshme dhe më së shumti partiake. Unë nuk dua të di sesi ndodh dhe çfarë thonë raportet e Bankës Botërore apo FMN që monitorojnë vendin tonë. Por dua të them atë që ndjejmë ditë pas dite në punën tonë. Dhe e them me bindje se jemi në krizë, dhe se vetëm një rrotacion politik mund të ndryshojë mënyrën sesi do të ecin mekanizmat në vend.

Po pse, më duket se Ilir Meta ishte shumë mirë në qeveri. Njerëzit i kishte në administratë, partinë po e rriste ditë pas dite...


Nuk besoj se Ilir Meta mendon aq pak sa për të qenë në qeveri dhe për aq pak njerëz...

Nga e di ti si mendon Ilir Meta?

Po, unë kam qëndruar me të. Dhe e di shumë mirë që i vjen keq për Shqipërinë. Dhe për këtë të siguroj. Dhe nuk është çështja se mund të qëndrosh me një politikan dhe nga kjo varet gjithë lidhja që mund të kesh. Personalisht, edhe pse kam pasur këtë njohje, nuk kam shfrytëzuar asnjë moment as situatën dhe as rrethanat. Kushdo mund ta verifikojë këtë.

Ku e di ti këtë, përsa kohë që ti je një biznesmen, në rradhën e dhjetra biznesmenëve që e njohin një politikan si ai?

Për aq sa e njoh dhe për aq sa kam qëndruar me të, e di se i vjen keq për vendin. Dhe jam i bindur tani që bëri këtë veprim, që ai e mendon historinë dhe çfarë ndodh me vendin në momentet e vështira.

Po pse merret me ty Sali Berisha. Ti je një personazh kyç?

Nuk e kam idenë. Këtë pyetje që më bën ti ma bën edhe nëna ime. Më thotë se çfarë ka ai me ty. Dhe time mëje nuk kam çfarë përgjigje t’i jap. Saqë një ditë të bukur më tha se Saliu ishte bërë si “Tefi i Laçes”. Iu referonte njërit në Spitallë, njëri “Tefi i Laçes” që mbante nja gjashtë qenë pas vetes dhe qentë lehnin, dhe ai lehte i pari dhe qentë pas tij. Nuk e kam idenë. S’e njoh as personalisht, asgjë prej gjë. Por vetëm nuk e di...Ai fëmijë ka vetë. Nuk e di, si mund t’i vijë atij po i shanë fëmijët e tij dhe aq shpejt. Dhe kam parë që kur dikush reagon për fëmijët e tij, ai reagon shumë ashpër në parlament. Po ime më, çfarë mund të mendojë kur reagon Sala për mua? Ajo nuk ka fuqi? Nuk është në parlament? Atëherë kjo nuk është e drejtë, sepse nuk ka çfarë t’i bëjë Saliut.

Po nëse ti ndjehesh i fyer nga Sali Berisha, pse nuk e hedh në gjyq?


Te cila gjykatë ta çoj? Te ky që ka vënë në Gjykatë të Lartë? Ky Ndreca, çfarë quhet ky? Më thoni një emër në gjykatë dhe unë e çoj..

Pra ti nuk beson te drejtësia?


Sepse unë e kam hequr në kurrizin tim dhe e di shumë mirë. Më shtynin seancat pa fund, dhe gjykatësi me prokurorin më sillnin haber e njerëz se mos shkruanin gazetat derisa të bëhej gjyqi.

Ti je arrestuar në 9 shtator 2005 ditën që mori votbesimin qeveria “Berisha”. Ti e mendon tërësisht politike këtë?


Po ti si e mendon?

Mendoj se shteti ka ca argumente për arrestin...


Po pse nuk e linte dot në datën 10? Pse pa hyrë Berisha në zyrë donte të më arrestonte?

Po pse, çfarë i bën ti Sali Berishës që donte të të arrestonte?


Nuk e di. Duhet të pyesësh Saliun. Ndoshta ka nevojë të vizitohet, të mjekohet. Ndoshta ka fiksime që këtij njeriu duhet t’i bëj këtë të keqe në një x ditë.

Pse je përfshirë ti personalisht në tryeza politike, kur ti ke një vëlla që e ke në fakt deputet?

Unë jam lidh me politikën rastësisht prej Fatos Nanos. Dhe kjo është evidente. Por më vonë, pas arrestimit tim politik, mendoj se gjithçka më shumë u komplikua. Ndoshta Saliu mendon se duke njollosur emrin tim, mund të prishë emrin e vëllait tim deputet. Por të gjithë në Durrës e njohin shumë mirë, dhe çfarë ka bërë për Durrësin Teri dhe si ka qenë më parë situata. Nuk ka kthim pas në gjithë atë që ka ndodhur dhe që do të ndodhë. Ndryshimi është i pashmangshëm. Le të merret Sali Berisha me emrin dhe personin tim. Le të merret me lidhjet e mia apo edhe me Ngjalat. Ajo që do duket qartë, do të jetë në 23 qershor, datë në të cilën unë mendoj se gjithë shqiptarët do të dinë sesi të vendosin për të ardhmen e tyre. Unë personalisht dua që fëmijët e mij të rriten në një Shqipëri që nuk vuan krizën ekonomike, apo krizën në demokraci e në gjyqësor. Uroj që këtë gjë ta mendojë edhe Sali Berisha. Mendoj se çdo gjë, do garantohet edhe për të pas zgjedhjeve të këtij viti. Çdo makinacion që kërkon të bëjë me institucionet, në dëm të një procesi tërësisht demokratik, do t’i kthehet kundër, në një handikap, për të cilin do të mendohet gjatë. Duhet të largohet nga politika, jo me njollën që mund të jetë diktatori i fundit në Ballkan, por me shëmbullin, që mund të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në fakt, jam duke kërkuar shumë nga Saliu. Ai nuk i njeh këto koncepte.

Intervista u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)