Intervista / Paralajmërimi i deputetes , Elena Xhina i përgjigjet Idrizit: PDIU më mbylli dyert

Intervista / Paralajmërimi i deputetes , Elena Xhina i përgjigjet Idrizit: PDIU më mbylli dyert

Elena Xhina, deputetja e PDIU

Deputetja e zgjedhur nën siglën e PDIU, Elena Xhina, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, i është përgjigjur akuzave të kreut të PDIU, Shpëtim Idrizi, i cili e ka konsideruar atë deputete aksidentale dhe se nuk e di se ku janë zyrat e PDIU. Xhina thotë se është përpjekur të ofrojë kontributin maksimal në PDIU, por dera e kësaj partie ka qenë përherë e mbyllur. E pyetur mbi afrimin e Shpëtim Idrizit me PD, Xhina tha se do të rishikojë pozicionin e saj në raport me PDIU.

Intervista e plotë

-Z. Idrizi ju quajti deputete aksidentale dhe se nuk dini ku është selia e PDIU-së. Si ju përgjigjeni këtyre akuzave?

Lidhur me artikulimin e Z. Idrizi se ne deputetët e kësaj force jemi aksidentalë dhe nuk kemi qenë asnjëherë pjesë e PDIU-së nuk di se çfarë ka dashur të thotë apo të nënkuptojë dhe për këtë mund ta pyesni atë personalisht, por unë dua të theksoj faktin se nëse jam deputete aksidentale duhet të pyeten votuesit e Elbasanit, të cilët kanë vlerësuar personin tim duke pasur në konsideratë si karrierën time profesionale ashtu dhe veprimtarinë akademike prej pothuaj 15 vitesh. Për sa i përket deklarimit të Z. Idrizi se ne deputetët nuk dimë ku janë zyrat e PDIU-së dua të sqaroj se unë personalisht, në cilësinë e deputetes së PDIU-së vazhdimisht jam përpjekur të ofroj kontributin dhe angazhimin tim maksimal në PDIU, por për çudi dera e kësaj partie ka qenë përherë e mbyllur. Të paktën Z. Idrizi, kryetari i partisë ka qenë në dijeni të faktit se asnjëherë nuk i jam shmangur detyrimeve të mia që rrjedhin nga funksioni i deputetit kundrejt PDIU-së por përkundrazi kam qenë e gatshme dhe e hapur për të qenë sa më pranë kësaj force, por siç e përmenda më sipër, kurrë se kam kuptuar arsyen pse këto përpjekje të miat nuk janë mirëpritur dhe dera e PDIU-së ka qëndruar e mbyllur.

-Ju keni deklaruar se jeni deputete e pavarur. Çfarë kuptoni ju me këtë?

Është e vërtetë se nga ana ime është deklaruar se i përkas grupimit të deputetëve të pavarur në parlament dhe në atë kohë situatën time politike e kam sqaruar me anë të dy statuseve në rrjetet sociale. Lidhur me këtë deklarim sqaroj përsëri se termi i përdorur nga unë "deputete e pavarur", i përket terminologjisë parlamentare pasi duke qenë para faktit se PDIU kishte vetëm tre deputet në parlament nuk mund të formonte grup parlamentar dhe në këto kushte kur unë nuk i përkas asnjë grupimi parlamentar, i përkas grupimit të deputetëve të pavarur. Sqaroj dhe njëherë se deri më sot kam qenë përfaqësuese në parlament e forcës politike PDIU dhe në momentin që ndodhem para faktit që kryetari PDIU-së ka deklaruar se unë nuk jam dhe nuk kam qenë asnjëherë deputete e kësaj Partie, fakt të cilin e mësova nga mediat, do të reflektoj lidhur me pozicionimin tim politik.

-Zonja Xhina, kryetari i partisë që ju jeni zgjedhur deputete iu bashkua në koalicion PD-së. Ç’ndodh me ju në këtë pozicion?

Duke e parë situatën në dritën e fakteve konkrete, distancimi i PDIU-së nga unë si deputete e kësaj partie, ndryshimi i qëndrimit politik të PDIU-së, sigurisht që më detyrojnë që ta rishikoj pozicionin tim politik dhe të reflektoj, por ajo ç’ka dua të theksoj është fakti se prioritet për mua janë qytetarët e Elbasanit dhe votuesit e mi. Interesi dhe synimi im i vërtetë janë pikërisht këta qytetarë, mirëqenia e tyre dhe ngjyrat politike përballë tyre janë të parëndësishme për mua.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë