Në Shqipëri, një i ri që duhet të lerë shtëpinë për të ndjekur studimet e larta në një qytet tjetër, duhet të llogarisë shpenzime jo të vogla për të përballuar kostot e jetesës.
Studimi i Qëndresës Qytetare tregon se një studentit do t’i duheshin mesatarisht 602 euro në muaj, nga të cilat gati 60 përqind vetëm për ushqimin dhe akomodimin.
“Për ushqim mesatarisht një student studentët shpenzojnë 187 euro, për akomodim 169.2 euro, për rekreacion 116 euro, për materiale ndihmëse 44 euro, për transport 31.47 euro, për energji elektrike ujë dhe internet 29.3€, për literaturë 14.44€ në muaj, kjo e ndarë për telefoni 10.7 euro”, tha Kolindo Vjerdha nga Qëndresa Qytetare.
Sipas raportit, kostot e jetesës kanë ardhur duke u shtrenjtuar.
“Vetëm ushqimet kanë patur një rritje prej 35.6% në harkun kohor të këtyre katër viteve dhe ajo përbën edhe bazën më të madhe të një studenti apo koston më të madhe të një studenti në muaj”, thotë Vjerdha.
Strehimi, është problemi i dytë më i madh. Qiratë për një garsoniere variojnë mesatarisht nga 250 deri në 500 euro në muaj, ndërsa për një apartament 1+1 nga 350 deri në 700 euro. Për këtë arsye, ndarja e banesës me studentë të tjerë mbetet një nga alternativat më të përballueshme.
Për përballimin e këtyre kostove, 76.69% e studentëve mbështeten financiarisht te familja, qoftë dhe pjesërisht. Më shumë se gjysma, vijnë nga familje me të ardhura deri në 1 mijë euro në muaj, e për këtë arsye, janë të detyruar që paralelisht me studimet, të angazhohen dhe në punë, për të përballuar jetesën. Ndërsa për 19.26% puna e tyre është burimi kryesor i të ardhurave.
Si pasojë e vështirësive ekonomike 17.6% e studentëve në rang kombëtar, ose afërsisht 1 në 6 studentë mendojnë të ndërpresin studimet për shkak të pamundësive financiare.
Raporti evidenton edhe një rënie të numrit të studentëve në Shqipëri.
Rënia është evidentuar në universitetet publike, me 14.28%, ndërsa universitetet private kanë shënuar rritje prej 18.34%.









Komente
Komento