Sot, gjendet në listën fituese të deputetëve socialistë për qarkun e Tiranës, duke përfaqësuar Kavajën.
Quhet Parid Cara dhe pyetja e parë që të vjen në mend është sesi kanë menduar prindërit kur i kanë vënë emrin e një princi trojan, që e gjejmë në mitologjinë greke, e pikërisht në Iliadën e Homerit.
Të gjithë qeshin kur e kujton këtë detaj. E në fakt, Paridi vjen për të rrëmbyer jo më një “Helenë”, por zemrën e gjithë qytetarëve të vendlindjes së tij, Kavajës.
Paridi vjen nga fisi Cara, një ndër fiset më të mëdha të Kavajës. E nisi rrugën e vështirë të emigracionit në vitin 1991. Asokohe, nuk kishte menduar se do të rikthehej në Kavajë në mënyrë përfundimtare ndonjëherë. Jetën dhe biznesin e ndante në shtetin fqinj, duke investuar mund e djersë, për të qenë një sipërmarrës me shumë peshë.
Andej, përtej detit, u lidh në martesë, dhe filloi të rriste edhe dy fëmijët e tij. Sot, e gjen në mes të Kavajës, pas prezantimit që të dielën ia bëri kryetari i PS, Edi Rama, si një ndër prurjet e reja dhe më prestigjoze të Partisë Socialiste dhe qytetit të tij të lindjes.
Paridi akoma nuk është mësuar me gazetarët, kamerat, politikanët. Thotë se në Kavajë e njohin të gjithë si çun kavaje. Ashtu sikurse u bind për t’u rikthyer në qytetin e tij të lindjes për ta përfaqësuar atë denjësisht në parlament, sapo pa një histori suksesi që po lindte për qytetin e tij. Ishte shpresa ndryshe që dha kryetari i Bashkisë Elvis Rroshi, i kandiduar në këtë qytet nga kjo forcë politike, dhe ndryshimet që po bëhen ditë pas dite në qytet.
Dhe menjëherë pas zgjedhjes së zotit Rroshi si kryetar bashkie, ecejaket e tij nga Bolonja drejt Kavajës u bënë më të shpeshta. Punët po ndaheshin në dysh. Duhet të vinte në Shqipëri, në Kavajë, t’i jepte një dorë mikut të tij për të rindërtuar qytetin e lindjes, duke financuar në projekte të ndryshme.
Shkurt, sfida e tij këtë radhë do të jetë për një zonë që për më shumë se 20 vite, e ka dominuar vetëm një emër: ai quhet Sali Berisha.
Parid, më thonë në Kavajë se ke qenë me PD në ato fillime. Madje fisi Cara është një fis që ka përkrahur këtë forcë politike. A është e vërtetë? Ç’të shtyu të kandidosh majtas?
Çështja e votës është e fshehtë (qesh). Po nuk e di sesi e kuptoni ju demokracinë? Në ato fillime, e duke vazhduar edhe sot, të gjithë jemi demokratë apo jo. E duam demokracinë të funksionojë, jo në ngërç, jo me diktat, jo me dhunë. Por me një ndarje të qartë pushtetesh, me një përfaqësim dinjitoz në të gjitha hallkat, duke menduar të përmirësojmë jetën e çdo shqiptari. E duam demokracinë të funksionojë për të zhvilluar ekonominë, për ta bërë biznesin të ecë përpara, për të kontribuar në rritjen cilësore të jetesës së qytetarëve që do të duhet të përfaqësojmë. Kjo na bën të gjithëve, qytetarë të përgjegjshëm që kërkojmë të ndryshojmë të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.
Po ju në fakt, si mendoni se do ta ndryshoni këtë realitet? Këtu për shumë vite ka qenë deputet kreu i PD, Sali Berisha, vetë Kavaja ka qenë një bastion i PD...
E kemi parë deri majin e vitit 2011 se çfarë u bë për këtë qytet, edhe pse ka pasur në Parlament zërin më të fuqishëm të së djathtës. Kështu sikurse aludoni e pyesni ju, duhej që Kavaja të ishte qyteti që do të kishte marrë më shumë investime, qyteti që do të kishte më shumë rrugë të shtruara, më shumë zhvillim ekonomik edhe për shkak të turizmit. Dhe e mendoni sesi ishte? Unë u largova nga Shqipëria që në moshën 14 vjeçare, isha fëmijë dhe u nisa drejt Brindizit. Me dëshirën e madhe për të ndryshuar në rradhë të parë jetën time. Pata në atë kohë ambicie dhe mendoj se pas 20 vjetësh them se ia kam arritur qëllimit. Tani, dua të mendoj më shumë për qytetin tim. Familja ime është ende këtu. Fisi im është këtu. Prindërit e mi janë këtu. Një jetë më e mirë për të gjithë qytetarët e Kavajës, me një ndryshim që jam i bindur se do të realizohet në 23 qershor.
Pse thoni kështu? Kavaja qeveriset nga e majta që nga maji i vitit 2011...
Po e vërtetë. Dhe shikoni si ka ndryshuar. Nëse e shohim pa emocionet politike që ndajnë njerëzit që prej 22 vitesh, do vërejmë se rrugët janë shtruar; është bërë ndriçimi i qytetit; kemi një qytet më të pastër dhe është investuar në disa shkolla, kopshte, mbjellje pemësh, gjithë këto, falë një pune ambicioze e plot kurajo jo vetëm e mikut tim Elvis Rroshi, por edhe stafit të tij në bashki e më së pari të qytetarëve të Kavajës, të cilët votuan ndryshimin, për të ndryshuar qytetin e tyre. Madje, kaq shumë punë është bërë në gati dy vjet, sa edhe presionet, apo mënyra sesi qeveria nuk ka dashur të ndihmojë me fonde për akset kryesore rrugore, kanë qenë biznesmenët e Kavajës, mes të cilëve dhe unë, të cilët kontribuuan për t’i dhënë një pamje tjetër qytetit. Duam që pas 23 qershorit, Kavaja të mos jetë qyteti “i penalizuar”, pa fonde e pa investime. Dua që në Parlament nesër dhe sot nëpër rrugë në takime me njerëzit, t’i bindim të gjithë se fytyra jo vetëm e Kavajës, por edhe e gjithë Shqipërisë, do të ketë një pamje tjetër: atë evropiane.
E lehtë për t’u thënë, e vështirë për t’u arritur...Në Kavajë më shumë ka dominuar e djathta...
Më vjen keq që bëni këtë përcaktim. Unë nuk i ndaj qytetarët e Kavajës në të majtë e të djathtë. Ne të gjithë, të majtë e të djathtë në bindje politike, duam të realizojmë projektin e madh të ndryshimit nëpërmjet një programi që rilind çdo qelizë “të vdekur” të qytetit tonë. Dhe kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet programit Rilindje që ofron Partia Socialiste.
Ju duhet të hiqni dorë nga biznesi juaj...
Për një ambicie më të madhe, për një angazhim më të madh jo vetëm për familjen time të vogël, por për qytetin tonë dhe për gjithë Shqipërinë, po, kam vendosur të heq dorë nga biznesi për të hyrë në politikë, ku jam i sigurt se ashtu sikurse rritëm atë biznes të vogël në Itali me vëllezërit duke hapur gati 120 vende të reja pune, do të duhet ta bëjmë dhe të kemi angazhim për gjithë shqiptarët.
Kush ua bëri propozimin për të qenë deputet i zonës së Kavajës?
Pas zgjedhjeve të majit 2011, kam ardhur shumë shpesh në Kavajë për të ndihmuar ekipin e ri të të zgjedhurve vendorë Elvisit dhe stafit të tij. Kam investuar në disa projekte të rëndësishme në vend. Dhe të gjithë bashkë në ato fillime menduam se gjithçka duhet të shkonte përtej investimeve të vogla. Dhe diskutimet erdhën natyrshëm. Nuk pati hezitime, nuk pati as moskuptim të situatës. Pati një dëshirë të madhe mes të gjitha palëve për të bërë më shumë për Kavajën e qytetarët e saj. Natyrshëm pas kësaj u takova me kryetarin e PS, Edi Rama, i cili dëgjoi projektin dhe ambiciet e mia. Dua ta falenderoj për fjalët e zgjedhura në prezantimin tim si kandidat për deputet të kësaj force fituese të zgjedhjeve të 23 qershorit, dhe ti garantoj, jo drejtuesit e PS, por qytetarët e Kavajës, se do të bëjmë gjithçka, do të bëjmë më të mirën për të ndryshuar qytetin tonë.
Pak e parakohshme. Kush tha se PS mund t’i fitojë zgjedhjet? Varet shumë dhe nga koalicionet...
Nuk ka asnjë diskutim, dhe asnjë dyshim se PS me gjithë aleatët që do të bashkohen në rrugën tonë të Rilindjes kombëtare do të fitojmë zgjedhjet. Dhe Edi Rama, do të jetë kryeministri ynë i ardhshëm. Nuk ka asnjë dyshim se Edi Rama ka qenë model frymëzimi për mënyrën sesi administron dhe ndryshon pamjen e qytetit, ashtu sikurse ndryshoi Tiranën. Ky lloj frymëzimi dhe ky lloj modeli është ndjekur sot edhe nga shumë bashki që drejtohen nga socialistët. Kështu ka ndryshuar sot edhe Kavaja. Dhe këtu nuk flitet për “makiazh” apo “bojatisje”. Flitet për ndërhyrje të thella, rrënjësore, për ndryshimin e pamjes së qyteteve. E pas 23 qershorit, do të ndryshojë pamja e Shqipërisë sonë dhe do të finalizohen muajt e vitet e gjata të pritjes për të qenë pjesë e familjes evropiane.
Po do të ndalem pak këtu meqënëse një pjesë të mirë të jetës, atë ndoshta më të rëndësishmen, të rinisë, e kaluat në një vend evropian si Italia. Si keni menduar të kontribuoni?
Po fillimisht kam përkrahur idenë dhe programin e Rilindjes Kombëtare për emigrantët. Jemi përpjekur dhe do të vazhdojmë të përpiqemi që në 23 qershor, ata të jenë pjesë e ndryshimit të madh, të një vizioni të ri që do të ndryshojë vendin. E mandej, për shkak të njohjeve dhe kontakteve dhe zhvillimit të biznesit në Itali, do të arrij të sjell në Shqipëri, biznese të fuqishme, për të rikthyer besimin e të huajve te rregullat e ndershme të lojës dhe të konkurrencës në vendin tonë, ato ekuilibra, që siç e kemi parë sidomos në katër vjeçarin e fundit, janë prishur për shkak të korrupsionit, nepotizmit, harresës por edhe qëllimeve dhe ideve të mbrapshta për të zhbërë ndonjë punë të mirë, e për të orientuar biznesin drejt lidhjeve klienteliste. Unë mendoj dhe besoj, se si një zë i fuqishëm nesër në Kuvend, do të arrijmë të ndryshojmë perceptimin për vendin tonë, aty ku pjesa më e madhe e bizneseve të huaja gjithmonë janë ankuar se nuk ka rregulla loje, e se korrupsioni është pjesë e pandarë e makinerisë gjigande të shtetit.
Me fjalë të tjera do të vazhdoni të jeni biznesmen?
Unë do të jem deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për të luftuar që klima e biznesit të përmirësohet në Shqipëri. Sipas rregullave e ligjeve në Shqipëri, dhe sipas asaj çka shkruhet në dokumentin themeltar të shtetit, kushtetutën e Shqipërisë, do të heq dorë nga bizneset për të punuar për një sfidë më të rëndësishme për të gjithë shqiptarët.
Ju flisni sikur gjithçka ka mbaruar, kur kandidatët për deputetë nuk janë shpallur ende, e kur fushata nuk ka filluar akoma...
Po nuk është shumë e vështirë të hedhësh sytë përreth e të shikosh se kjo qeveri, nëpërmjet politikave të saj, e ka shtyrë vendin drejt një varfërie galopante. Nuk e shohin shqiptarët realitetin e tyre nëpërmjet botës virtuale që përpiqen të na tregojnë qeveritarët tanë. Kuptojeni se çfarë po ndodh. Dilni nga unaza e Kavajës e të shikoni rrugët nacionale të papërfunduara, që çdo ditë e më shumë janë kthyer në burim aksidentesh, madje edhe tragjike me pasojë humbjen e jetës së njerëzve. Shikoni biznesin e madh, i cili nuk po merr dot frymë për shkak të parave të padhëna të projekteve të realizuara; përpiquni të shikoni sesi ndryshojnë shifrat e inflacionit, rritjes ekonomike...I vetmi shpëtim i këtij vendi, është ndryshimi në mentalitet, ndryshimi në strategji, ndryshimi në sistem. Nuk janë shqiptarët njerëz të korruptuar, është sistemi i ngritur deri tani i korruptuar. Shqiptarët janë njerëz punëtorë. Gjithandej ku kemi shkuar nëpër botë, kemi treguar shembuj suksesi. E duam këtë, nëpërmjet Rilindjes Kombëtare, ta kthejmë në vendin tonë. Unë do të ngre zërin si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për më shumë reforma ekonomike për të hapur rrugën e investimeve të mëdha që garantojnë drejtpërsëdrejti hapjen e vendeve të reja të punës. Shqipëria me rreth një milionë të papunë, vuan sot. Dalëngadalë, hap pas hapi, do të ndryshojmë realitetin për të garantuar mirëqenien e gjithë shqiptarëve.
Shumë njerëz janë skeptikë për ruajtjen e votës. Keni menduar sesi do të ruani votat? Çfarë do të ndodhë me manipulimet?
Ja, edhe këtu duhet të ndalem. Këto pyetje ju gazetarët i drejtoni sikur vjedhja e manipulimi i zgjedhjeve janë kthyer në një standard, sikur të jetë një sistem. Askush nuk do të guxojë të prekë votën e lirë e të drejtë të qytetarëve jo vetëm të Kavajës, por edhe të gjithë Shqipërisë. Gjithë strukturat e partisë do të jenë të angazhuara për të garantuar që të jetë një proces transparent. Askusjt nuk duhet ti shkojë në mendje se vota mund të vidhet, të shitet, apo të blihet. Ne do të jemi aty, për të parë rast pas rasti që qytetarët të votojnë duke u bazuar në programet e alternativat që do të paraqiten, ku padyshim, alternativa fituese do të jetë programi për Rilindjen Kombëtare.
Si mendoni ta organizoni fushatën?
Do të jenë strukturat e Partisë Socialiste në Kavajë e rreth saj që do të jenë në një front të përbashkët, duke hyrë derë më derë, në çdo familje të Kavajës për të sqaruar qartë e me pika konkrete çdo ide e paqartësi që mund të kenë qytetarët; do të jenë strukturat e Forumit Rinor Eurosocialist që do të ndezin motorret e fushatës. Krah për krah me kryetarin e Bashkisë Elvis Rroshin, do të punojmë për ti bindur kavajsit për Rilindjen; çdo qytetar i Kavajës por edhe në të gjithë Shqipërinë, brenda e jashtë saj, do të jenë ata që do të bëjnë ndryshimin. Dhe ndryshimi ka filluar. E shoh këtë nga mesazhet e shumta, telefonatat e urimit që kam marrë jo vetëm nga qytetarët e Kavajës, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe jashtë saj, menjëherë pas shpalljes së emrit tim si kandidat për deputet i Partisë Socialiste. I falenderoj të gjithë për besimin e dhënë, dhe i garantoj të gjithë, se do të jem zëri i tyre në Parlament.
(Intervista u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com)
(bm/shqiptarja.com)