1781006385_Capture.JPG

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka prezantuar në një intervistë për “The Economist” reformat që po zbatohen në Shqipëri në sektorin e onkologjisë, duke theksuar se vendi po ndërton një model të unifikuar të kujdesit ndaj pacientëve me kancer.

Sipas saj, reforma bazohet në krijimin e Institutit Kombëtar të Kancerit, decentralizimin e kimioterapisë dhe imunoterapisë, modernizimin e radioterapisë, si dhe digjitalizimin e sistemit shëndetësor me përdorimin e inteligjencës artificiale.

“Kam ardhur në ‘Cancer Series’ këtë vit për të ndarë përvojën e ndërtimit të sistemit onkologjik në Shqipëri. Natyrisht, në evente të tilla jo vetëm që mëson, por edhe të tjerët mësojnë nga ty. Ne po ndërtojmë një model të unifikuar në të gjithë vendin. Jemi mjaftueshëm të vegjël për t’u reformuar me ritme të shpejta, por edhe mjaftueshëm të mëdhenj për të krijuar një model që mund të aplikohet në vende të ngjashme me ne. Në këtë kuadër, një nga reformat kryesore është reforma në onkologji, e bazuar në modelin ‘hub and spoke’.

Kjo nis me krijimin e Institutit Onkologjik, një institut kombëtar në Tiranë, Shqipëri, si dhe me decentralizimin e shërbimeve të kimioterapisë dhe imunoterapisë, në mënyrë që kujdesi të ofrohet sa më pranë pacientit duke shmangur mbingarkesën dhe përqendrimin në një pikë të vetme. Po ashtu, është bërë edhe modernizimi i pajisjeve kombëtare të radioterapisë, ku qendra kombëtare e radioterapisë shërben si e vetmja qendër kombëtare në vend. Paralelisht me reformën në onkologji, kemi nisur edhe reformën për përmirësimin e teknologjisë dhe digjitalizimin, përfshirë edhe përdorimin e inteligjencës artificiale në shëndetësi, e cila sigurisht do të ndihmojë edhe në onkologji. Dhe sigurisht kjo është një reformë ndërsektoriale, e cila do të ndihmojë jo vetëm në trajtimin e kancerit, por edhe në sëmundje të tjera kronike, gjë që është shumë e rëndësishme, sepse me plakjen e popullsisë, këto janë sëmundjet që prekin më së shumti qytetarët," tha ajo. 

Duke u ndalur te bashkëpunimi ndërkombëtar, Sala tha se sistemet shëndetësore duhet të ndajnë më shumë ekspertizë dhe përvoja konkrete, në mënyrë që inovacioni të mos mbetet vetëm në teori, por të zbatohet në praktikë.

“Unë mendoj se bashkëpunimi është thelbësor. Ne duhet të mbyllim hendekun ekzistues dhe hapi i parë është të pranojmë se ky hendek realisht ekziston. Ky hendek mund të lidhet me inovacionin, por në fakt, pikërisht inovacioni që të gjithë e kërkojmë po e thellon më tej këtë diferencë, sepse nuk po investojmë mjaftueshëm në zbatimin praktik të tij. Mendoj se evente të tilla janë një mundësi për të krijuar partneritete të mira bashkëpunimi. Por gjithashtu, besoj se duhet të gjejmë mënyra më praktike për të bashkëpunuar, përmes ndarjes së burimeve. Me ndarje burimesh nënkuptoj burimet arsimore, mënyrat e zbatimit në praktikë, si dhe mësimin nga praktikat më të mira nga një vend në tjetrin, por edhe krijimin e mekanizmave të thjeshtë, por shumë efektivë. Pra, një mënyrë e thjeshtë të menduari, me ndikim të lartë, si për shembull bordet ndërkombëtare të tumoreve. Dëgjuam disa shembuj këtu dhe ishin vërtet frymëzues. Kjo sjell ekspertizën në funksion të vendeve që ndoshta nuk mund ta përballojnë ose nuk kanë të njëjtin nivel ekspertize si vendet më të zhvilluara," tha ajo

Ministrja foli edhe për nevojën e krijimit të një sistemi të integruar për pacientët me kancer, ku të gjitha hallkat e kujdesit shëndetësor të funksionojnë të lidhura me njëra-tjetrën. Ajo theksoi gjithashtu rolin që mund të luajë inteligjenca artificiale në koordinimin e shërbimeve, ndërsa ngriti shqetësimin edhe për largimin e profesionistëve nga vendet më të varfra drejt atyre më të pasura.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme të kuptohet se sistemi i mbështetjes për pacientin duhet të jetë i unifikuar. I gjithë rrugëtimi i pacientit me kancer duhet të funksionojë si një zinxhir i vetëm për të mbështetur pacientin. Nuk mjafton të kesh shërbime të mira depistimi apo diagnostikim të hershëm nëse nuk ke, për shembull, kujdes të mirë terciar. Pra, ajo që do ta përmirësonte këtë është një sistem i ndërlidhur, ku të gjitha këto fusha dhe shërbime punojnë së bashku në mënyrë të koordinuar. Dhe mendoj se këtu kemi një mundësi të madhe në Europë, si në vendet e zhvilluara ashtu edhe në ato në zhvillim, sepse me ndihmën e inteligjencës artificiale mund të bëjmë një hap të madh përpara, duke integruar realisht të gjitha shërbimet në një sistem të vetëm të bashkërenduar. Pra, do të thosha se një rrugëtim i integruar i pacientit dhe një kujdes i integruar janë thelbësorë për të mbyllur hendekun ekzistues.

Inovacioni është shumë i rëndësishëm, por çelësi mbetet zbatimi i tij në praktikë. Duhet të jemi të hapur në ndarjen e përvojave. Besoj se ka shumë për të mësuar nga vendet e vogla dhe nga vendet me të ardhura të mesme. Kur ke më pak financim, kjo të detyron të jesh më kreativ. Dhe mendoj se ky kreativitet mund të ndihmojë edhe vende të tjera. Po ashtu, përvoja duhet të qarkullojë në të dy drejtimet, shkëmbimi i eksperiencave duhet të jetë reciprok. Por, është shumë e rëndësishme të dimë ta kapitalizojmë këtë kreativitet, si dhe të adresojmë një nga sfidat më të mëdha që kemi: burimet njerëzore. Duhet të punojmë në mënyrë kreative për të shmangur largimin e trurit. Sepse, në fund të ditës, Europa nuk është një e tërë nëse vendet më të pasura përfitojnë duke boshatisur vendet më të varfra nga profesionistët, vetëm për të përmirësuar shërbimet e tyre. Ajo që na duhet është të ruajmë kapitalin njerëzor brenda Europës" përfundoi Salla.