INTERVISTA/Gjoni: SHBA e BE investuan shumë te 3 partitë e mëdha dhe shumë pak tek ne! I zhgënjyer që Hajdari abstenoi në votimin e ndryshimeve në kodin zgjedhor

Në një intervistë për Report Tv, deputeti i opozitës së re Ralf Gjoni është shprehur i zhgënjyer nga ndërkombëtarët duke drejtuar gishtin nga SHBA dhe BE, sipas së cilit përpjekjet e tyre janë përqendruar vetëm që tre kryetarët e partive kryesore të arrijnë konsensus dhe thuajse aspak tek opoizta parlamentare. Gjoni ka shprehur hapur zhgënjimin edhe për deputeten Rudina Hajdari, e cila nuk dha votën e saj kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, por abstenoi. Kritika ka pasur edhe për Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi i cili tha se ka pasur progres dhe janë reflektuar rekomandimet e OSBE-ODIHR, ku për Gjonin, kjo nuk është aspak e vërtetë.

Lexoni intervistën e plotë të Ralf Gjonit për Report Tv.

Çfarë ndodhi në seancën e djeshme në Kuvend me opozitën e re? Deputetët e saj u akuzuan dy vite më parë se u përdorën nga kryeministri Edi Rama për të mbajtur pushtetin. Një pjesë mund ta kenë vërtetuar këtë gjë ditën e djeshme, ndërsa pjesa tjetër ka vendosur të votojë kundër ose të abstenojë për ndryshimet që u bënë në Kodin Zgjedhor. Një prej tyre është edhe zoti Ralf Gjoni. Ju e prisnit që zoti Rama mund të garantonte shumicën e cilësuar prej 84 votash, me 13 apo 14 vota më shumë?

Unë kam votuar kundër 5 qershorit, ndërkohë disa të tjerë kanë votuar pro 5 qershorit. Unë kam votuar shpirtërisht pro ndryshimeve kushtetuese. për shkak të infeksionit me covid-19 nuk munda të jem fizikisht në parlament, por e kam deklaruar votën time në mbështetje dhe kam votuar me koshiencë të plotë kundër ndryshimeve të fundit, masakrës së dytë të 2008-s, të kodit të fundit pra të kësaj jave, të kodit elektoral. Sepse për mua kjo është një 2008 e dytë. Edi Rama e vërtetoi që i ka votat e mjaftueshme në parlament. Unë mendoj se ajo që ka ndodhur dje, pavarësisht se mbart në vetvete shumë të këqija, është një gjë shumë e mirë.

Edhe pse jeni kundër dhe e quani masakër?

Patjetër. Do t’jua shpjegoj pse është gjë e mirë. Është gjë e mirë se më në fund mbaron lodhja dhe stërmundimi ynë duke provuar se kush është pro dhe kush është kundër, kush është majtas e kush është djathtas, kush është opozitar e kush është mbështetës i PS-së.

Nuk besoj se kishte shumë surpriza.

Nga dje, në Shqipëri politikisht fillon një realitet i ri. Ne sot nuk jemi më në të njëjtat kushte ku ishim të premten apo edhe dje në mëngjes. Nga sot e tutje çdo gjë, çdo marrëdhënie ndërveprimi mes deputetëve, marrëdhënia jonë me mazhorancën, marrëdhënia jonë me disa kolegë që janë ulur në karriget të cilat i përkasin opozitës në parlament, ridefinohen dhe çdo gjë ndryshon. Unë ka votuar kundër. Edi Rama e tregoi që i ka votat dhe i intimidon votat, si brenda mazhorancës së tij ashtu edhe brenda opozitës në parlament.

Çfarë do të thotë që i intimidon votat? Keni informacione ju, ndoshta edhe të provuara, që zoti Rama mund të ketë përdorur makinacione qoftë edhe me shitblerje apo me metoda të tjera për t’i marrë deputetët e opozitës sepse një pjesë e tyre kanë qenë edhe kundër zotit Rama p.sh., zotin Stojku e kam pasur para 2-3 javësh në studio dhe në njëfarë mënyre nuk ishte ndonjë mbështetës i madh dhe të linte përshtypjen që isht enjë opozitë ndaj Ramës, ndërsa sot tha që “mund të bëjmë edhe koalicion pas zgjedhjeve”, në qoftë se do të ketë çfarë t’i ofrojë Ramës.

Tani, unë nuk merrem me koalicionet, nuk dua të merrem me zotin Stojku as me emra të tjerë, se koalicion bëhet kur ke një parti politike, kur drejton një parti politike.

Mund të kesh edhe një mandat deputeti që e merr nga një parti tjetër dhe ia ofron një tjetre.

Nuk mund të bëjë një deputet koalicion me një parti politike.

Ka ndodhur disa herë në Shqipëri, zoti Gjoni.

Në Shqipëri çfarë s’ndodh. Qesharakja nuk ka kufij. Ajo që dua të them është se Edi Rama nuk ka nevojë të blejë vota me lekë. Edi Rama ka zyrën e Taulant Ballës në Kuvend, nga ku drejtohet dhe orientohet vota e grupeve parlamentare. Unë e kam ngritur shpeshherë këtë shqetësim dhe madje e thashë edhe në fjalën time të fundit dje, që nëse PS-ja do të votonte hapjen e listave unë do t’i kërkoja ndjesë Taulant Ballës për të gjitha akuzat që i kam bërë atij dhe përmendjen e emrit të tij. Por unë dje nuk munda t’i kërkoja dot ndjesë Taulant Ballës. Në fund të fundit është e drejta e tij si kryetar i grupit të PS-së që, në ndërveprimin që ka edhe me deputetë të tjerë qoftë brenda grupit të tij, qoftë jashtë grupit të tij, të mundohet që të shpjegojë pse duhet votuar kështu apo ashtu. Unë e kam thënë disa herë, në parlamentin shqiptar nuk votohet me ndërgjegje, ka vite. Në parlamentin shqiptar votohet me whatsapp, vjen urdhri nga lart, shpërndahet te kreu i grupit parlamentar. Kështu ka qenë edhe te PD-ja, edhe te LSI-ja dhe deputetët si dele ngrinin dorën.

Edhe kur ishit deputet i LSI-së, kështu ju vinin urdhrat?

Unë nuk kam qenë deputet i LSI-së.

Mund të keni qenë pjesë e strukturave ose keni informacione nga kolegët tuaj.

Unë kam qenë në një pozitë tjetër, ndoshta më të privilegjuar se deputetët e grupit në atë kohë, se isha pranë vendimmarrjes, pak më lart.

Prandaj e zhgënjyet zonjën Kryemadhi kur e pranuat mandatin.

Nuk më intereson më Monika Kryemadhi, sinqerisht, nuk më intereson më as LSI-ja, as PS-ja, as PD-ja. Pikërisht prej këtij mentalitetit të deleve, që si tufë e ngrenë dorën dhe votojnë pro apo kundër, me urdhër whatsapp-i. Për këtë arsye unë kam qenë edhe një nga, ndoshta më të flaktët, dhe ndoshta shpeshherë edhe e kam tepruar me agresivitetin në parlament, që të na dëgjohej zëri në favor të hapjes së listave dhe ndryshimit të sistemit. Tani, çfarë ndodhi? Ne e mbajtëm fjalën. E filluam këtë betejë më 2019, me angazhimin tonë në parlament.

Kur thoni ne, për kë e keni fjalën?

Disa prej nesh opozitarë, ekziston një grup prej 15-20 deputetësh që kanë qenë konsekuentë në opozitën që ata i kanë bërë mazhorancës gjatë një viti e gjysmë. Ne e mbajtëm fjalën. Filluam një betejë për hapjen e listave dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe në korrik e finalizuam mbajtjen e fjalës duke ndryshuar Kushtetutën. Me Kushtetutë listat janë të hapura 100%. Pra, të paktën 2/3 në Kushtetutë do të thotë që një parti mund të garojë edhe me lista 100% të hapura. Dje Edi Rama rimbylli listat me ligj. Tani, Kushtetuta prevalon mbi ligjin. Kjo do të thotë që, unë mund t’ju garantoj që sot, që ne flasim, është miratuar një ligj në letër. Nuk ka asnjë garanci që zgjedhjet e 25 prillit do të zhvillohen me këtë ndryshim të kodit elektoral që u kalua dje në parlament.

Si nuk ka garanci?

Nuk ka garanci se është ligj dhe ligji mund të ndryshohet çdo javë, mjafton që të krijohen kushtet ose klima politike e nevojshme brenda parlamentit për t’u ndryshuar. Por ka edhe Gjykatë Kushtetuese, e cila së shpejti, jo vitin që vjen por këtë vit unë besoj që do të jetë funksionale.

Ju mendoni që nga kaq shumë çështje që kanë shkuar në Gjykatën Kushtetuese, pikërisht kjo do të jetë e para që do të shqyrtohet?

Tani ne do të bëjmë çmos. Patjetër që duhet të jetë e para. Ka gjë më të rëndësishme sesa zgjedhjet?

Nuk ka afat kohor, nuk merren në varësi të një afati kohor çështjet që kanë shkuar në Gjykatën Kushtetuese?

Menjëherë këtë javë, disa prej nesh do të jenë në konsulta me disa ekspertë ligjorë për të hartuar edhe qëndrimin tonë ligjor ndaj ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.

Zoti Gjoni, kur thoni disa prej nesh, a mund të më përmendni disa emra të tjerë?

Nuk kam pse të flas si zëdhënës i të tjerëve.

Jo si zëdhënës, si drejtues mund të flasësh.

Po disa prej nesh që kemi votuar kundër dje.

Rudina Hajdari ka abstenuar.

Nuk kam folur me Rudina Hajdarin për asnjë lëvizje ligjore në kundërshtim me ligjin. Nuk e kuptoj pse vota e zonjës Hajdari dje ka dalë abstenim. Të them të drejtën jam i habitur nga kjo votë. Unë prisja që të ishte kundër duke pasur parasysh rrugëtimin tonë të muajve të kaluar, ashtu siç kam pritur që edhe vota e saj të ishte kundër 5 qershorit. Unë kam qenë i qartë për veten time.

Ajo nuk e firmosi në fund 5 qershorin.

Jo, e firmosi.

E firmosi me një kundërshti shumë të madhe. Ajo tha që “është jashtë vullnetit tim”.

Nuk kam ardhur këtu të merrem me Rudina Hajdarin. Rudina Hajdarin e kam kolege, e kam mbështetur, e kam ndihmuar që prej fillimit.

E kisha si pyetje se cila është marrëdhënia juaj me Rudina Hajdarin.

Marrëdhënia ime me Rudina Hajdarin është shumë korrekte, shumë e mirë. Nuk mund ta mohoj që kam një zhgënjim për sa i përket 5 qershorit. Unë kam qenë kategorikisht kundër 5 qershorit dhe e kam treguar këtë me votën time. Unë nuk mund të ndryshoj mendim sepse ndonjë përfaqësues i huaj, në emër të stabilokracisë dhe stabilitetit që i duhet Shqipërisë, zgjedh të mbështesë opsione stabilokracie. Unë jam për demokraci, jo për stabilokraci.

Pse gjithmonë në Shqipëri, sa herë që bëhen akuza, ka një lloj përgjithësimi. Kush janë këta ndërkombëtarë? Pse gjithmonë politika në Shqipëri flet pa emra, por flet me poste? Në këtë rast p.sh., kush janë ndërkombëtarët që nuk duan demokracinë por duan stabilokracinë?

Njëri nga emrat është komisioneri që vjen nesër, Varhelyi. Komisioni Evropian në raportin e tij ka thënë: “Përpjekje të jashtëzakonshme, progres i jashtëzakonshëm për reformën në drejtësi dhe për reformën elektorale”. Si mund ta quash progres të jshtëzakonshëm reformën elektorale? Si mund të thuash që janë përmbushur rekomandimet e OSBE-ODIHR-it kur nuk është adresuar asnjë prej rekomandimeve kryesore të OSBE-ODIHR-it, kur numërimi mbetet politik? Kur listat nuk janë hapur, por kjo nuk ka lidhje me OBE-ODIHR-in se është çështje e brendshme e jona. Kur nuk është reformuar asgjë? Dini ju që të jetë reformuar ndonjë gjë në administratën zgjedhore përveçse janë ndërruar disa trupa dhe janë vënë ca emra të tjerë?

Ata e quajnë progres të jashtëzakonshëm sepse më 5 qershor, u bë ç’ka u bë, palët ranë dakord.

Atëherë, unë nuk mund ta mohoj, si një evropianist dhe proatlanticist në të gjitha angazhimet e mia, jo vetëm politike këtu në Shqipëri por edhe jashtë para se të kthehesha në Shqipëri, nuk mund ta mohoj që jam shumë i zhgënjyer me mbështetjen e opsionit të stabilokracisë në Shqipëri në kurriz të demokracisë.

Edhe nga amerikanët?

Unë do të doja një angazhim amerikan më të fortë në mbështetje të demokratizimit të vendit dhe të reformës në drejtësi. Dhe më pak angazhim për të bërë bashkë tre persona, të cilët merren vesh me njëri-tjetrin me një të shkelur të syrit në ajër. Ata bëjnë sikur nuk merren vesh, por janë në sintoni të plotë. Edhe Edi Rama, edhe Sali Berisha, edhe Ilir Meta, unë besoj që kanë qenë dakord me çdo ndryshim që është bërë.

Harruat zotin Basha.

Basha dhe Kryemadhi janë dezhurn momental. Por flas për tre të mëdhenjtë, për tre titanët e politikës 30-vjeçare pseudodemokratike të Shqipërisë. Unë besoj që ka një sintoni të plotë për kodin elektoral dhe për ta mbajtur sistemin të kyçur e të mbyllur, për të ruajtur stabilokracinë. Dhe pritshmëritë e mia janë që SHBA-të dhe BE-ja ose strukturat, të jenë më të forta, më të guximshme, më të angazhuara për të na mbështetur neve që jemi, ndoshta kemi atë guximin e brendshëm për t’i bërë ballë kësaj që po ndodh në Shqipëri.

Gjithë ky zhgënjim i juaji që listat nuk u hapën 100%.

Listat u mbyllën dje, nuk u hapën fare, jo 100% por nuk u hapën fare. Edi Rama gënjen, është mashtrues, e ka patologji këtë punë. Gënjen, ka gënjyer edhe dje.

Nuk e kishit kuptuar këtë më 2019, kur mandati juaj dhe i kolegëve të tjerë e mbajtën në këmbë?

Unë kam qenë në tavolinë me Edi Ramën, në korrik, kur ai na premtoi që kjo do të bëhej me dakordësi dhe ndryshimet kushtetuese do të reflektoheshin në kod, në shtator. Unë kam ngritur shqetësime në parlament, por i kam ngritur edhe privatisht. Edhe me kolegët e mi, me zotin Murrizi, edhe me kolegë të tjerë deputetë, edhe me Rudina Hajdarin, edhe me ambasadorë të nderuar, edhe me Edi Ramën personalisht, edhe me Taulant Ballën. E kam ngritur dhe kam thënë: “Pse duhet të presim shtatorin për kodin elektoral? Këtu mban erë, mban era lojë”.

A keni një pjesë faji ju, që u mashtruat zoti Gjoni? Përderisa ai ju ka thënë që do të bëhet me konsensus, në njëfarë mënyre ju si deputetë mund të keni mbështetur edhe nisma të tjera që, “për hatër të marrëveshjes për zgjedhjet, po e ndihmojmë sepse na e ka premtuar këtë gjë”, sepse kështu funksionon.

Edi Rama u tall me mirëbesimin që ne i dhamë në korrik. Dhe duke u tallur me mirëbesimin që ne i dhamë në korrik për të pritur shtatorin, është tallur me mbi 80% të shqiptarëve, të cilët masivisht duan lista të hapura.

I gjithë ky zhgënjim ka të bëjë me një individ, i cili sigurisht ka ambicie të larta në karrierën politike dhe që është në fund të një mandati që, ndoshta për shkak të këtyre makinacioneve që janë bërë me listat dhe me koalicionet, mund të mos e ketë të sigurt një mandat tjetër?

Unë kam besuar që Edi Rama do të kishte guxim, kur mori mandatin më 2017, që t’i jepte drejtim gjërave dhe të tregonte që kishte këllqe për ta pastruar vendin, duke qenë se u ankua nga pengmarrja e LSI-së në 4 vitet e para. Dhe besova që, duke qenë vetëm, ndoshta mund ta kishte seriozisht që të fillonte të ndërtonte diçka të bukur në këtë vend dhe ndoshta edhe të krijonte një lloj shprese. Kjo do të thotë që të ecej para me sistemin e drejtësisë dhe me sistemin elektoral. Fakti tregon sot dhe të gjithë shqiptarët e shohin që koalicioni PS-LSI ka qenë më pozitiv në produktivitetin e tij dhe në klimën që krijoi, sesa këto 3 vite e gjysmë të Edi Ramës vetëm. Është fatkeqësi për kombin. Shihni se çfarë ka ndodhur nga 2013-a. unë kam qenë person i brendshëm në tratativat, le të themi, e ngjizjes së Ramës me Metën më 2012 e tutje.

Paskeni qenë afër Nard Kokës.

Jo, jo, s’ka lidhje, të lutem. Unë nuk ha ngjala dhe as kam ngrënë ndonjëherë.

Por peshku nuk është i keq, nuk është mëkat të hash ngjala, në kuptimin e parë të fjalës. Pastaj me konotacionin që merr fjala është tjetër gjë.

Ka peshk të madh, ka peshk të vogël, ka edhe kaviar diku andej nga Azia. Me një fjalë, unë kam pasur pritshmëri shumë të mëdha më 2013 që Edi rama dhe Ilir Meta do të arrinin të krijonin një energji të përbashkët për t’i shërbyer këtij vendi. Fatkeqësisht koalicioni u mor peng nga xhelozitë e vogla dhe nga thashethemet në të dy kampet, që krijuan një klimë shumë negative mosbesimi mes dy liderëve. Dhe kam pasur besim që Rama do të tregonte një vullnet, sidomos tani me hyrjen tonë në parlament. Tregoi që Shqipëria është e marrë peng. Tregoi që është i paaftë për të bërë qeveri. Tregoi që nuk ka çfarë të ofrojë më. Dhe unë mendoj që sot, objektivisht, pavarësisht se Lul Basha ose PD-ja dhe LSI-ja nuk janë në gjendje sot të ofrojnë një alternativë të vërtetë qeverisëse, unë besoj që themelet e Edi Ramës janë më të rrezikuara se kurrë, duke pasur parasysh inatin mbarëpopullor që po vlon nga poshtë, duke pasur parasysh që nga ana ekonomike nuk është bërë asnjë zhvillim pozitiv, duke pasur parasysh edhe pandeminë, duke pasur parasysh edhe acarimin social që ne ndiejmë lart e poshtë. Unë besoj që klima para zgjedhjeve të prillit do tëjetë shumë negative për këtë mazhorancë. Prandaj besoj që e kanë bërë edhe atë që bënë dje, në dakordësi dhe në shkelje të plotë syri me Lul Bashën, sepse ata duan të sigurohen që ky inat mbarëpopullor të mos u kthehet mbrapsht dhe e mbyllën sistemin për të mbajtur dhe për të ruajtur pushtetin e tyre.

Të ndalemi pak te mënyra sesi do të vini përpara elektoratit në zgjedhjet e vitit 2021, përmes një force të re politike? Me sa kuptuam, tri partitë e mëdha që mund të jenë edhe udhëheqëset e këtyre listave, meqenëse nuk ka më koalicione, nuk i keni shumë të dashura, pra mund të mos jeni në listat e tyre. Çfarë do të ndodhë?

Unë nuk besoj që Shqipërisë i duhen partiçka tullumbace, siç ka qenë historia në të kaluarën. Kemi 100 e ca parti të regjistruara.

Aty janë akoma.

Po. Ka edhe thashetheme për krijesa të reja etj., etj. Unë këtë e kam ndarë me të gjithë kolegët e mi edhe brenda, por edhe me miq jashtë parlamentit. Unë kam besuar gjithnjë, sidomos gjatë këtij viti, që Shqipërisë i duhet një alternativë qeverisëse. Pra, një forcë e re ose një listë e përbashkët e disa forcave, duhet të dalë me një ekip të mirëfilltë profesionistësh para shqiptarëve dhe t’u thotë shqiptarëve: “Ne jemi të aftë të qeverisim më mirë se Edi Rama. Ne jemi më të aftë sesa Lul Basha apo Monika Kryemadhi për t’ju ofruar juve një alterntivë”.

Pra, përfundimisht, me fjalë të thjeshta.

Nëse një parti politike nuk arrin dot të krijojë një ekip dhe një alternativë qeverisëse, është e kotë që t’i futet rrugës së zgjedhjeve. Unë do të kandidoj për këtë forcë politike, e cila bie dakord për të krijuar një alternativë gjithëpërfshirëse opozitare ndaj Edi Ramës, por me asnjë partiçkë të vogël tullumbace.

Ndërkohë, keni marrë ndonjë propozim apo ndonjë ofertë nga ndonjë grupim politik?

Ne flasim shpesh të gjithë me njëri-tjetrin, nuk ka ndonjë sekret. Ka pasur oferta, ka pasur flirtime edhe nga partitë e mëdha, të them të drejtën. Unë e kam ndarë mendjen për vete.

Nga e majta apo nga e djathta?

Ka pasur flirtime nga elementë nga të dyja anët, edhe majtas edhe djathtas, por edhe përtej së majtës dhe së djathtës, se kuptohet që partitë kanë nevojë për individë që janë vokalë dhe që janë të përgatitur profesionalisht. Unë e kam ndarë mendjen. E kam thënë sot edhe në një studio tjetër, po e përsëris edhe te ju. Unë nuk kandidoj për asnjërën prej tri partive tradicionale shqiptare, as për PS-në, as për PD-në, as për LSI-në, në kushtet aktuale ku lidershipi i tyre dhe demokracia e brendshme e tyre gjendet sot. Në kushtet aktuale.

Se mos shkoni edhe ju te nisma Thurje?

Unë nuk e di që nisma Thurje të jetë parti politike. Unë kam qenë nga të parët që e kam mbështetur nismën Thurje. Ju e dini këtë.

Në çfarë forme e keni mbështetur?

Unë e kam mbështetur nismën Thurje si organizatë të shoqërisë civile. Unë jam propozuesi zyrtar i projektligjit të famshëm të mbështetur prej 50 mijë firmëtarëve të nismës Thurje, të hartuar nga ekspertë të nismës Thurje por edhe nga ekspertë të Universitetit të Oksfordit. Jam propozues zyrtar. E kam sponsorizuar këtë ligj, figurativisht jo financiarisht, për ta propozuar në parlament. Dhe i kam mbështetur jashtëzakonisht. Nisma Thurja ka disa vajza dhe djem të shkëlqyer, që kanë shumë ç’t’i japin këtij vendi. Por nëse ju keni dëgjuar që nisma Thurje është bërë parti politike, ju lutem më iluminoni edhe mua se nuk kam ende dijeni.

Pyetja është, nëse bëhet mund të jeni ju pjesë e një grupimi të tillë?

Edhe një herë, nisma Thurje nuk është parti politike. Nëse nisma Thurje do të kthehej në parti politike, do të duhet të shohim se kush do të kandidojë, cilët janë emrat dhe a jemi ne në gjendje që të bashkojmë forcat edhe me grupime të tjera për të krijuar një listë të përbashkët kombëtare, për të krijuar një alternativë qeverisëse. Për momentin nuk është ky realiteti i nismës Thurje apo edhe i ndonjë partie tjetër që po përflitet në treg.

Kur thoni që e keni mbështetur, keni shërbyer ju si një urë lidhëse midis personazheve të njohura të politikës, të cilët mund të jenë dashur të jenë pjesë e nismës Thurje, p.sh., siç është zonja Hajdari?

Unë nuk e mohoj që kam qenë nga të parët që kam shtyrë zonjën Hajdari që të bashkëpunonim si deputetë me nismën Thurje.

Të dy së bashku?

Po ne kemi qenë edhe në takime të nismës Thurje, edhe në Tiranë edhe në Gjirokastër. Nuk është sekrete, është publike. Por ne kemi qenë në cilësinë e deputetit. Unë nuk jam anëtar i nismës Thurje, as Mirush Kabashi nuk është anëtar i Nismës Thurje. Ka ndihmuar, ka folur në takimet e Nismës Thurje.

E dimë që politika nuk ndihmon për bamirësi, zoti Gjoni.

E di që sot ka pasur shumë zhurmë për sa i përket edhe mikeshës sime Rudina Hajdari. Unë nuk di që Rudina Hajdari të ketë qenë anëtare e Nismës Thurje. Nuk e di nga ka dalë ky lajm. Nuk e di që Nisma Thurje të jetë parti politike.

Thuhej që zonja hajdari ishte bërë pjesë e këtij grupimi, më saktë e projektit, kështu është cilësuar.

Unë nuk kam dijeni që Nisma Thurje është parti politike. Dhe nuk kam dijeni që Rudina Hajdari është anëtare e Nismës Thurje. Unë di që Rudina Hajdari është një deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe një deputet nuk mund të jetë anëtar i një nisme të shoqërisë civile, për shkak se nuk shkon nga ana etike. Ne të dy bashkarisht, edhe me zonjën Hajdari, e kemi mbështetur Nismën Thurje sepse nuk na kanë bashkuar pikëpamjet, por na ka bashkuar vetëm një gjë, na ka bashkuar dëshira për të hapur listat. Kjo që të jetë e qartë për publikun. Dhe unë nuk e kam problem të ndihmoj Nismën Thurje, dje, sot, nesër, por edhe organizata të tjera të shoqërisë civile, të cilat i kam ndihmuar dhe i kam mbështetur. Ju kujtoj që jam përjashtuar një herë nga parlamenti, nga zoti Ruçi, 10 ditë, për shkak se mbrojta iniciativën e një organizate të shoqërisë civile që kishte probleme me komisionerin për të drejtën e informimit. Nuk ishte Nisma Thurje, ishte një organizatë tjetër. Kështu që të mos keqinterpretohet, besoj nga mediet, vullneti i mirë i disa deputetëve për të ndihmuar shoqërinë civile.

Ju thoni që shoqëria civile duhet mbështetur, por historikisht të gjithë ata që kanë dalë, kujtoj këtu p.sh., si nga G99, si nga Mjaft, sot janë anëtarë të një force politike.

Unë nuk e kam për turp të them që kam qenë pjesë e këtyre dy iniciativave. Unë prej G99 jam kthyer në Shqipëri, për një periudhë të shkurtër sa qëndrova me ta.

Por ne e dimë sesi përfunduan të dyja këto.

Për shkak të kësaj historie që unë kam me G99, unë nuk besoj më që Shqipëria ka nevojë për parti që qendërzohen rreth një individi. Unë këto i quaj partiçka tullumbace, pra një tullumbace fryhet me ajër dhe pëlcet në çdo moment, nga një gjilpërë e vogël. Neve na duhet një alternativë solide qeverisëse. Nëse kjo do të jetë e mundur para zgjedhjeve, unë do të kandidoj me të. Nëse jo, unë preferoj më mirë të mos kandidoj fare.

Rrezikoni të mbeteni jashtë sistemit politik me këtë që po thoni?

Jo, jo, këtu nuk bëhet fjalë për Ralfin apo për Rudinën. Me një fjalë, ne duhet të dalim nga ky mentalitet. Unë nuk kam hall që të qëndroj deputet edhe për një mandat tjetër.

Jo se dikush tha që “unë do të shkëputem përfundimisht nga politika nëse ndodh kjo”.

Po jo, këto janë tani Muji dhe Halili, janë deklarata epike ballkanike, me një fjalë. Ne duhet të jemi më të thjeshtë dhe më modestë me njëri-tjetrin. Neve na duhet një alternativë qeverisëse. Nëse kjo alternativë nuk krijohet deri në prill, kështu do të bashkëqeverisin Edi Rama dhe Lul Basha, përfshirë ndoshta edhe mundësinë e një koalicioni të madh mes këtyre dy forcave për të ruajtur statuskuonë, stabilokracinë në kurriz të shqiptarëve që masivisht do të vashdojnë të ikin.       

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja