“Shqiptarët duhet të votojnë me mendje në kokë”, është ky urimi që Paja jep për gjithë shqiptarët që do të votojnë në 23 qershor. Ndërkohë që gjatë takimit e banorëve të Orikumit me Ramën Paja tha: “Do të thoni ju, po mirë ne këtu që jemi banorë të zonës, po ky ç`ka? Këtë privilegj kemi ne artistët që jemi në çdo qelizë të popullit dhe ngado që vemi, vendlindja jonë është në çdo skaj të Shqipërisë.
Dhe si i tillë unë e gëzoj këtë të drejtë. Unë nuk jam nga ata artistë kaste, që i thur temena qeverisë, me vargjet e Rrapush Xhaferrit. “Ushton fusha, gjëmon mali dhe në Devoll vjen gjenerali” apo në Lumas të Beratit, ku i këndoi kolegu im Kozma Dushi.
Unë them që populli kërkon gjëra shumë modeste, kërkon jetesën që ndoshta në vende të tjera të botës kjo nuk përfillet, ndërsa ne e kemi të domosdoshme dhe që këtij populli i është ngrënë haku mbi 20 vjet e ca që e tall Saliu si i do qejfi. Unë tani i drejtohem Edi Ramës me amanetin që më ka lënë nëna “Në nuk punon për këtë popull o Edi Rama, guri gur mos ta paftë. Kaq kam”, u shpreh Paja në Orikum.
Ju dëgjuam që ju drejtuat Edi Ramës me një amanet të nënës suaj gjatë takimit të tij me banorët e Orikumit. Ishte ajo një këshillë?
Mos të mendojë dikush që unë u ndodha atje se më ka marrë Edi Rama nga pas…
Ishit spontanisht?
Unë e shpjegova dhe thashë që “për ne artistët vendlindja jonë është kudo qoftë në Orikum, në Korçë në Vlorë, në Pogradec. Artistët gjithë populli i ka si njerëzit e tij. Unë isha si në shtëpinë time. Megjithëse mua me popullin e Orikumit më lidh diçka tjetër. Unë jam prej pesë vitesh banor i Orikumit. Kjo është njëra anë.
Po duke parë atë thjeshtësinë e atij populli që i flisnin me zemër të hapur, unë në fund e ndjeva për obligim dhe thashë “kur këta njerëz të thjeshtë i kërkojnë qeverive gjërat më jetike, i kërkojnë rrugë, i kërkojnë drita,i kërkojnë ujë, i kërkojnë një jetesë më të mirë. Nëqoftë se diku në vendet perëndimore kanë pretendime të jashtëzakonshme, këta njerëz kanë pretendimet më minimale që ekzistojnë në rruzullin tokësor.
Atëherë unë thash “O ju qeveritar që i premtoni këtij populli lugën me flori, mos bëni që t`i këndojmë hosanarave siç i këndoi kolegu im Kozma Dushi në Lumas të Beratit. Populli nuk ka nevojë t`i këndosh me barkun bosh qeverisë. Populli ka nevojë që t`i këndosh për ato bëma që ka bërë. I këndon Ismail Qemalit për atë që ka bërë pasi Ismail Qemali solli dhe vulosi pavarësinë”.
Këtë i thashë Edi Ramës. “Ti Edi Rama këto llafe që të thotë populli për punën, për jetesën e gjëra të tjera je në gjendje t`i mbash? Po. Ndjerë pastë nëna ime më ka thënë i thashë “Që nëqoftë se nuk i shërben, familjes, shtetit, qeverisë e popullit guri gur mos ta paftë. Kjo ishte e gjitha ajo që them në esencë, që kush nuk punon për këtë popull ç`e duam më? I bukur jam vetë pavarësisht se mosha më ka shëmtuar pak.
Çfarë do t`i uronit ju kreut të PS duke marrë parasysh që jemi në një fushatë zgjedhore?
Unë do t`i uroja në radhë të parë fjalët që thotë të mos jenë slogane, por në të mirë të popullit. Këtë do t`i uroj të parën dhe nëqoftë se ai do të marrë përsipër një barrë të rëndë që do të ndryshojë faqen kësaj Shqipërie, pastë jetën e gjatë pa përcaktim. Kaloftë shekullin dhe jam i kënaqur me atë. Nëqoftë se do të punojë për popullin jo vetëm fizikisht, e pastë jetën e gjatë dhe të rrojë sa të dojë vetë, por pastë jetë të gjatë dhe si lider politik. Po nuk punoi për popullin si lideri politik mos ja paftë guri gurin.
Po kreu të PD, Sali Berishës çfarë do t`i uroni?
Zotit Berisha i uroj që të ketë jetën e gjatë dhe t`i rrojnë ç`ka për zemër. Po zoti Berisha bashkë me mua duhet të marrë shkopin e të dalim në lulishte e të përkëdhelim nipër e mbesa.
Cili është mezashi juaj për gjithë shqiptarët meqenëse për pak ditë do t`iu drejtohen kutive të votimit?
Urimi im për shqiptarët është që duhet të shkojnë me mend në kokë te kutia e votimit sepse edhe uji kur rri në një vend, qelbet. Edhe kjo punë kështu është. Shqipëria këtë vit ka nevojë për rotacion. Vendet e botës që nga Amerika, Italia e Franca e kudo nuk e lënë liderin më shumë se tetë vjet. Dhe sikur vezën e artë të bëjë ai. Ai është shtrydhur e stërshtrydhur. Shqipëria ka nevojë për rotacion.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)