Shtyrja e disa borxheve financiare nga ndërtuesi i pallateve në Vlorë, Arben Veliko, ka bërë që Romarjo Alliaj të bënte një rol filmi, për inskenimin e një ngjarje kriminale, sikur Alliaj të ishte personi i qëlluar me armë. Kjo do ti shërbente më pas Alliaj dhe Velikos që të largoheshin nga Shqipëria dhe të kërkonin azil politik në një nga vendet e Bashkimit Europian. Madje për të mbledhur sa më shumë prova dhe për ta bërë sa më të besueshme edhe tek të huajt, Romarjo del dhe jep një intervistë për televizionet. Kjo intrigë e tipit “Babale” dhe e vënë në jetë në film aksion mes dy vlonjatëve është bërë në datën 12 maj 2019, në autostradën Vlorë-Fier, ku është qëlluar me armë zjarri një automjet, i cili ka dalë nga rruga dhe është përplasur. Automjeti është qëlluar mbi 20 herë dhe gëzhojat janë shpërndarë në një distancë prej 200 metra, por çuditërisht vetë objektivi i këtij “atentati”, Romarjo Alliaj,ka shpëtuar mirë e bukur, pa asnjë gërvishtje. Ndërkohë që makina tip “Golf 5” e marë me qëra prej tij, është dëmtuar shumë nga plumbat dhe përplasja në kanal. I pyetur për ngjarjen, Alliaj ka shpjeguar se rreth orës 17:00 ka qenë i ulur në kafe, te karburant “Kastrati”, në lagjen “Kushtrimi”, së bashku me shokun e tij shtetasin Gjysho Merkaj. Pas rreth 20 minutash është çuar dhe me makinën “Volkswagen Golf 5”, me targë AA 864 SV, të cilën e kishte marrë me qira, është nisur për në Tiranë, ku do të takonte djalin e tezes së tij, shtetasin Florent Veizaj. Gjatë rrugës, në autostradë afër Mifolit, në një distancë rreth 500 m, ka parë që po i afrohej një automjet i markës “BMW” me tavan jashtë, kofano dhe bagazh me ngjyrë të zezë metalizato, ndërsa anash ishte gri e errët, pa targë para dhe kishte parakolp të thyer, xhama të zinj dhe mbrapa kishte targë të verdhë franceze. Prej kësaj makine është qëlluar në drejtim të automjetit të tij nga pas dhe më pas i ka dalë paralel, kohë kur Romarjo është hedhur nga ana e pasagjerit të mjetit të tij dhe makina ka dalë jashtë rruge.

Romarjo Alliaj

Eksperimenti që tradhtoi skenaristët e filmit aksion

Në vijim të veprimeve hetimore të prokurorisë dhe policisë nisur dhe nga rrethanat e ngjarjes,mekanizmi i saj, mospërputhjet e kallëzimit dhe të deklarimeve të Romarjos,është urdhëruar kryerja e eksperimentit hetimor, ku u është kërkuar ekspertëve të përcaktojnë drejtimin e qitjes,këndin e qitjes, për dëmtimet e konstatuara në derën e shoferit, në papafingon, në derën e majtë të pasagjerit, të automjetit objekt ekspertimi, si edhe mundësinë e dëmtimit të drejtuesit të mjetit si pasojë e goditjes në këtë drejtim dhe kënd qitjeje. Po kështu, është kërkuar të përcaktohet mundësia e një shpërndarjeje të tillë të gëzhojave në rastin e goditjes së një automjeti në lëvizje prej një automjeti në lëvizje, si edhe në rastin e goditjes së automjetit të qëndruar prej një pozicioni statik. Eksperimenti është kryer në datën 23 maj 2019 dhe gjatë kryerjes së tij ka rezultuar paraprakisht pamundësia që drejtuesi i autoveturës të mos ishte prekur nga goditja e automjetit me armë automatike. Po kështu janë kryer në dinamikë veprime hetimore në drejtim të gjetjes së autobotit, të cilit i referohet Romarjo, se ka qëndruar në vendin e ngjarjes, i cili ka rezultuar i shpqërisë “Bolv Oil” sh.p.k., por nga këqyrja e kryer në sistemim mbikëqyrës GPS të automjeteve “Bolv Oil” sh.p.k., nuk rezultoi që në atë aks rrugor në intervalin kohor të përmendur të ishte ndaluar ndonjë automjet i shoqërisë.

Arrestimi e tregimi i të vërtetës

Pavarësisht se i kishte shpëtuar një “atentati” Alliaj lëvizte lirshëm në Vlorë dhe nuk rruhej nga askush. Ai ndalohet nga policia për akuzën e “Drejtimit të mjetit në mënyrë të parregullt” dhe i caktohet nga gjykata në 1 qershor masa e “arrestit në shtëpi”. Por shërbimet e policisë në datën 3 qershor 2019 arrestojnë Alliaj, pasi kishte thyer masën e arrestit në shtëpi,duke dalë rrugëve të Vlorës.I pyetur në lidhje me ngjarjen e datës 12 maj 2019, Romarjo Alliaj ka shpjeguar versionin real të saj kështu:Në datën 12 maj 2019, deri në orën 13:30 ka qenë te shtëpia e vjehrrit të tij Ylli Veizaj, te pallati pas hotel “Partner”. Në këtë moment e ka marrë në telefon Arben Veliko, me numrin 069 83 11 726 dhe e ka pyetur se ku ishte. A i ka kërkuar që të shkonte urgjent te lokali i tij për ta takuar. Shtetasi ka shkuar te lokali i Arben Velikos, me makinën e markës “BMË” seria 5, me targë AA 422 RE, me ngjyrë gri, të cilën e kishte marrë me qira te firma “Deni”, në Fier, në datën 10.05.2019, së bashku me shokun e tij Gjysho Merkaj, të cilit i thërrasin “Bushi”. Kur ka mbërritur te lokali është ngjitur në katin e dytë dhe ka gjetur Arben Velikon, së bashku me Gjysho Merkajn. Në këtë kohë Arbeni i ka thënë Gjyshos: “Çohu pak nga tavolina se kam një muhabet me Romarjon”. Gjysho është çuar dhe është ulur në një tavolinë tjetër pas një kolone. Në këtë kohë Arbeni, i ka thënë se e kishte lakun në grykë dhe kishte hall, domethënë u kishte njerëzve borxhe. Arbeni i ka kërkuar t’i bënte një punë duke i thënë që “…shko merr një makinë me qira dhe flasim….”. Së bashku me Gjyshon, ka në shkuar te një firmë te “Gjyqi i Vjetër” dhe aty ka zbritur Gjyshon dhe i ka thënë që të merrte një makinë me qira te firma.Me personin ku do të merrnin makinën me qira ka folur gjatë rrugësdhe i ka thënë se do shkonte Gjysho dhe do të merrte një makinë për të. Gjysho ka shkuar dhe ka marrë një makinë “Golf” model 5, me ngjyrë të bardhë dhe ka ardhur te lokali i Arbenit pas rreth 30 minutash, pasi ka bërë kontratën për makinën me qira. Te lokali është takuar me Arbenin dhe i tha që “…e mora makinën…” dhe ai i ka thënë “…ne do bëjmë një plan…”, të cilin e kishte bërë edhe më parë.Ai i ka thënë se do të merrte një nipin e tij dhe do gjenin një vend që të qëllonin makinën që morën me qira dhe do bëjnë sikur kanë qëlluar për të vrarë Romarjon, me qëllim që të shtynin borxhet.Arbeni është ngritur nga tavolina dhe ka shkuar e ka marrë makinën e tij “Seat Leon”, me ngjyrë të zezë, duke i thënë se do të shkonte të merrte armën e zjarrit dhe të çonte njeriun të gjenin vendin ku do të qëllonin makinën. Biseda është bërë rreth orës 14:20.Rreth orës 15:40 ka ardhur në lokal Arbeni dhe i ka thënë që i ka bërë gati të gjitha dhe do të shkonin te vendi. Më pas kanë dalë nga lokali ku Romarjo dhe Gjysho Merkaj kanë shkuar te karburant “Kastrati” me “Volksëagen Golf 5” që kishin marrë me qira, ku i kanë hedhur vetëm 500 lekë naftë. Më pas kanë pirë kafe dhe pas rreth 15 minutash, Arbeni i ka dërguar sms Gjyshos dhe i ka thënë “…hajde te lokali…”. Së bashku me Gjyshon kanë shkuar te lokali i Arbenit, kurse Romarjo ka marrë makinën dhe është nisur për në autostradë, pasi Arbeni i ka treguar se ngjarjen do ta bënin në autostradë. Te fillimi i autostradës ai ka hapur krahun dhe ka pritur që të vinte Arbeni me Gjyshon.Pas rreth 2-3 mimutash ka ardhur makina e Arbenit, e markës “Seat Leoni”, ku shofer ishte Gjysho Merkaj dhe Arbeni ishte pasagjer në vendin e parë. Gjysho ka ndaluar makinën dhe nga makina ka dalë Arben Veliko dhe ka ardhur drejt makinës së tij, ku ka hipur në vendin e pasmë dhe ështështrirë. Ai i ka thënë “…ec për në autostradë….”, të ecte avash-avash se në orën 18:00 e kishte lënë me personin që do të qëllonte makinën. Arben i ka thënë se Gjysho do vinte nga pas me makinën e tij. Rreth orës 17:45, kur ka qenë pa shkuar tek Ura e Vjosës, ku ndahet Vlora me Fierin, Arbeni i ka thënë: “…freno dhe ngjite makinën në gjysmë, në bordurën anësore për ta nxjerrë nga rruga makinën…”. Romarjo ka frenuar fort, kur ka qenë në fillim të xhepit për të krijuar gjurmën e frenimit, dhe makinën e ka hipur ngadalë në gjysmë të bordurës anësore me dy gomat e para. Më pas Arbeni dhe ai kanë zbritur nga makina dhe pas tyre ka ardhur Gjysho me makinën e Arbenit. Arbeni i ka thënë t’i binte dy herë borisë dhe kur të dilte personi te tuneli që është poshtë autostradës, të zbriste poshtë që të ngjitej ai lart dhe të qëllonte makinën. Më pas Arbeni ka hipur në makinën e Gjyshos dhe ka vazhduar rrugën drejt për në fund të autostradës. Romarjo i ka rënë dy herë borisë dhe nga tuneli ka dalë një person, i cili mbante një armë automatike kallashnikov në dorë. Ky shtetas kishte në kokë një kapuç “Adidas”, të zi, në pjesën e fytyrës kishte të lidhur një bluzë të zezë, kishte veshur një xhup të zi dhe të grisur nga ana e majtë dhe një palë tuta sportive të errëta. Ky person është shkëmbyer me të, kur Romarjo ka zbritur dhe në kohën që ai është futur te tuneli, ka dëgjuar dy të shtëna tek e tek dhe më pas një breshëri.Pasi mbaruan të shtënat, Romarjo ka dalë nga tuneli dhe ka parë se ky person që qëlloi makinën me kallash, ishte në mes të arës dhe po ikte me vrap,ku në dorë mbante automatikun. Më pas ka vënë re se makina ishte poshtë rrugës me turi në kanal. Në këtë kohë Romarjo ka marrë në telefon policinë te numri 129, ku i ka thënë që “…jam Romarjo Alliaj dhe më kanë qëlluar me armë tek Ura e Mifolit…”. Shtetasi tregon se ka pritur derisa ka ardhur policia, të cilës i ka shpjeguar variantin që Arbeni i kishte mësuar te lokali.

Personi që qëlloi kërkoi 2 mijë euro.

Në lidhje me personin që ka qëlluar, Alliaj shpjegon se ka ardhur te lokali i Arbenit, ka qenë një djalë i moshës rreth 27-30 vjeç, me gjatësi 170 cm, pak i mbushur, me flokë të rëna në pjesën e sipërme të kokës, ezmer. Ky person ka takuar Arbenin dhe janë ulur në tavolinë tjetër.Kur Romarjo e ka pyetur, ai i ka thënë se kërkonte 2.000 euro dhe ishte personi që kishte qëlluar makinën e tij një ditë më parë.Në lidhje me ngjarjen iu morën të dhëna edhe shtetasit Gjysho Merkaj, shtetas i cili konfirmoi versionin e dhënë prej Romarjo Alliajt.I pyetur rreth faktit, shtetasi Arben Veliko shpjegoi të gjitha lëvizjet dhe veprimet e kryera në datën 12.05.2019, duke pohuar se pasdite, së bashku me Gjysho Merkajn kanë udhëtuar në drejtim të fshatit Novoselë, ku deklaruesi do të takonte të vjehrrin për arsye familjare. Duke qenë se nuk e ka gjetur, është nisur për në fshatin Peshtan të Fierit, ku do të takonte një shokun e tij, por rrugës, për arsye të paqarta, ka ndërruar mendjen dhe është kthyer në Vlorë.