TIRANE- INUK do cojë për ndjekje penale Drejtorin e Baseneve të Lezhës Pashk Ndoci pas skandalit me shfrytëzimin e lumenjve të denoncuar një ditë më parë ne emisionin Fiks Fare në Top-Channel. Përmes nje deklarate sot INUK (Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar) shprehet se distancohet nga veprimet e personave që shfaqen në video dhe premtojnë zgjidhje të problemeve në këmbim te rryshfeteve. INUK parlajmëron se do t’u drejtohet organeve të drejtësisë ku do bëjë kallëzim penal ndaj zyrtarëve (dukë nënkuptuar këtu drejtorin e baseneve Pashk Ndoci) që kanë abuzuar më emrin e institucionit dhe punonjësve të tij.

Përmes kësaj deklarate INUK ka ftuar opinionin publik të bëjë denocimet pranë këtij institucioni për cdo rast apo person abuziv që serviret si zgjidhje për problemet e tyre.

Fiks Fare transmetoi dje skandalin se si mund të shfrytëzohet baseni I Lumit Mat kundrejt rryshfetit 3000 euro. Pash Ndoci drejtori I baseneve në Lezhe orjentoi gazetarët e Fiksit të maskuar si biznesmenë se do bisedonte me kryeinspektorin e ndërtimit, z.Gazmend Osmanin, për të marrë leje dhe për të mos lejuar policinë të ndërhynte për të penguar shfrytëzimin e këtij shtrati të lumit. Por për të marrë një leje të tillë, sipas zotit Ndoci, “duhet paguar” dhe shuma ishte 3000 euro. Ai i ka drejtuar gazetarët tek një person me emrin Leka, që ka një lokal në Linzë të Tiranës. Sipas drejtorit të Baseneve të Lezhës, ky person mund t’ju siguronte lejen që kërkonin. (ns/shqiptarja.com)