“Investim një herë, përfitime të përjetshme! Projekt investimi afatgjatë, punë ekipore, sinjale tregtare, shumë shpërblime!” Këto slogane reklamimi nuk janë në institucione bankare, të mikrofinancave apo për shërbime të tjera lokale. Në fakt, këto thirrje për investim, gjendeshin deri dje të reklamuara në bar-restorant “La Bonta” (Mirësia) në hyrje të Lushnjes.

Kamerierët e këtij lokali, qindra qytetarëve të Lushnjes dhe Divjakës nuk u shërbenin vetëm kafe, por edhe i manipulonin për të lënë paratë e tyre në skemën mashtruese online “XUEX”, me premtimet se do fitonin më shumë. Me denoncimet publike të deputetit socialist Erjon Brace, se pre e kësaj skeme piramidale, që hera herës për të futur sa më shumë persona në rrjet, edhe i jepnin dikujt paratë, policia ndërhyri më 27 gusht me agjentë të infiltruar.

Ashtu siç mund të ketë bërë me shumë qytetarë të tjerë, disa prej të cilëve denoncuan edhe në polici, agjentët i priti kamerieri 21-vjeçar, tashmë i arrestuar, Emanuel Taullau. Interesit të tyre për investim, ai përgjigj se ishte dhe vetë pjesë e bursës online, që në të vërtetë ishte e gjitha fiktive, dhe i udhëzoi se për tu bërë anëtarë duhet të lidheshin me “Profesorin”. Nga hetimet, ai rezultoi të jetë pronari i lokalit, Arbër Çela, sot në pranga.

Investimi minimal– sqaroi kamerieri pa menduar në asnjë moment se po fliste me efektivë, kërkohet të jetë 1 mijë euro duke shtuar se anëtarësimet më të shumta janë nga Divjaka, zonë që njihet për fermerët e shumtë e veçanërisht kultivimin e shalqinit.

Të inflitruarit shkuan  në lokal edhe të nesërmen. Me dëshirën për t’i ndihmuar, kamerieri i prezantoi me kolegun e tij, Flavio Mukaj, edhe ky i arrestuar, i cili do t’i fuste në një grup në “Telegram”, aty ku sic hetimet zbuluan, grupet mashtronin qytetarët duke u prezantuar se vlerat e parave që kishin investuar po rriteshin me shpejtësi. Më tej njëri nga agjentët e infiltruar u regjistrua në platformë, duke dorëzuar 1 mijë euro cash.

Hetimet më tej zbuluan se Ereledio Shebeku një 35-vjeçar nga Tirana, ende në kërkim, nga Telegrami shpërndante tek të mashtruarit platformën e rreme XUEX. Agjentët e takuan 2 ditë pas vizitës në lokalin e Lushnjes dhe i kërkuan t’i bëjë pjesë të XUEX.

Duke qenë se situata ishte bërë mediatike, dhe emri i tij ishte përmendur personalisht edhe nga socialisti Brace në rrjetet sociale, 35-vjeçari ishte i frikësuar dhe në tension nuk e bëri regjistrimin final në XUEX duke i adresuar tek persona të tjerë.

Hetimet zbuluan se në këtë skemë, Ereledio Shebeku ka bërë pjesë të rrjetit dhe ka trajnuar në mashtrim, gruan e tij së pari, A.Sh, e cila është në kërkim policor, familjarë të tjerë të tij, përfshirë edhe 2 punonjëse të bashkisë së Divjakës, siç është Brunilda Ndini dhe Brunilda Todi, të dyja 38 vjeçe, kjo e fundit motra e Shebekut. Ata dyshohet se janë menaxherët kryesorë, pasi rekrutojnë dhe sigurojnë persona të ndryshëm për investime

Nga hetimet rezultoi se Shebeku, përmes këtij aplikacioni, merr mesazhe nga një person i identifikuar si “Leo Smith”, i cili dyshohet se është britanik, dhe i fton pjesëmarrësit që të futen në orën 14:20 dhe 19:20 çdo dite, duke u kërkuar që t’i bëjnë “like” faqeve që ai u dërgon në “Telegram”. Nga ky investim, të gjithë personat që luajnë në këtë platformë dhe bëjnë like, përfitojnë shumën prej 1% të investimit të tyre, që në fakt nuk e tërheqin ndonjëherë

Pas dokumentimit me audio dhe video të të gjitha veprime të simuluara, policia më 14 shtator zhvilloi operacionin për kapjen e personave të përfshirë, ku u arrestuan 6 pronari i lokalit “La Bonta”, Arbër Çela 38, kamerierët Emanuel Taullau, 21 vjeç, ⁠Flavio Mukaj 23 vjeç, ⁠Marius Kodra, 28 vjeç, si dhe 2 punonjëset e bashkisë Divjakë. Të mërkurën të arrestuarit pritet të dalin në Gjykatën e Fierit për t’u njohur me masën e sigurisë.

Vetëm në Divjakë, në këtë platformë u regjistruan rreth 580 persona, në disa raste me të gjithë pjesëtarët e familjes, me investim nga 1 mijë deri 5 mijë dollarë.

Cilat janë firmat piramidale online?

Firmat piramidale online që po veprojnë në Shqipëri duke mashtruar me mijëra qytetarë janë kryesisht “XUEXA” dhe “TXEX”. Qytetarët rekrutohen përmes personave të tjerë të njohur të tyre, duke i bindur që të investojnë para në këto platforma online. Ndërkohë, vetëm pasi kanë investuar dhe u tregojnë drejtuesve të platformës faturën, ata lejohet të futen në grupin e tyre në aplikacionin e komunikimeve “Telegram” dhe aty udhëzohen për çdo investim tjetër që duhet të kryejnë. Udhëzimet në "Telegram" i merrnin nga një person i quajtur Leo Smith, që sipas dosjes dyshohet të jetë një shtetas britanik. Por e gjitha në fakt është një skemë mashtrimi, pasi askush prej qytetarëve që kanë investuar nuk ka mundur të nxjerrë paratë për shkak se është bllokuar “payout”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:34
‘Kam frikë nga Erion Braçe’, si ra në kurthin e agjentëve 35-vjecari nga Tirana! Detaje nga DOSJA e skemave piramidale online

1758015385_erionbrace.jpg

Ereledio Shebeku dhe deputeti Erion Braçe

Shqiptarja.com zbardh të tjera detaje nga dosja e skemave piramidale online, ku në njërin episod faktohet edhe përfshirja e Ereledio Shebekut në këtë skemë, i cili po ashtu ka rënë në kurthin e agjentëve. Ata janë takuar me Shebekun më datë 30.08.2025 në një lokal dhe ai do tu mundësonte që të futeshin në grupin e Telegramit, ku merreshin udhëzimet nga personi i quajtur Leo Smith. Por, në dosje thuhet se Shebeku i ka regjistruar dy agjentët vetëm në platformën Binanc, pasi e kishte zënë frika pasi emrin e tij e kishte përmendur deputeti Erion Braçe në një postim në Facebook. Ky i fundit ka qenë ndër të parët që ka denoncuar skemat piramidale online.

“Duke qenë se kjo situatë u bë dhe mediatike shtetasi Ereledio Shebeku ishte i frikësuar dhe në tension pasi deputeti shtetasi Erion Brace e kishte përmendur në një postim në rrjetet e tij sociale. Për këtë arsye shtetasi Ereledio Shebeku, ka bërë të mundur vetëm regjistrimin në platformën Binanc, ku ju ka depozituar edhe 700 euro dhe ju ka thënë agjentëve të policisë se duhet të gjejnë një person tjetër që ti bëjë pjesë të grupeve në aplikacionin Telegram, sepse ai vet nuk mundej pasi i kishte bërë tashmë pesë persona. 

Agjentët e policisë kanë qenë të pajisur me teknikë për regjistrimin audio dhe video të veprimit simulues, i cili është ende në proces transkripti për shkak të vështirësisë në dëgjim të audios. Këto materiale janë hedhur edhe në disk. Është përpiluar raport vëzhgimi për këtë rast nga punonjësit e policies, si dhe janë këqyrur pamjet filmike”, thuhet në dosje.

Ora 11:18
DOSJA/ Qindra qytetarë e punonjës të Bashkisë Divjakë ranë pre skemave piramidale online, investonin deri në 5 mijë euro

Foto nga operacioni i Policisë së Fierit dhe çifti i bashkëshortëve në kërkim

Qindra qytetarë dyshohet se kanë rënë pre e skemave piramidale online, të cilët kanë humbur investimet e tyre në platforma si XEUC. Por, në dosjen e siguruar nga Shqiptarja.com thuhet se “viktima” të kësaj skeme kanë rënë edhe punonjës të Bashkisë së Divjakës. Në dosje flitet për rolin e Ereledio Shebekut, i cili pas operacionit që ndërmori Policia e Fierit është shpallur në kërkim bashkë me bashkëshorten e tij, A.Sh, të dy 35 vjeç. Në dosje thuhet se Shebeku ka rolin e menaxherëve kryesorë të grupit. I riu komunikonte në telegram me një person të quajtur “Leo Smith”, i cili dyshohet se është britanik dhe koordinon skemën mashtruese. Qytetarët investojnë nga 1 mijë deri në 5 mijë dollarë.

“Nëpërmjet aplikacionit “Telegram”, ka të instaluar një platformë për tregëtimin e kriptomonedhave, e cila mban emrin “XUEX”. Në këtë faqe online ky shtetas ka hapur një grup me pesë persona, ku secili prej tyre investon vlera monetare në shumat që variojnë nga 1.000 deri në 5.000 dollarë. Shtetasi Ereledio Shebeku nëpërmjet këtij aplikacioni merr mesazhe nga një person që është identifikuar si “Leo Smith”, i cili dyshohet se është shtetas britanik, ku i fton të gjithë pjesëmarrësit që të futen në këtë platformë në orën 14:ë dhe në orën 19:ë të çdo dite, duke i kërkuar që ti bëjn “like” faqeve që ju dërgon ky shtetas në aplikacionin “Telegram”, thuhet në dosje.

Nga ky investim të gjithë personat që luajnë në këtë platformë dhe bëjnë like përfitojnë shumën prej 1% të investimit të tyre. Pra çdo ditë e shtojnë investimin e tyre me 1% të vlerës së investuar. Investimin që disponojnë në telefon në platformën “XUEX”, shumën që duan të tërheqin e transferojnë në një llogari në “Binancë bankë” dhe nga kjo llogari këtë shumë e transferojnë në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri dhe më pas kryejnë tërheqjen e parave rregullisht, ku banka ju mban komision për këto tërheqje dhe ju jep kopje të mandatit të tërheqjes së parave. Të gjithë pjesëmarrësit që janë regjistruar në këtë platformë, paratë i derdhin në bankë në llogaritë e tyre bankare me pretendim se duan të investojnë në shitblerjen e kriptomendhave dhe blerje online.

Sipas informacionit në Bashkinë Divjakë në këtë platformë janë regjistruar rreth 580 persona, të cilët kanë investuar vlera që variojnë nga 1,000 (njëmijë) dollar deri në 5,000 (pesë mijë) dollar dhe të ardhurat e fituara në këtë platformë tërhiqen çdo 45 ditë.

Ereledio Shebeku, ka futur në këtë platformë familjarët e tij dhe shumë persona të tjerë. Në këtë platformë është futur Brunilda Ndini, punonjëse e Bashkisë së Divjakës. Edhe ajo ka rënë në pranga pasi ka futur në këtë skemë familjarë të saj, punonjës të Bashkisë së Divjakës, por edhe banorë të qytetit të Divjakës, si dhe nga fshatrat e Njësisë Administrative Tërbuf. Shumë prej këtyre personave kanë aplikuar në këtë platformë me familjarë të tyre si bashkëshortet, fëmijët dhe vëllezërit.