Sa i takon politikës së brendshme në Shqipëri, fitorja në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese i dha një lloj qetësie udhëheqjes komuniste shqiptare. Ajo kishte përmbushur me këto zgjedhje objektivin e saj të parë, legjitimimin e pushtetit. Zgjedhjet kishin qenë kushti kryesor i Aleatëve Perëndimorë për ta njohur qeverinë e re shqiptare dhe për të vendosur me të marrëdhënie diplomatike. Shpallja e Republikës Popullore më 11 janar 1946 dhe miratimi i Statutit të saj më 14 mars të po atij viti, sanksionuan juridikisht programin e Frontit, por mandati popullor i “pushtetit popullor” mbetej i diskutueshëm edhe për shkak të 20 deputetëve të çmandatuar, të burgosur apo të ekzekutuar gjatë asaj legjislature. Pavarësisht kësaj, zgjedhjet kishin hapur rrugën për të përmbushur objektivin e dytë edhe më të rëndësishëm, “vendosjen e një rendi të ri dhe mbajtjen e tij”[1].
Në fillim e vitit 1946, drejtuesit e lartë të PKSH-së dhe të qeverisë shqiptare u treguan më të sigurt në ndërmarrjen e disa masave në fushën politike dhe ekonomike[2] për vendosjen e regjimit komunist në vend. Në aspektin politik, komunistët shqiptarë u treguan të ashpër dhe të prerë në krijimin e organeve politike-administrative, gjyqësore dhe ushtarake të shtetit shqiptar të kontrolluara nga PKSH-ja, që vazhdonte të qëndronte në gjysmëilegalitet brenda Frontit Demokratik. Në fushën ekonomike, udhëheqësit komunistë u treguan disi më të matur. Krahas hapave për forcimin e sektorit shtetëror në ekonomi nëpërmjet shpronësimeve të të huajve dhe bashkëpunëtorëve të pushtuesit, organizimit të ekonomisë sipas parimit të “centralizimit ekonomik”, vazhdoi të tolerohet prona private, por nën kontrollin e rreptë shtetëror[3]. Regjimi miratoi dhe filloi të zbatonte një sërë projektesh ambicioze, si: ndërtime rrugësh, hekurudhash, tharje kënetash, të cilat kërkonin burime të mëdha financiare, por edhe mobilizim të gjerë njerëzor. Regjimi komunist krijoi në këtë mënyrë shtresën e vet mbështetëse politike dhe ekonomike.
Më 21 shkurt 1946 u mblodh Plenumi V i KQ të PKSH-së, i cili diskutoi dhe vendosi për rrugët dhe zhvillimet e ardhshme të Shqipërisë. Duke përdorur në mënyrë të qëllimshme një gjuhë konfuze, në Plenum u deklarua se në Shqipëri po vendosej “një diktaturë demokratike revolucionare e punëtorëve dhe e fshatarëve me Partinë Komuniste në krye”[4]. Sipas komunistëve, sistemi ishte demokratik, sepse ishte i të gjithë popullit dhe i takonte popullit që të luftonte kundër klasave që ishin dje në fuqi, feudalëve dhe borgjezëve, të cilët kishin ende pozita me rëndësi në duart e tyre. Në këtë proces detyra e partisë ishte të ndërgjegjësonte masat për misionin e ri që kishin.
Plenumi shpalli kështu zyrtarisht luftën e klasave, si themelin ku do të mbështetej shteti i ri, luftë kjo që u shndërrua në një nga plagët më të rënda për të gjithë shoqërinë shqiptare gjatë gjithë diktaturës komuniste. Lufta e klasave në Shqipëri mori përmasa të mëdha. Objekt i saj nuk ishin vetëm bashkëpunëtorët e pushtuesit dhe kriminelët e Luftës, por edhe shtresat e pasura të shoqërisë, borgjezët, fisnikëria e tokës, krerët e malësive të Veriut, dhe të gjithë ata që nuk i miratonin apo u mungonte entuziazmi për reformat që po ndërmerrte qeveria e re shqiptare.
Këneta e Maliqit dhe projekti për tharjen e saj
Këneta e Maliqit zinte një sipërfaqe shumë të madhe toke dhe ishte bërë burim sëmundjes malarike për gjithë atë zonë. Plani për tharjen e saj ishte hartuar në vitin 1936, nga inxhinieri italian Angelo Omodeo. Plani ishte me të vërtetë ambicioz. Ai parashikonte hapje dhe sistemimin e dy kanaleve, të poshtëm dhe të sipërm, sistemimin e lumit të Devollit dhe përroit të Dunavecit, si dhe ndërtimin e disa kolektorëve kryesorë. Në përfundim të këtij projekti parashikoheshin të thaheshin 4500 ha tokë dhe të bonifikoheshin 4500 të tjera[5]. Sipas ekspertëve të kohës, plani i Omodeos ishte mjaft i detajuar sa u takonte punimeve për hapjen e dy kanaleve, ndërsa për pjesën tjetër projekti kishte të dhëna të përgjithshme dhe pa specifikimet e nevojshme[6].
Në fillim të vitit 1946, Ministria e Punëve Botore, e bazuar në projektin e Omodeos, hartoi një plan pune për tharjen e kënetës së Maliqit. Sipas Subi Bakirit, drejtuesit politik të ngarkuar për ndjekjen e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit, ministria nuk kishte bërë një studim paraprak mbi planin e Omodes, por e kishte marrë atë të mirëqenë dhe kishte filluar punën duke u bazuar te ky[7]. Koha tregoi se një studim mbi projektin kishte qenë shumë i nevojshëm. Duket se Omodeo nuk kishte qenë shumë i kujdesshëm në kalkulimet për zbatimin e projektit. Kështu, në projekt nuk ishte parashikuar që gjatë hapjes së kanalit hasej në tokë shkëmbore, si dhe në disa raste nuk ishte llogaritur mirë thellësia e kanalit. Një studim paraprak i projektit, mund t’i kishte eliminuar këto pasaktësi të projektit të Omodeos, por qeveria shqiptare kishte nxitim për t’i filluar sa më shpejt punimet për tharjen e kënetës. Më së shumti mund të ishin arsyet ekonomike që e nxisnin qeverinë shqiptare në ndërmarrjen e një nisme të tillë, por nuk mund të përjashtohen edhe arsyet propagandistike dhe politike. Çlirimi nga uji i një sipërfaqeje të tillë bujqësore do t`i jepte frymëmarrje ekonomisë së rajonit, por njëkohësisht do t’i bindte njerëzit në politikën e drejtë të qeverisë së re shqiptare.
Me një shpejtësi të pajustifikuar, Ministria e Punëve Botore bëri një planifikim të përafërt për koston e veprës, forcat e punës dhe makineritë e pajisjet që do të duheshin për ta përfunduar veprën. Sipas këtij planifikimi paraprak, tharja e kënetës së Maliqit do të bëhej brenda 180 ditëve, duke nisur nga 1 maji 1946. Si forca pune do të përdorej një numër i vogël punëtorësh me rrogë dhe pjesa më e madhe e fuqisë punëtore do të ishin vullnetarë. Po kështu do të përdorej edhe një sasi e kufizuar mjetesh të motorizuara, si: ekskavatorë, motopompa etj. Pas shqyrtimit të këtij plani nga Komisioni i Planit të Shtetit, ai vendosi që i gjithë projekti të mbaronte në 150 ditë, pra një muaj përpara kohës që ishte kërkuar nga Ministria. Komisioni kishte rritur numrin e vullnetarëve që do të përfshiheshin në punimet për tharjen e kënetës. Gjithashtu ishte ulur me gati 50% kostoja e përgjithshme e projektit. Në përfundim të punimeve parashikoheshin të çlirohej nga uji rreth 2 000 ha tokë[8].
Më 15 prill 1946 filluan punimet përgatitore për ngritjen e kantierit të Maliqit. Më 5 maj, me një ceremoni madhështore u inaugurua zyrtarisht fillimi i punimeve dhe, një ditë më vonë, filloi puna për zbatimin e një projekti ambicioz, i cili parashikohej të përfundonte më 1 tetor 1946. Për drejtimin e punimeve u caktua Abdyl Sharra, inxhinieri 35-vjeçar. Ai ishte shkolluar në Stamboll, në Robert College dhe më pas kishte ndjekur studimet e larta në Torino të Italisë. Kishte punuar si specialist në Ministrinë e Punëve Botore gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më pas i ishte përgjigjur thirrjes së qeverisë shqiptare për të mobilizuar specialistët e shkolluar të vendit dhe ishte angazhuar për ndërtimin e disa urave në të gjithë Shqipërinë. Atij ju bashkuan një grup inxhinierësh dhe teknikësh, si: ing. Vasil Mano, gjeometrat Pandeli Zografi, Aleks Vasili, italiani Mario Guarnieri etj.
Shpejt u kuptua se projekti që Sharra kishte marrë përsipër të drejtonte, nuk varej vetëm nga mundësitë dhe afësitë personale të tij. Ai nuk kishte forca të mjaftueshme punëtorësh të kualifikuar ku të mbështetej, nuk kishte makineri të mjaftueshme që të ndihmonin për shpejtimin e punimeve, dhe kishte mjaft llogaritje të gabuara, të cilat duheshin korrigjuar gjatë rrugës. Po t’u shtosh këtyre arsyeve dhe paaftësinë dhe mungesën e përvojës së administratës shtetërore dhe partiake lokale, këto bënë që ritmet e punimeve të ishin mjaft të ngadalta. Për këtë shkak, në korrik 1946 Ministria largoi nga detyra inxhinierin Abdyl Sharra për ta zëvendësuar atë me Kujtim Beqirin. 30-vjeçari kishte qenë një prej nxënësve të Shkollës Teknike të Tiranës. Ai kishte studiuar në Vjenë për inxhinieri civile dhe ishte dalluar për talentin e tij të veçantë në fushën e inxhinierisë. K. Beqiri e filloi punën duke rishikuar planin e Omodeos dhe, duke u përpjekur të ndreqte të gjitha pasaktësitë dhe llogaritjet e gabuara, që gjendeshin në projektin fillestar, paraqiti një projekt të përmirësuar për tharjen e kënetës, i cili kërkonte dhe mjete e shpenzime shtesë, të cilat nga drejtuesit partiakë lokalë u konsideruan të ekzagjeruar[9].
Nga shtatori i vitit 1946 po bëhej gjithnjë e më e qartë se tharja e kënetës së Maliqit nuk do të përfundonte në kohën e duhur. Drejtuesit më të lartë të PKSH-së filluan të shqetësoheshin dhe të bënin presion për ritme më të larta. Përgjigja që merrnin nga specialistët ishte e njëjtë: afati mund të plotësohej me fuqi të jashtëzakonshme punëtore (sipas projektit të ing. Konomit do të duheshin deri në 10 000 punëtorë në ditë), me makineri më të shumta dhe me fonde financiare më të mëdha, të cilat ishin të pamundura të akordoheshin. Më 6 shtator një Komision Kontrolli, i ngritur posaçërisht për të kontrolluar punimet për tharjen e kënetës, dërgohet në kantierin e Maliqin. Në një mbledhje maratonë u diskutua gjatë mbi problematikat e dala gjatë kësaj pune. Procesverbali i mbledhjes është një dëshmi e qartë e mungesave dhe vështirësive të panumërta me të cilat ishte ndeshur ekipi i inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit[10].
Më 30 shtator 1946, konkluzionet përfundimtare të grupit të kontrollin u analizuan në një mbledhje në Ministrinë e Punëve Botore. Grupi i kontrollit nuk mungonte të vinte në dukje parashikimet shumë optimiste të ministrisë mbi rendimentin e punëtorëve të krahut, makinerive, kostos financiare e, së fundi dhe të parashikimit të gabuar për kohën e përfundimit të punimeve. Kontrolli akuzonte ing. Sharrën për sabotim të punimeve dhe kërkonte arrestimin e tij dhe të teknikut italian Mario Guarnieri[11]. Ai gjithashtu kërkonte t’i tërhiqej vërejtje me shkrim ing. Aleks Vasilit, gjeometrit Pandeli Zografit dhe disa të tjerëve.
d.c./shqiptarja.com